Çmimet e lepujve të çokollatës për Pashkë këtë vit janë rritur dukshëm në Zvicër. Një krahasim i çmimeve në dyqane dhe pastiçeri në qytetin e Cyrihut tregon se dallimet janë shumë të mëdha – nga disa franga deri në qindra franga për një lepur çokollate.
Ndërsa shumë familje zvicerane po përballen me shqetësime financiare dhe disa prej tyre nuk kanë mundësi të përballojnë pushime prej vitesh, edhe shpenzimet për festat e Pashkëve janë bërë më të vështira. Megjithatë, në treg vazhdojnë të shiten produkte luksoze për ata që kërkojnë diçka të veçantë, transmeton 20min.ch. Një nga shembujt më të spikatur është lepuri i Pashkëve nga pastiçeria e njohur Sprüngli. Ky lepur i limituar, me peshë 400 gramë, kushton plot 149 franga. Kjo do të thotë se çmimi për 100 gramë arrin në 37.25 franga, duke e bërë atë një nga lepujt më të shtrenjtë të këtij sezoni. Sipas kompanisë, çdo lepur është unik: ai derdhet me dorë dhe pikturohet nga nxënës në vitin e tretë të praktikës, duke krijuar çdo herë kombinime të reja ngjyrash.
Edhe dyqane të tjera ofrojnë produkte shumë të shtrenjta. Në Globus, lepuri “Bürgi Stupsi” me peshë vetëm 80 gramë kushton 17 franga. Ndërkohë, në pastiçerinë Honold në Cyrih shitet një “lepur antik” prej çokollate që kushton 363 franga. Megjithatë ai peshon 1.8 kilogramë, kështu që çmimi për 100 gramë është rreth 20 franga. Në anën tjetër të tregut gjenden edhe alternativa shumë më të lira. Sipas një raporti të SRF, zinxhiri Lidl ofron një lepur çokollate 200 gramë me çmim promocional prej vetëm 2 frangash. Edhe Coop dhe Migros kanë produkte të ngjashme, ku çmimi për 100 gramë është pak më shumë se një frangë.
Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me shtrenjtimin e lëndëve të para gjatë vitit të kaluar, sidomos kakaos, për shkak të problemeve në prodhimin global. Shoqata zvicerane e industrisë së çokollatës, Chocosuisse, thekson se përveç kakaos, edhe puna artizanale ndikon në çmim.
Sipas drejtorit të saj, Roger Wehrli, shumë prej këtyre lepujve janë krijime artistike të punuara me dorë dhe për këtë arsye kushtojnë më shumë se produktet e prodhuara në fabrikë. Megjithëse çmimet e kakaos janë stabilizuar kohët e fundit, ekspertët thonë se ulja e çmimeve në dyqane mund të ndihet vetëm vitin e ardhshëm. Deri atëherë, konsumatorët duhet të zgjedhin mes luksit dhe alternativave më ekonomike për festën e Pashkëve, transmeton20min.ch, përcjelljen helveticALForum.ch
Foto ilustrim




