Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në cilësinë e kreut të delegacionit shqiptar, gjendet në Kanë të Francës, në MIPIM 2026.
MIPIM 2026 është një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për zhvillimin dhe investimet në pasuri të paluajtshme.
“Është nder të përfaqësoj Shqipërinë në këtë platformë të rëndësishme ndërkombëtare dhe të kontribuoj në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me partnerë e investitorë që ndajnë vizionin për zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, u shpreh drejtuesi i delegacionit dhe kreu i MTKS, Gonxhja.
Shqipëria prezantohet në këtë platformë me një portofol prej 83 projektesh strategjike që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e turizmit, infrastrukturës dhe territorit.
Ministri u shpreh se, përmes pavijonit “Soundscapes of Albania” po ndajmë me partnerë dhe investitorë ndërkombëtarë potencialin e jashtëzakonshëm turistik të vendit tonë dhe vizionin tonë për një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë pozicionin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për turizmin dhe investimet ndërkombëtare.
Platforma MIPIM është një nga eventet më të rëndësishme globale për sektorin e pasurive të paluajtshme dhe zhvillimit urban. Çdo vit MIPIM mbledh mijëra profesionistë të industrisë nga e gjithë bota, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për prezantimin e projekteve dhe ndërtimin e bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare, transmeton rtsh.




