II. Kupa Ndërkombëtare “Skënderbeu” në Szkander – Fülöpszállás u kthye në qendër të sportit dhe frymës shqiptare
Përgatiti Dashnim HEBIBI
Qyteti Fülöpszállás në Hungari u bë këtë herë qendër e një ngjarjeje të rëndësishme sportive dhe kulturore, duke mirëpritur edicionin e dytë të Kupës “Skënderbeu” në sportin e mundjes së krahut (szkander). Ky turne u organizua nga kampioni botëror Kelemen László, i cili me përkushtim dhe profesionalizëm arriti të mbledhë në një vend sportistë, trajnerë dhe dashamirës të këtij sporti nga shumë vende. Atmosfera gjatë gjithë ditës ishte e jashtëzakonshme. Në tavolinat e garës u përballën sportistë me përvojë, por edhe të rinj që synojnë të ndërtojnë emrin e tyre në këtë sport.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe ekipi i njohur i drejtuar nga Deák Lajos, së bashku me shumë garues të talentuar që e bënë këtë aktivitet një spektakël të vërtetë force dhe vullneti. Interesimi për këtë aktivitet ishte i madh. Plot 106 garues u regjistruan për të marrë pjesë në garë dhe për të provuar forcën e tyre në një disiplinë sportive që kërkon jo vetëm fuqi fizike, por edhe teknikë, përqendrim dhe karakter të fortë. Çdo përballje në tavolinat e szkanderit ishte një sfidë më vete: përballje të forta, emocione të mëdha dhe respekt i ndërsjellë mes sportistëve.

Turneu mban emrin e kryeheroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, një figurë që simbolizon trimërinë, vendosmërinë dhe fuqinë e karakterit.
Sipas traditës historike, Skënderbeu vlerësonte shumë forcën fizike dhe qëndrueshmërinë e luftëtarëve të tij. Thuhet se ai shpesh provonte fuqinë e krahut të ushtarëve për të parë se kush kishte forcën e nevojshme për të mbajtur shpatën dhe për të luftuar në betejë. Kjo simbolikë historike është bërë sot frymëzim për sportin e mundjes së krahut, duke lidhur traditën me sportin modern.

Një rol vendimtar në organizimin dhe suksesin e këtij aktiviteti pati filantropi i njohur Avni Hafuzi, i cili është njëherazi edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Hungari.
Ai ishte mbështetësi kryesor i kësaj ngjarjeje sportive dhe prej kohësh njihet si një nga figurat më aktive në promovimin e kulturës, historisë dhe identitetit shqiptar në Hungari dhe më gjerë.

Avni Hafuzi sot konsiderohet një emblemë e shqiptarëve për bamirësi dhe përkushtim. Veprimtaria e tij nuk kufizohet vetëm në një fushë të caktuar. Ai është një njeri që vepron shumë dhe flet pak, një personalitet që nuk e trumbeton punën e tij, por e lë veprën të flasë vetë. Kontributet e tij janë të shumta dhe tashmë të njohura në opinionin publik. Ndër veprat më të rëndësishme që mbajnë vulën e mbështetjes dhe vizionit të tij janë Sheshi “Skënderbeu”, busti i Skënderbeut dhe një sërë projektesh të tjera kulturore e kombëtare që kanë për qëllim ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar në diasporë.
Por këto janë vetëm një pjesë e punës së tij. Së shpejti pritet të bëhen publike edhe projekte dhe iniciativa të tjera të rëndësishme, të cilat do të dëshmojnë edhe një herë shpirtin bujar dhe vizionin e tij largpamës. Shumëkush e përshkruan Avni Hafuzin si një njeri me “shpirt qielli”, një njeri që e sheh punën për komunitetin si mision dhe jo si privilegj. Respekti dhe autoriteti që ai gëzon në Hungari është i jashtëzakonshëm. Shteti hungarez i ka kushtuar një libër, ndërsa emri i tij është përfshirë edhe në Enciklopedinë Hungareze, një vlerësim që u jepet vetëm personaliteteve që kanë dhënë kontribut të veçantë në jetën shoqërore, kulturore dhe humanitare.

Kjo tregon qartë se puna dhe përkushtimi i tij vlerësohen jo vetëm nga komuniteti shqiptar, por edhe nga institucionet dhe shoqëria hungareze.
Promovimi i sportit të mundjes së krahut me emrin e Skënderbeut është një tjetër sukses i rëndësishëm i tij. Kjo iniciativë jo vetëm që promovon sportin, por gjithashtu mban gjallë kujtesën historike dhe krenarinë kombëtare. Turneu po fiton gjithnjë e më shumë përkrahje dhe po shndërrohet në një traditë që lidh sportin, historinë dhe kulturën. Pjesëmarrësit dhe organizatorët e këtij aktiviteti shprehën mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e kësaj ngjarjeje: sportistët, trajnerët, sponsorët dhe publikun e pranishëm që krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme. Filantropi, Avni Hafuzi me T – shirt me Skënderbeun dhe plisin në kokë dhe me krenari e mburrje, ishte në top formë për këtë aktivitet të madh sportiv. Kupa “Skënderbeu” në Szkander tashmë po shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme sportive në rajon, një aktivitet që jo vetëm promovon sportin, por edhe forcon lidhjet mes popujve, kulturave dhe komuniteteve.
Në fund të aktivitetit u theksua se ky është vetëm fillimi dhe se edicionet e ardhshme pritet të jenë edhe më të mëdha, duke sjellë gjithnjë e më shumë sportistë dhe duke e kthyer këtë kupë në një simbol të forcës, respektit dhe bashkimit.




