Ambasada e Kosovës në Doha ka bërë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët, duke informuar se, për shkak të rrethanave aktuale dhe kufizimeve të përkohshme të udhëtimit, autoritetet e Shtetit të Katarit kanë vendosur të mbulojnë shpenzimet e akomodimit në hotel për turistët që janë bllokuar dhe nuk mund të largohen nga vendi.
Në njoftim bëhet e ditur se ky vendim hyn në fuqi nga data 28 shkurt dhe do të mbetet në fuqi deri në rifillimin e operacioneve në aeroport dhe rihapjen e hapësirës ajrore.
Ndër të tjera, ambasada u rekomandon qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të qetë, të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve katariane dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
“Ambasada do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet dhe do t’ju mbajë të informuar për çdo informacion shtesë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës./BS




