I ngarkuari me punë i Shqipërisë në Katar, Ermal Kaleci, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me RTSH 24, bëri të ditur masat që po merren për mbrojtjen e shtetasve shqiptarë pas sulmeve raketore në vend.
Kaleci deklaroi se janë rreth 100 shtetas shqiptarë të cilët janë bashkuar në grupin e Whatsappit të hapur për informacionet më të fundit nga autoritetet e Katarit dhe udhëzimet përkatëse.
“Siç kemi informuar dhe Ministria e Punëve të Jashtme, që nga 28 shkurt Katari u ngrit me alarm. Kemi kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në faqen tonë të Facebook-ut kemi bërë njoftimet e para sipas udhëzimeve të Ministrisë së Jashtme të Katarit. Më pas kemi hapur një grup WhatsApp me shqiptarët në Katar ku kemi informuar mbi situatën dhe udhëzimet që duhet të ndjekin. Më pas kemi marrë informacione nga aeroportet dhe hotelet ku ndodheshin shqiptarët dhe i kemi bërë pjesë të grupit”, tha Kaleci.
Ky i fundit theksoi se aktualisht në Katar ka shpërthime, ndonëse qytetarët ruajnë qetësinë.
Ai u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin lëvizjes në rrugë.
“Katari aktualisht ka shpërthime, por qytetarët kanë ruajtur qetësinë. Të gjithë qytetarët nuk janë të detyruar të ikin në punë. Ne ju bëjmë thirrje të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin lëvizjet në rrugë”, tha ai.
Kaleci konfirmoi se disa persona janë plagosur, por mes tyre nuk ka shtetas shqiptarë. “Janë asgjësuar 65 raketa dhe 12 dronë nga Ministria e Mbrojtjes së Katarit. Një shtetas është plagosur rëndë dhe 15 të tjerë më lehtë”, shtoi ai.
Ambasada shqiptare ka publikuar të gjithë numrat për kontakt emergjent dhe informon se selia është e hapur 24 orë. “Ju lutem të gjithë shqiptarëve: Albaniaembassy.doha, aty përditësohen informacionet e fundit dhe për çdo gjë jemi të hapur. Mund të vijnë edhe në selinë tonë”, tha Kaleci.
Ky i fundit bëri me dije se është vetëm një familje turiste shqiptare e cila ka kërkuar rikthimin në Shqipëri.
“Aktualisht gjendja është e qetë. Vetëm një familje turiste shqiptare ka kërkuar të rikthehet në Shqipëri, dhe linja ajrore e ka akomoduar në hotel. Në momentin që do hapet hapësira ajrore, ai shtetas do të udhëtojë me linjën ajrore që ka pasur fluturimin”, sqaroi Kaleci, transmeton rtsh.




