Përgatiti Dashnim HEBIBI
Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Ideologut dhe Nderit të Kombit, Adem Demaçi, sot në Winterthur u mbajt një takim jubilar përkujtimor, i organizuar nga Shoqëria «Lëvizja» – Dega Jashtë Vendit. Veprimtaria mblodhi bashkatdhetarë, familjarë të dëshmorëve, ish-të burgosur politikë, ish-anëtarë të LPK-së, ish-luftëtarë çlirimtarë të UÇK-së, aktivistë e veprimtarë të Çështjes Kombëtare, si dhe nxënës të shkollës shqipe në Zvicër.

Në këtë përvjetor jubilar, pjesëmarrësit me respekt, nderim dhe krenari rikujtuan jetën dhe veprën e Adem Demaçit – simbolit të qëndresës shqiptare dhe zërit të pandalshëm për liri, barazi, dinjitet dhe të drejtën për vetëvendosje të shqiptarëve. U theksua sakrifica e tij e jashtëzakonshme, vetëflijimi dhe përkushtimi i palëkundur ndaj çlirimit dhe afirmimit të çështjes kombëtare shqiptare.

Takimin e nderoi me praninë e tij edhe Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Zürich, z. Vigan Berisha, i cili në fjalën e tij vlerësoi lart figurën e Adem Demaçit si një udhërrëfyes të përhershëm të idealit për liri dhe shtetndërtim. Ai theksoi se trashëgimia morale dhe politike e Demaçit mbetet frymëzim për brezat e rinj, si në atdhe ashtu edhe në diasporë.

Në këtë përvjetor morën pjesë gjithashtu Nëna Qame, nëna e Dëshmorit të Kombit Afrim Zhitija, djali i Adem Demaçit, Dr. Shqiptari me bashkëshorten, ish-të burgosur politikë e bashkëvuajtës të Bacës Adem, familjarë dëshmorësh, si dhe artistë të penës e këngës shqipe, të cilët me interpretimet e tyre i dhanë ngjarjes një dimension të veçantë emocional e atdhetar.

Atmosfera e takimit u karakterizua nga ndjenja e thellë e mirënjohjes dhe përulësisë para veprës madhore të Adem Demaçit. Organizatorët theksuan se pjesëmarrja e gjerë e bashkatdhetarëve ishte dëshmi se figura e tij vazhdon të jetojë në ndërgjegjen kombëtare dhe se ideali për liri e drejtësi mbetet amanet i përhershëm për shqiptarët kudo që jetojnë.

Ky përkujtim solemn në Winterthur shënoi jo vetëm një datë historike, por edhe një zotim të ri për ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave që Adem Demaçi mishëroi gjatë gjithë jetës së tij. ( Foto nga V.B)




