POSTIMET E FUNDIT

Pritje solemne në Vjenë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Në një atmosferë madhështore Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë organizoi pritjen solemne me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Mbrëmja mblodhi së bashku ambasadorë, diplomatë dhe përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia, Kanadaja, Letonia, Mali i Zi, Sllovenia, Turqia, Australia, Danimarka, Gjermania, Finlanda, Luksemburgu dhe Hungaria, si dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve austriake.

Ceremonia u hap me intonimin e himneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë, të interpretuara nga Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës, e cila me këtë rast shënoi edhe paraqitjen e saj të parë në Vjenë, duke përbërë një moment të veçantë në kuadër të kësaj ngjarjeje solemne.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, vlerësoi rolin historik dhe të vazhdueshëm të Austrisë në raport me Kosovën, duke përmendur kontributin e personaliteteve të shquara austriake si Alois Mock, Franz Vranitzky, Erhard Busek, Wolfgang Petritsch, Ulrike Lunacek dhe Lukas Mandl, të cilët kanë ofruar mbështetje të rëndësishme në periudha kyçe për Kosovën.

I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, z. Albinot Bimbashi, nënvizoi rolin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare, duke vlerësuar kontributin e saj si në momentet historike për lirinë e vendit, ashtu edhe sot në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe institucional të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar diasporën si urën më të fortë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Në emër të Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, u drejtua me fjalë përshëndetëse Ambasadorja Dr. Elisabeth Kornfeind, e cila theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës, si dhe vlerësoi lart kontributin dhe integrimin e suksesshëm të diasporës shqiptare në shoqërinë austriake.

Nën dirigjimin e Maestro Edon Ramadanit, Filharmonia e Kosovës u paraqit me një interpretim artistik të nivelit të lartë, i cili u vlerësua dhe u mirëprit ngrohtësisht nga publiku i pranishëm. Programi përfshiu vepra nga Felix Mendelssohn, Drinor Zymberi dhe Valton Beqiri, si dhe interpretimet e spikatura të sopranove Arta Jashari dhe Zana Abazi-Ramadani, duke dëshmuar profesionalizmin, përkushtimin dhe cilësinë e lartë të skenës muzikore të Kosovës.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë shpreh falënderim të veçantë për Drejtorin e Filharmonisë së Kosovës, z. Dardan Selimaj, për bashkëpunimin dhe për mundësimin e sjelljes së Filharmonisë së Kosovës në Vjenë, transmeton Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, përcjell helveticALforum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB