POSTIMET E FUNDIT

18 vite shtet: Festë madhështore në Gjenevë për Pavarësinë e Kosovës

Përgatiti D. Hebibi

Në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë organizoi një pritje solemne dhe artistike në sallën prestigjioze Victoria Hall, duke mbledhur mbi një mijë të pranishëm nga Zvicra dhe më gjerë.

Mbrëmja festive u nderua me interpretimin e tenor-it me famë botërore Ramë Lahaj, i shoqëruar nga e ftuara speciale Marigona Qerkezi dhe pianisti Kamal Khan. Programi artistik solli një repertor të përzgjedhur që ndërthurte vepra nga tradita muzikore shqiptare dhe ajo klasike ndërkombëtare, duke krijuar një atmosferë emocionuese dhe dinjitoze për këtë përvjetor të rëndësishëm shtetëror.

Krahas pjesëmarrjes së gjerë të mërgatës shqiptare nga mbarë Zvicra, në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të larta institucionale dhe diplomatike. E pranishme ishte znj. Megi Fino, Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipëri, si dhe ambasadorë të shteteve anëtare pranë OKB-së, konsuj të përgjithshëm, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare me seli në Gjenevë, autoritete kantonale e komunale zvicerane, përfaqësues të botës akademike, biznesit, artit dhe medias, si dhe miq të shumtë të Kosovës.

Në fjalën e mirëseardhjes, Udhëheqësja e Konsullatës, znj. Floreta Kabashi, theksoi rëndësinë historike të këtij përvjetori, sakrificat e gjeneratave për liri dhe shtetësi, si dhe përparimin e Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e saj ndërkombëtar. Ajo vuri në pah se Kosova sot përfaqëson një demokraci funksionale, të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe garantimit të lirive themelore për të gjithë qytetarët e saj. Një theks i veçantë iu kushtua marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicër, si dhe rolit të pazëvendësueshëm të mërgatës në forcimin e këtyre lidhjeve.

Të pranishmëve iu drejtua me një fjalë përshëndetëse edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, SH.T.Z. Mentor Latifi. Nga autoritetet zvicerane, fjalë rasti mbajtën znj. Ana Roch, Presidente e Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, z. Frédéric Borloz, Ministër i Kantonit të Vaudit, si dhe znj. Marjorie de Chastonay, në emër të Komunës së Gjenevës. Në fjalët e tyre, ata riafirmuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane.

Mbrëmja u kurorëzua me një koncert të jashtëzakonshëm që solli magjinë e muzikës klasike në skenën e Victoria Hall, duke e shndërruar këtë 18-vjetor të shpalljes së Pavarësisë në një moment të veçantë dhe të paharrueshëm për të gjithë të pranishmit.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë shprehu falënderimet e saj të sinqerta për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, duke e mbyllur mbrëmjen me mesazhin e qartë të unitetit, krenarisë dhe besimit në të ardhmen. Gëzuar 18 vite shtet!, transmeton Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, përcjell helveticALforum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB