Në vigjilje të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosova, Komandanti i Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim Zëvendës Adjutantin e Garda Kombëtare e Ajovës, Gjeneral Brigade William McClintock, së bashku me delegacionin e tij.
Takimi u zhvillua në një moment simbolik për vendin, duke reflektuar mbi rrugëtimin e institucioneve të sigurisë dhe thellimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare. Gjenerallejtënant Jashari falënderoi Gjeneralin McClintock për mbështetjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës në ndërtimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së, duke theksuar rolin e këtij partneriteti në profesionalizimin dhe modernizimin e forcës.
Ai e njoftoi mysafirin me zhvillimet aktuale në FSK, duke vënë në pah angazhimin e saj si garantuese e sigurisë në vend dhe kontribuuese e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Sipas tij, progresi i arritur vitet e fundit është rezultat i përkushtimit institucional dhe mbështetjes së partnerëve strategjikë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga ana tjetër, Gjeneral Brigade McClintock përgëzoi Jasharin për lidershipin dhe arritjet e deritanishme të FSK-së, duke uruar njëkohësisht qytetarët e Kosovës për përvjetorin e pavarësisë. Ai vlerësoi lart nivelin e ndërveprueshmërisë së trupave dhe përgatitjen profesionale të tyre, veçanërisht gjatë trajnimeve të përbashkëta dhe përgatitjeve për dislokim në Qendrën e Trajnimit të Gatishmërisë së Përbashkët (JRTC) në SHBA.
Gjatë takimit, të dy gjeneralët theksuan progresin e dukshëm në ngritjen dhe modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së, si dhe rëndësinë e vazhdimit të programit të partneritetit të përbashkët ndërmjet dy forcave.
Me këtë rast, Gjenerallejtënant Jashari dekoroi Gjeneralin McClintock me Medaljen për Shërbim Vetëmohues, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të pakushtëzuar në zhvillimin e bashkëpunimit bilateral.
Në përmbyllje, palët riafirmuan se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës mbetet prioritet strategjik, duke nënvizuar se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës është element kyç për ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshëm të sigurisë dhe stabilitetit në rajon, transmeton rtk.




