10.4 C
Zurich
Friday, February 13, 2026
spot_img
spot_img

NJË STUDIM ME VLERA PËR HISTORINË E KOSOVËS, FEDERATËS “VATRA” E GAZETËS “DIELLI”

Duhet ti lexosh

Nga Akad. Beqir Meta

Studimi i Prof. dr. Roland Gjini me titull “Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare “Vatra” dhe gazeta “Dielli” e ShBA-së (1981-2008)” është një vepër me vlerë shkencore për njohjen e një prej periudhave më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, pasi pasqyron kontributin e organizatës më të fuqishme dhe më jetëgjatë të emigracionit shqiptar ndaj çështjes më madhore kombëtare – çështjes së Kosovës. Ky libër mbush një boshllëk në studimet për diasporën shqiptare dhe Kosovën, pasi sjell një informacion të gjerë burimor, analiza shkencore të sakta dhe objektive mbi zhvillimet në Kosovë dhe qëndrimet e Federatës “Vatra” në momentet kyçe e dramatike që kaloi ajo në fundshekullin e kaluar dhe në fillim të këtij shekulli.

Prof. Gjini ka shkruar me një gjuhë të qartë dhe të këndshme, dhe njëkohësisht të balancuar, lidhur me qëndrimet e “Vatrës” dhe kontributet e sajë të çmuara historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

- Reklama -

Në këtë botim spikat gjithashtu gjerësia e argumenteve dhe karakteri autentik i tij. Në studim ndërthuren qasje, analiza dhe informacione interesante lidhur me reagimin e “Vatrës” dhe gazetës së saj “Dielli”, ndaj demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, duke filluar nga evidentimi i vlerës së rezolutës së parë të “Vatrës” për Kosovën, miratuar në kuvendin e saj vjetor të 22-23 marsit 1981, e cila iu dërgua presidentit amerikan, Ronald Regan, në të cilën mbështetej kauza e drejtë e shqiptarëve, kërkesa e tyre për republikë dhe denoncohej dhuna jugosllave; i bëhet jehonë protestës së mijëra shqiptarëve më 25 mars, përpara ndërtesës së OKB-së dhe përfaqësisë jugosllave në këtë organizatë, ndaj dhunës jugosllave kundrejt shqiptarëve; spikat gjithashtu dhe nota e “Vatrës” dërguar Sekretarit të OKB-së dhe Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, në prill 1981. Që nga ajo kohë, në çdo numër të saj gazeta “Dielli” nuk rreshti së shkruari për Kosovën editoriale, njoftime, lajme, kronika, shkrime analitike, letra nga lexuesit.

Autori, përmes një lënde të pasur, ka arritur të japë një panoramë konkrete dhe korrekte mbi fuqinë e “Vatrës” dhe impaktin e madh që pati aktiviteti i saj në emigracionin shqiptar në SHBA, në opinionin më të gjerë amerikan dhe në diplomacinë evropiane.

Kjo periudhë, për nga kontributet atdhetare të “Vatrës”, intensitetin, vlerën dhe rëndësinë e tyre, mund të krahasohet pa mëdyshje me periudhën më të artë të saj, atë të viteve 1912-1920, kur “Vatra” ishte organizata më e fuqishme dhe më me ndikim në emigracionin shqiptar, për rifitimin e pavarësisë sonë kombëtare. Prandaj, edhe ky studim i prof. Roland Gjinit ka një vlerë të veçantë.

- Advertisement -

Përmes këtij botimi, ne mësojmë dhe përulemi me nderim të veçantë për kontributin e pashlyeshëm atdhetar të intelektualëve të shquar shqiptarë në Amerikë dhe më gjerë, si të Sami Repishtit, Arshi Pipës, Petër Priftit, Rexhep Qoses, Mark Krasniqit, etj si dhe të Xhevat Kallajxhiut, i cili si kryeredaktor i gazetës “Dielli”, siç e theksonte prof. P. Prifti, e shndërroi Kosovën në “çështje të ditës”.

Gazeta “Dielli” u bëri jehonë dhe pasqyroi qindra demonstrata e protesta të shqiptarëve në qytete të ndryshme të SHBA-së, kundër dhunës serbe e jugosllave. Këto pasqyrime, së bashku me letrat e panumërta të shqiptarëve që botoheshin në këtë gazetë, krijuan një panoramë të qartë se diaspora shqiptare po ziente në mbrojtje të drejtave kombëtare dhe kundër dhunës jugosllave. Në këtë studim është pasqyruar edhe një nga demonstratat më të mëdha e më të fuqishme- ajo e 18 majit 1981 në New York.

Gazeta “Dielli” u bëri jehonë edhe reagimeve të disa organizatave të kombeve të tjera në Amerikë në mbrojtje të Kosovës. Njëkohësisht ajo denoncoi heshtjen dhe mungesën e reagimit adekuat të qeverisë së Enver Hoxhës ndaj të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe kundër dhunës serbe.

Një vlerë të veçantë kishin artikujt e thellë dhe të mprehtë të Sami Repishtit (në maj 1981), ku analizoheshin shkaqet e demonstratave në Kosovë.

“Dielli” artikulon kritika edhe për diplomacinë dhe shtypin perëndimor, për heshtjen e tyre apo pasqyrimin e ngjarjeve në Kosovë sipas informatave jugosllave. Një vlerë të veçantë kishin të dhënat që jepte “Dielli” për burgosjet në Kosovë gjatë viteve 1980. Vlerë të posaçme ka edhe artikulli i intelektualit të shquar Arshi Pipa mbi platformën antishqiptare të Millosheviçit (25 janar 1989), duke e analizuar atë dhe kufizimin e autonomisë së Kosovës, denoncimi i propagandës jugosllave se gjoja serbët po largoheshin nga Kosova, argumentimi i drejtësisë së kërkesave shqiptare për republikën, etj.

Pas heqjes së autonomisë së Kosovës në mars 1989, senatorët amerikanë dhe shtypi evropian u aktivizuan dhe e dënuan këtë politikë. “Dielli”dhe “Vatra” u bëri jehonë atyre dhe ishte një inkurajuese e fuqishme e këtij reflektimi. Rezolutave të Kongresit dhe të Senatit Amerikan për Kosovën tashmë u bëhet jehonë e madhe nga “Dielli”, duke ndezur opinionin shqiptar.

Po kështu, i bëhej jehonë aktit historik të Kuvendit të Kosovës, Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, rezolutës së Parlamentit Evropian të 13 korrikut 1990 në përkrahje të saj dhe të Republikës së Kosovës në Jugosllavi.

“Dielli” ishte mbështetës konstant i Ibrahim Rugovës dhe LDK-së që ishin vënë në krye të rezistencës paqësore, qytetare e kombëtare të shqiptarëve, e cila ishte shumë efektive dhe me ndikim të pashlyeshëm në opinionin perëndimor.

Deklarata e ashpër e “Vatrës” më 4 mars 1998 kundër reprezaljes së serbëve në Kosovë, ushtoi në kancelaritë amerikane e evropiane. Pohimet e saj rrëqethëse por të vërteta se “Prishtina dhe e gjithë Kosova po lahen me gjakun e pafajshëm të fëmijëve tanë, të nënave e baballarëve, të motrave e vëllezërve tanë”, vetëm sepse populli shqiptar i Kosovës “dëshiron të jetojë i lirë, të vendosë vetë mbi fatet e tij, mbi jetën e tij, mbi të ardhmen e fëmijëve të tij” mbeten një spikamë me vlera historike për rolin e diasporës shqiptare në mbrojtje të popullit tonë. “Vatranët” dënonin terrorin serb dhe fajësonin bashkësinë ndërkombëtare se nuk i ishte qasur me drejtësi e vendosmëri çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në tërësi.

Pas vrasjes së Adem Jasharit “Vatra” organizoi më 25 mars 1998 një nga demonstratat më të mëdha që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët në Washington, ku morën pjesë më se 20 000 vetë, ku ushtoi fjala e kryetarit të “Vatrës”, atdhetarit të shquar, Agim Karagjozit. Të gjitha këto ngjarje pasqyrohen me objektivitet e të argumentuara në studim. Nga studimi mësojmë se “Vatra” i lidhi ngjarjet në Kosovë edhe me krizën e vitit 1997 në Shqipëri, të cilën e cilësoi si të nxitur nga të huajt, për t’i dhënë goditje Kosovës e Shqipërisë.

Në këtë studim është trajtuar me nota realiste por tepër prekëse edhe alarmi dhe qëndrimi i “Vatrës” ndaj eksodit të shqiptarëve dhe spastrimit etnik të Kosovës. Gjithashtu i bëhet jehonë ndërhyrjeve të NATO-s dhe të Presidentit Klinton për çlirimin e Kosovës.

Këtu spikat edhe deklarata e “Vatrës” më 28 majit 1999 në mbështetje të UÇK-së dhe kundër gjenocidit serb.

Emocione të forta të krijon mbyllja e një editoriali të “Diellit” të prill-majit 1999, ku shkruhej: “Jemi ne të vrarët, të gjakosurit, të djegurit, të dhunuarit, të nëpërkëmburit, gjymtyrëthyerit, synxjerrit, të shpërngulurit e të stërshpërngulurit, të copëtuarit e kongreseve berlineze dhe konferencave londineze, që kërkojmë jo thjesht për hir të asaj që pësuam, por për hir të së drejtës, Kosovën tonë të lirë e të pavarur”.

Pas çlirimit nga pushtuesit serb, “Vatra” mbështeti ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve në Kosovë, duke bërë thirrje për përmbajtjen e tyre demokratike e kombëtare.

“Vatra” promovoi dhe mbështeti Kosovën përmes demonstratave, memorandumeve etj., i tërhoqi vëmendjen opinionit ndërkombëtar ndaj rishfaqjes së dhunës serbe në veri, në shkurt 2000, bëri thirrje për qetësi dhe uljen e tensioneve midis forcave politike në Kosovë; bëri thirrje për qetësi e rregull, pas trazirave të marsit 2004, duke mbështetur Presidentin Rugova dhe institucionet e Kosovës. Të gjitha këto qëndrime të drejta dhe vizionare argumentohen, analizohen dhe përbëjnë një vlerë të veçantë të këtij studimi. Edhe pas pavarësisë së Kosovës, “Vatra” ishte vigjilente dhe në mbrojtje të saj. Kështu ajo dënoi akuzat e trilluara të Dik Martit në Këshillin e Evropës dhe mbështeti bisedimet Kosovë-Serbi, duke bërë thirrje për unitet midis shqiptarëve.

Në përfundim vlen të theksohet se ky botim do të zërë një vend me rëndësi në historinë e Federatës Panshqiptare Vatra dhe të diasporës shqiptare të Amerikës, i cili sigurisht do të referohet e do tu shërbejë më së miri studimeve për historinë tonë bashkëkohore kombëtare. Ky studim jep një panoramë më të qartë mbi rrugën që ndoqi procesi i qëndresës dhe i përpjekjeqeve së popullit shqiptar të Kosovës në luftën e tij për fitimin e të drejtave kombëtare, deri në arritjen e lirisë nga pushtimi i gjatë serb dhe fitoren finale: atë të shpalljes së Pavarësisë. Ai ka vlera të shumta shkencore dhe edukative prandaj besoj se do pritet me interes nga lexuesi shqiptar.

E përgëzoj dhe i shpreh urimet më të mira Prof. Roland Gjinit për punën e madhe dhe shumë të vlefshme që ka kryer për realizimin e këtij studimi. I uroj suksese të mëtejme në veprimtarinë shkencore. /GD

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme