Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbajti një fjalë në Forumin për Sigurinë në Kongresin Amerikan, ku theksoi rolin kyç të parlamenteve në garantimin e sigurisë globale dhe riafirmoi angazhimin e Shqipërisë ndaj aleancës euro-atlantike.
“Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, dëshiroj së pari të shpreh respektin tim të thellë për rolin e qëndrueshëm të Kongresit në formësimin e sigurisë globale, mbrojtjen e vlerave demokratike dhe forcimin e aleancës transatlantike”, u shpreh Peleshi.
Ai nënvizoi se parlamentet kanë një përgjegjësi të veçantë në çështjet e sigurisë, duke garantuar mbikëqyrjen demokratike, llogaridhënien publike dhe drejtimin strategjik afatgjatë.
Peleshi theksoi se partneriteti Shqipëri–Shtetet e Bashkuara mbetet i panegociueshëm dhe i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Shqipëria nuk po kërkon të përfitojë pa kontribuar. Ne synojmë të forcojmë marrëdhëniet tona strategjike, bazuar në përgjegjësi, besim dhe veprim”, tha ai.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit ndërkombëtare, Peleshi bëri të ditur se më 22 janar Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi pjesëmarrjen në Kartën e Bordit të Paqes, në të njëjtën ditë që kjo nismë u shpall në Davos nga Presidenti Donald Trump dhe liderë të tjerë botërorë.
“Kuvendi i Shqipërisë riafirmoi angazhimin tonë ndaj stabilitetit, sigurisë, zgjidhjes së konflikteve dhe paqes së qëndrueshme. Ne besojmë te potenciali i këtij Plani për të dhënë rezultate konkrete dhe të prekshme në terren”, tha Peleshi.
Ai paralajmëroi se bota po përballet me një transformim të thellë gjeopolitik, të shoqëruar me rikthimin e luftës konvencionale dhe rritjen e kërcënimeve hibride, si sulmet kibernetike, dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja.
“Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm dhe kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike”, theksoi Peleshi.
Duke iu referuar vendimeve të fundit të NATO-s, ai nënvizoi se Shqipëria po rrit investimet në mbrojtje, duke alokuar këtë vit 2.12% të PBB-së, me një trajektore të qëndrueshme rritjeje.
“Mesazhi është i qartë: aleancat janë jetike, por aleatët duhet të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të modernizohen më shpejt”, deklaroi Kryetari i Kuvendit, transmeton rtsh.




