Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar sot lidhur me rastet e dyshuara të manipulimeve të votave brenda subjekteve politike, duke theksuar se askush i përfshirë në këto veprime nuk do të ketë amnisti.
Përmes një reagimi publik në Facebook, Kurti ka inkurajuar institucionet përgjegjëse që hetimet të vazhdojnë pa kompromis deri në zbardhjen e plotë të rasteve, duke nënvizuar se manipulimi i vullnetit qytetar është i papranueshëm në një shtet demokratik.
Ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë dhe do të mbetet gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të qytetarëve, të shprehur përmes votës së lirë.
“Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, Republika e Kosovës përfaqëson një shembull të demokracisë në rajon, ndërsa adresimi ligjor dhe llogaridhënia për çdo dyshim të manipulimit brenda partive politike janë thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve në proceset zgjedhore. Kurti ka përfunduar se vetëm përmes transparencës, drejtësisë dhe ndëshkimit të shkelësve mund të mbrohet integriteti i zgjedhjeve dhe demokracia në vend, transmeton rtk.




