Nga Dashnim HEBIBI
Me nderim dhe përulësi të thellë për babain e kombit, arkitektin e Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali Bej Vlora. Sot përkujtohen 107 vjet nga vdekja e tij misterioze, një ngjarje që vazhdon të mbetet një nga enigmat më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Sot, 24 janar 1844, është dita e lindjes se Tij. Ndërsa vdekja klinike është 24 janar 1919 dhe raporti mjeksor zyrtar italian dy ditë më pas, 26 janar 1919.

Në Peruxhia të Italisë, Ismail Qemali ndërroi jetë papritur, vetëm pak momente përpara se të mbante një konferencë për shtyp. Në atë kohë, ai ishte ende aktiv politikisht dhe diplomatikisht, duke u përpjekur pa u lodhur të mbronte interesat e Shqipërisë në një periudhë tejet delikate, kur fuqitë e mëdha dhe shtetet fqinje diskutonin fatin e trojeve shqiptare.
Mungesa e një raporti përfundimtar mbi shkaqet e vdekjes së tij ka ushqyer ndër vite dyshime dhe teori të shumta. Janë hedhur vazhdimisht hipoteza se ai mund të jetë helmuar nga qarqe greke, serbe, turke apo italiane, të cilat e shihnin figurën e tij si një pengesë serioze për interesat e tyre politike dhe territoriale. Autoriteti i tij ndërkombëtar, përvoja e gjatë diplomatike dhe qëndrimi i palëkundur në mbrojtje të pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë e bënin Ismail Qemalin një figurë të rrezikshme për çdo projekt antishqiptar. Jeta e tij ishte një përkushtim i pandërprerë ndaj çështjes kombëtare.
Që nga veprimtaria e tij në administratën osmane, ku fitoi përvojë të çmuar politike, deri te momenti historik i 28 Nëntorit 1912 në Vlorë, Ismail Qemali tregoi guxim, mençuri dhe largpamësi. Ai arriti të bashkojë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe të shpallë Pavarësinë në një nga momentet më kritike të ekzistencës së kombit shqiptar. Edhe pas shpalljes së Pavarësisë, ai nuk u tërhoq nga misioni i tij.
Përkundrazi, vazhdoi të punojë për njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar, për ndërtimin e institucioneve dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në tryezat diplomatike të Evropës. Vdekja e tij larg atdheut mbetet një plagë e hapur, por njëkohësisht një dëshmi e sakrificës së madhe që ai bëri për kombin.
Ismail Qemali u nda nga jeta, por idealet e tij jetojnë ende. Ai mbetet simbol i unitetit kombëtar, i diplomacisë së mençur dhe i dashurisë së pakushtëzuar për atdheun. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm do ta kujtojnë përherë si njeriun që i dha Shqipërisë zërin e lirisë dhe themelet e shtetit të pavarur.
Lavdi jetës dhe veprës së Ismail Qemalit. Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm.
HelveticALforum.ch




