0.5 C
Zurich
Monday, January 19, 2026
spot_img
spot_img

Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes

Duhet ti lexosh

Nga Arben Iliazi

Mё 18 janar 1569 në Horën e Arbëreshëve, Palermo, Sicili, lindi poeti Lekё Matrënga. Pasi përfundon studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Atanasit në Romë në vitin 1582, ku i ishte dhënë edhe titulli “ Mësues”, kthehet në Horën Arbëreshe, më 1587, dhe emërohet prift në Piana degli albanesi. Shpejt vë re se lutjet fetare në latinisht nuk kuptoheshin mirë nga popullsia homogjene arbëreshe, dhe nis e përkthen në gjuhën shqipe “Doktrina e Krishterë”, vepёr e teologut jezuit At Ledesma, (teoria e të cilit u përhap në shumë shkolla dhe u përgatitën jezuitë nëpër Europë). Vepra e Matrëngës, e quajtur “Embsuame e krishtertë”, e njohur dhe si Dottrina Christiana, përmban një leksik të përgjithshëm prej 450 fjalësh, kështu që ai rriti numrin e leksikut tek nxënësit. Matrënga sjell me këtë vepër, poezinë e parë në gjuhën shqipe. Ajo përbën dokumentin e parë filologjik të toskërishtes së shkruar dhe të dytin të shqipes, fill pas “Mesharit” të Gjon Buzukut. Kjo vepër, në 28 faqet që ka, me përmbajtje shpirtërore e katekistike, tejet e rëndësishme për kishën arbëreshe, përfshin edhe një vjershë me tetë vargje, me titull ” Këngë e përshpirtshme”, që përbën vargëzimin e parë të shkruar shqip. Vepra “Embsuame e krishtertë” është një doracak fetar për doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje. Ideja e Matrëngës ishte gjeniale, sepse ai jo vetëm e përktheu dhe iua shpjegoi shqip përmbajtjen e doktrinës, por edhe iua mësoi këtë gjuhë (shqipen) si ta shkruajnë.

Arbëreshët nuk arrinin të kuptonin manualët e katekizmit në italisht, për këtë motiv Matrënga më 1592 shkruan: “Desha të bija një version të Doktrinës kristjane, sepse manualët e katekizmit në italisht që qarkullonin nuk ishin të kuptueshme për besimtarët e popullsisë shqiptare”. Përkthimi i doktrinës në shqip do t’iu shërbente arbëreshëve jo vetëm si ushqim shpirtëror për vazhdimësinë e besimit të tyre në ritin lindor, por do t’i bënte ata të dalloheshin nga ajo latine. (Jemi në periudhën shekuj larg krijimit të Eparkive të tyre.) Në këtë formë ata ruanin identitetin shqiptar dhe i shpëtonin asimilimit.

Teksti i autorit arbëresh Lekë Matrënga, në tiparet konstuitive i përngjan, në të shumtën e tij, çamërishtes dhe arvanitikishtes, nëndialektet shumë të ngjashme dhe gati të njëjta të shqipes, që ruhen ende sot.

Shumë historianë janë të mendimit se arbëreshët e Italisë kryesisht kanë emigruar nga zonat shqipfolëse të Moresë në Peleponez dhe viset e tjera shqiptare të Epirit e Çamërisë.

Në hyrjen e veprës studimore “Arvanitika : die albanischen Sprachreste in Griechenland, Wiesbaden, O. Harrassoëitz, 1991, v.1”, Hans-Jürgen Sasse vëren se “Luca Matranga, autori i veprës së parë të letërsisë arbëreshe, Dottrina Cristiana, të shtypur në 1592, i përkiste një familjeje siciliane që ish shpërngulur në Itali nga Peloponezi, në mes të shekullit XVI, dhe se vepra vetë “është shkruar në një gjuhë ende shumë të afërt me arvanitikishten”.

Prejardhjen e arbëreshëve të Italisë e ka trajtuar, nga shumë anë, Prof. Arshi Pipa në monografinë “Ethosi dhe ethnosi në traditën letrare arbëreshe”. Prof. Pipa vëren se “shqiptaro-sicilianët janë në shumicë të origjinës Epiro-moreote (shqiptarë nga Moreja). Prof. Pipa, duke iu referuar përfundimeve të studiuesit K. Sathas, thotë: “Një pjesë bukur e madhe e elementit shqiptar që u shkul për Itali e ka vatrën e vendburimin e saj në trevën e përcaktuar të Shqipërisë Jugore. Shumica e emrave familjare të arbëreshëvet t’Italisë (Bala, Basta, Borsci, Borscia, Carnesi, Dara, Dorsa, Lala, Licursi, Loes, Manes, Nasaracchia, Matranga, Petta, Schiada, Sciales, Scura, Suli, Variboba, etj.)… na shfaqen edhe nëpër krahina të ndryshme të Moresë, si emra vendesh që kanë qenë shqiptare dikur ose që janë edhe sot e kësaj dite; emra qytetesh e katundesh të Moresë, si Nauplia, Koron, Mothon, Misistrá, na dalin edhe nëpër këngët popullore të arbëreshëvet t’Italisë…

Ndërsa Prof. Eqrem Çabej, në kumtesën “Çështja e prejardhjes së ngulimevet arbëreshe të Italisë në dritën kryesisht të gjuhës e të emrave vetiake”, mbajtur në Kongresin VIII Ndërkombëtar të Studimeve Onomastike në Amsterdam, më 28 gusht 1963, shkruan: “Ka indicie, historike, gjuhësore e të tjera, të cilat dëshmojnë se elementit arbëresh të Italisë në prag të kohës së re erdhi e iu shtua edhe një komponente ardhësish të ikur prej Greqie, veçanërisht prej Moreje.”

Prof. Pëllumb Xhufit në studiimin Emigracioni shqiptar në Mesjetë – një vështrim tipologjik”, konfirmon, mes të tjerash, një lidhje mes migrimit shqiptar në Greqi dhe në Itali, në mesjetë, dhe institucionit të stratiotëve të Moresë. Ndërsa, sipas shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Luan Rama, “Emri i stratiotëve vjen nga greqishtja “stratiotes” që do të thotë luftëtar, e përdorur nga shqiptarët e Moresë. Venecianët ata i quanin ata “stradioti”. Stratiotët u shfaqën në histori pas epokës së lavdishme të Skënderbeut. Ishte koha kur hordhitë osmane filluan të dyndeshin drejt Ballkanit perëndimor për të dalë në Adriatik dhe për të shkuar gjer ne brigjet veriore të Mesdheut”

Vjersha “Këngë e përshpirtshme”, në original:

Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë

Të mirë të krështē, bura e grā

Mbë fjalët të Tinëzot të shihi meshë,

Se s’ishtë njerī nesh çë mkatë s’kā

E lum kush e kujton se kā të vdesë

E mentë bashkë mbë tënëzonë i kā

Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë

E bën për bīr të tij e për vëllā

Vargjet përshtatur në gjuhën e sotme shqipe:

Të gjithëve ju thërres, kush do ndjesë,

Të krishterë të mirë, burra e gra,

me fjalë të Tënzot të shihni Meshë,

se s’është njeri prej nesh që mëkate s’ka.

E lum kush kujton se do të vdesë.

E mendtë bashkë në Tënzonë i ka,

se Krishti në parajsë atij i bën pjesë,

e bën për bir të tij e për vëlla”. /GD

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme