
Nga Prof.Dr. Xhavit LIPAJ, Andermat
Nuk u tha.
U lëshua.
Si një fjali pa autor
që gjen strehë
në veshë të gatshëm.
Nuk kishte uri.
Vetëm një zhvendosje të fajit
nga brenda, drejt një tjetri
që heshte.
Objekti u zhduk.
Akti mbeti.
Të “lësh pa”
u bë më i rëndë
se ajo që kurrë nuk u hoq.
Fjala u nda nga referenca,
dhe u bë e lirë.
Kur fjala është e lirë,
e vërteta humb peshë.
Në këtë konfigurim,
heshtja u lexua si provë.
Jo se tregonte faj,
por se nuk kundërshtonte
mjaftueshëm fort.
Mallkimi nuk ishte akuzë.
Ishte qarkullim.
Një thënie kalon
nga një gojë, në një tjetër,
dhe çdo kalim
e zbraz nga përgjegjësia.
Në fund,
askush nuk e mbante më fjalinë.
Ajo mbahej vetë.
Kuptimi u thjeshtua
deri në keqkuptim.
Keqkuptimi
u stabilizua si fakt.
Ai që nuk foli
u shënua.
Jo për atë që bëri,
por për hapësirën
që la bosh.
Dhe ajo hapësirë
u mbush
me gjithçka
që nuk kishte ndodhur.
Vetëm kështu…
Janar, 2026




