Nga Mihal Ciko
Në shumicën e vendeve ku jetojnë shqiptarët, brezat e rinj nuk komunikojnë më në shqip. Jo sepse nuk duan, por sepse si shtet, si shoqëri, si institucione, si familje, nuk ua kemi krijuar kushtet. Dhe kjo nuk është thjesht çështje kohe apo integrimi. Është rezultat i tre dështimeve të qarta: familjes, komunitetit dhe ideologjisë sonë gjuhësore. Edhe pse janë shtuar shkollat shqipe në diasporë, prapëseprapë shteti shqiptar nuk i përkrah sa duhet shkollat dhe mësuesit. Mësimi i gjuhës shqipe duhet të jetë amanet kombëtar për brezat.
Sot kemi shtëpi shqiptare pa shqip. Në diasporën shqiptare, shqipja nuk po humbet në rrugë apo në shkollë. Po humbet brenda shtëpisë.
Prindërit shqiptarë kalojnë shpejt në gjuhën e vendit pritës, shpesh me justifikimin “që fëmija të ecë përpara”. Shqipja shtyhet për më vonë, për fundjavë, për pushime, për gjyshërit. Por gjuha që shtyhet, zhduket. Prindërit, si edukatorët kryesorë të brezit të ardhshëm të shqiptarëve që do të ruajnë dhe kultivojnë gjuhën shqipe, nuk e kuptojnë se po kthehen në “vrasës” të identitetit gjuhësor shqiptar.
Fëmijë që e kuptojnë shqipen, por nuk e flasin. Të rinj që ndihen shqiptarë, por nuk arrijnë të shkruajnë apo të flasin rrjedhshëm në gjuhën e tyre.
Kjo nuk është zgjedhje personale. Është dështim kolektiv.
Shpesh politika flet për një diasporë të madhe shqiptare në Europë, Amerikë e kudo. Kjo paraqitet si krenari kombëtare, një mentalitet ballkanik. Por politika harron se diaspora shqiptare është kthyer në një komunitet të vogël gjuhësor.
Na pëlqen të flasim për numra: sa shqiptarë jetojnë jashtë, sa kontribuojnë, sa të suksesshëm janë. Por nga ana gjuhësore, diaspora shqiptare është e shpërndarë, e paorganizuar dhe e pambrojtur. E pandihmuar dhe e pambështetur nga shteti, thjesht e përdorur për vota.
Propagandohet shumë, si nga shoqatat shqiptare ashtu edhe nga politika e shtetit shqiptar, hapja e shkollave shqipe. Organizohen ceremoni inaugurimi dhe u vendosen emra me karakter “krenarie shqiptare”. Por këto shkolla mbijetojnë me vullnetarizëm, me mësimdhënës vullnetarë. Shoqatat zgjasin sa një mandat dhe aktivitetet kulturore nuk kanë mbështetjen e ambasadave dhe konsullatave shqiptare nëpër botë.
Pa komunitet të fortë, gjuha mbetet përgjegjësi individuale. Dhe individi, përballë presionit të përditshëm të asimilimit, zakonisht dorëzohet.
Një gjuhë nuk mbijeton vetëm me dëshirë. Ka nevojë për strukturë. Dhe struktura kryesore është ajo që mbështetet në themele të thella e të forta: familja.
Të gjitha këto veprimtari patriotike me flamurin kombëtar në dorë, në këndet e shoqatave, festat kombëtare apo aktivitetet artistike, shprehin jo vetëm krenari kombëtare dhe krenari për origjinën, por edhe detyrimin ndaj gjuhës shqipe, e cila duhet të ruhet dhe të trashëgohet brez pas brezi.
Si mund të jemi krenarë për flamurin, për historinë, për prejardhjen, kur nuk investohet në forcimin e mësimit dhe të ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë?
Nëse nuk e ruajmë gjuhën shqipe, do të krijojmë një realitet të rrezikshëm: shqiptarë pa shqip. Një identitet i bazuar në simbole, jo në komunikim. Një shqiptarësi që vishet, por nuk flitet.
Shteti shqiptar krenohet me diasporën shqiptare kudo në botë, aq më tepër që në zgjedhjet e fundit parlamentare e bëri pjesë të elektoratit. Organizon Samitin e Diasporës, më shumë si mjet propagandistik sesa si domosdoshmëri për t’u ballafaquar me faktet alarmante e shqetësuese që po përjeton diaspora shqiptare: humbjen e identitetit gjuhësor.
Nëse Samiti i Diasporës Shqiptare synon të jetë më shumë se një vitrinë politike, atëherë duhet të ballafaqohet me këtë realitet, pa justifikime dhe pa zbukurime.
Nuk duhet të krenohemi me numrin e madh të pjesëmarrësve në Samit, por pyetja është: “A po trashëgohet ende gjuha shqipe?” Dëgjojmë në diskutime, intervista apo biseda të lira që përfaqësues të diasporës flasin në gjuhën e vendit ku jetojnë, dhe jo në gjuhën e familjes së tyre, edhe kur ftohen të flasin për jetën dhe kërkesat e diasporës nga shteti amë.
Politika shqiptare në këto samite duhet të jetë konkrete: të ndjekë dhe të mbështesë forcimin e shqipes në familje; të mbështesë realisht, jo vetëm me fushata empirike, hapjen dhe funksionimin e shkollave shqipe dhe komuniteteve; të ndërtojë narrativa të reja për vlerën e gjuhës.
Samitet të mos mbeten fjalë të bukura mbi një realitet që po na rrëshqet nga duart.
Një diasporë që nuk flet më gjuhën e vet nuk është thjesht e integruar. Është e shkëputur. Dhe kjo shkëputje nuk ndodh brenda natës, por brez pas brezi, në heshtje, me mirëkuptim të rremë, pa vëmendje dhe pa mbështetje nga shteti.
Nëse nuk flasim sot për gjuhën, nesër do të flasim vetëm për kujtime.
Dhe atëherë do të jetë vonë. /GD
Foto ilustruese.




