Përgatiti: Dashnim HEBIBI
Kryetarja e Komunës së Preshevës, zonja Ardita Sinani, përmes një postimi në rrjetet sociale u ka uruar rrugë të mbarë dhe gjithë të mirat bashkëatdhetarëve që po kthehen drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë në mërgim. Mesazhi i saj vjen si shprehje mirënjohjeje dhe afërsie ndaj mërgatës, e cila vazhdon të mbetet një shtyllë e rëndësishme e jetës shoqërore, ekonomike dhe kombëtare.
Gjatë muajit dhjetor, siç ka mësuar helveticALforum.ch, kryetarja Sinani ka pritur dhe takuar një numër të madh mërgimtarësh dhe veprimtarësh, duke i respektuar dhe nderuar me zemër, në frymën e bashkimit dhe të vlerësimit për kontributin e tyre të vazhdueshëm ndaj vendlindjes.
Në mesazhin e saj, ajo shprehet:
“Me rrugë të mbarë, bashkëatdhetarë. Teksa ktheheni drejt vendeve ku jetoni e punoni në mërgim, merrni me vete dashurinë e vendlindjes dhe kujtimet e bukura. Kujdes në rrugë, pushoni sa herë të jetë e nevojshme, vozitni me durim. Zoti ju ruajtë dhe u ktheftë shëndoshë e mirë, deri në takimin e radhës.”
Ky mesazh i ngrohtë dhe njerëzor pasqyron lidhjen e fortë ndërmjet institucioneve lokale dhe mërgatës shqiptare, si dhe përkushtimin e Kryetares Sinani për të mbajtur gjallë këtë lidhje përtej kufijve. Presheva, si gjithmonë, mbetet shtëpia që pret dhe përcjell bijtë e saj me dashuri, respekt dhe shpresë për ritakime të afërta. / HelveticALforum.ch




