Telegram ngushëllimi për familjen Daci, institucionet shtetërore dhe Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani
Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Akademikut, politikanit dhe intelektualit të shquar Nexhat Daci më tronditi thellë në shpirt, në këtë fillim viti, në muajin Janar – një muaj që historikisht nuk e ka kursyer popullin shqiptar, duke i marrë atij figura të mëdha të kombit.
Ky Janar ngrinë sërish vendin tonë dhe rrëmbeu një tjetër personalitet të spikatur të jetës intelektuale dhe politike shqiptare. Po në Janar, ish-kryeparlamentari dhe Akademiku Nexhat Daci humbi bashkëpunëtorin e tij më të afërt, Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte pikërisht Akademik Nexhat Daci ai që luftoi me vendosmëri që ceremonia mortore e Presidentit Rugova të zhvillohej sipas protokollit shtetëror të Republikës së Kosovës. Ai u bë, fatkeqësisht, “kurban” i proceseve politike, por historia dëshmoi madhështinë e asaj ceremonie, e cila u nderua nga delegacione të mbi 100 shteteve të botës.
Si mërgimtare dhe bashkëpunëtore shumë e afërt e Akademik Nexhat Dacit, i drejtohem publikisht Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, me kërkesën që ceremonia e varrimit të tij të zhvillohet sipas protokollit presidencial të Republikës së Kosovës, ashtu siç e meriton figura e tij.
Po ashtu, kërkoj që dita e varrimit të shpallet ditë zie shtetërore.
E nderuara familje Daci,
e nderuara zonja Zineta Daci,
pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta nga mërgimi. Mërgata shqiptare e ka vlerësuar lart veprimtarinë intelektuale dhe politike të Akademik Nexhat Dacit. Sot jemi thellësisht të tronditur nga humbja e madhe e ish-Kryeparlamentarit të parë të Kosovës pas lirisë, një figure të pazëvendësueshme për Akademinë e Kosovës dhe për popullin dardan në përgjithësi.
Pusho në paqe, Akademiku ynë Nexhat Daci!
Zize Pepshi
Zvicër




