5.7 C
Zurich
Wednesday, December 17, 2025
spot_img
spot_img

Suksesi nuk e fshin prejardhjen: Prof. Dr. Fadil Çitaku dhe thirrja për të mos harruar rrënjët

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Edhe kur bota të përket, zemra mbetet te rrënjët

Shkencëtari i mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Fadil Çitaku, i cili jeton dhe vepron prej vitesh në Zvicër, është një nga ata personalitete që emrin e tij e ka bërë të njohur pothuajse në mbarë botën përmes punës dhe veprave të tij shkencore. I ftuar si ligjërues kryesor në konferenca ndërkombëtare, i respektuar për dijen dhe kontributin e tij akademik, ai përfaqëson shembullin e intelektualit që arrin majat pa e humbur kurrë lidhjen me prejardhjen.

Së fundmi, Prof. Dr. Çitaku ka ndarë me miqtë e tij një fotografi prekëse, ku shihet pranë babait të tij, Bablokut Tafil Tahiri, në Çitak të Drenicës – vendin ku nis gjithçka. Krahas fotos, ai ka shkruar disa rreshta të mbushur me mall, reflektim dhe mesazh të fuqishëm për rrënjët, atdheun dhe identitetin.

“Pjesën ma të madhe të jetës time e kam kaluar në Zvicër, shtetin tim të tretë. Kam blerë tokë në Zvicër, kam ndërtuar shtëpi dhe kam mbjellë edhe dardha të Drenicës në kopshtin tim,” shkruan ai. Por, siç e pranon me sinqeritet, rrënjët e atyre dardhave nuk shtrihen thellë si në tokën e Drenicës dhe aroma e tyre nuk është ajo e Çitakut. Një metaforë e thjeshtë, por shumë domethënëse, për mallin e pashuar ndaj vendlindjes.

Ai flet edhe për rrugëtimin e tij profesional – për respektin që vjen nga puna dhe veprat shkencore, por edhe për xhelozinë dhe urrejtjen që ndonjëherë shoqërojnë suksesin.

“Shumica të respektojnë për punën, por ka edhe nga ata që të xhelozojnë e përpiqen të të fshijnë, sepse vetë nuk kanë mundur,” thekson ai, duke dëshmuar se rruga e suksesit nuk është gjithmonë e lehtë.

Megjithatë, mbi të gjitha, mesazhi i tij është i qartë dhe i fuqishëm:
“Rrënjët e mia janë në Drenicë!”

Në këtë frymë, Prof. Dr. Çitaku u drejtohet bashkatdhetarëve me një porosi të drejtpërdrejtë dhe njerëzore: të qëndrojnë pranë rrënjëve të tyre, të mos e harrojnë tokën, familjen dhe prindërit, pavarësisht pozitave, titujve apo pasurisë materiale. Ai bën thirrje për bashkëpunim në kuadër të Institutit për Avancim Kombëtar, me qëllimin që asnjë shqiptar të mos detyrohet të braktisë rrënjët e veta për të pasur një jetë dinjitoze.

“Zoti na ka vendosur aty ku ka menduar se rrënjët tona mund të hyjnë thellë, të marrin ushqim dhe forcë nga toka jonë,” shkruan ai, duke na kujtuar se identiteti nuk blihet dhe nuk zëvendësohet, por trashëgohet dhe ruhet.

Ky rrëfim i Prof. Dr. Fadil Çitakut nuk është thjesht një kujtim personal apo një fotografi familjare. Është një mësim për të gjithë: se suksesi ka kuptim vetëm kur nuk harron nga vjen, dhe se njeriu, sado larg të shkojë, mbetet gjithmonë i lidhur me rrënjët e veta. Këtu është njerëzorja. Këtu është dinjiteti. Dhe këtu është atdheu. / HelveticALforum.ch

Foto: Prof. Dr. Fadil Çitaku me babain e tij në vendlindje

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme