1.7 C
Zurich
Wednesday, December 17, 2025
spot_img
spot_img

Amaneti i Dritës

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

Lotët ma flladitin zemrën,

por ajo u dogj më fort nga flaka e mallit për ty,

Prof. Dr. Llukman Halili —

o Aga Lluki, njeri i fjalës, i mendimit dhe i qëndresës.

Fjalët e tua nuk ishin thjesht ligjërata;

ato ishin udhërrëfyes, amanete të shkruara në shpirt.

I dëgjoj çdo ditë, edhe kur heshtja bëhet e rëndë,

edhe kur koha përpiqet t’i mbulojë gjurmët e tua.

Në këtë përditshmëri të ashpër,

çdo mendim më çon tek ti,

çdo sfidë më kujton qëndrimin tënd të palëkundur.

Po ec në hapat e tu —

në rrugët që ti doje t’i kaloje pa u përkulur, pa u shitur, pa u dorëzuar.

Por rruga është e mbushur me errësirë,

me maska gjakpirëse që ndërrojnë fytyra,

me hijena që sillen rreth idealit për ta shqyer.

Ti i njihje mirë.

I lexoje shpirtrat e tyre para se të flisnin,

i zbërtheje me një fjali, me një heshtje.

Jo.

Nuk bie në gjunjë.

Sepse nga ti mësova se dorëzimi është vdekje para vdekjes.

Mësova nga ti të dalloj të vërtetën nga mashtrimi,

të ruaj dinjitetin kur çmimi i tij bëhet i lartë,

të mos kem frikë nga vetmia,

sepse qëndrimi i drejtë shpesh ecën vetëm.

Ti kishe formulë të qartë për jetën dhe kombin,

kishe çelësin e mendimit të lirë,

dhe guximin ta thoshe të vërtetën edhe kur ajo digjte.

Po bëhen edhe disa muaj gjashtë vjet që trupi yt nuk është mes nesh,

por shpirti yt është kudo ku ka rezistencë,

kudo ku ka njeri që nuk përkulet,

kudo ku fjala nuk shitet.

Ti nuk u largove —

u shndërrove në ndërgjegje.

Pusho i qetë në përjetësi, o Aga Lluki.

Malli për ty nuk njeh kohë,

nuk njeh shërim,

ai më djeg, më forcon, më mban gjallë.

Është plagë, por edhe dritë.

Është dhimbje, por edhe betim.

Më mungon më shumë seç mund të shkruhet,

më shumë seç mund të thuhet,

sepse disa miq zemre nuk ikin kurrë —

ata bëhen rrënjë në zemrat tona.

Po më mungon fjala jote,

ideja jote, drita jote

në këtë kohë dhelprash e hijenash.

Kam nevojë të konsultohem me ty më shpesh,

sepse rrugët janë bërë të mjegullta.

E lodha Agen Rafet,

por ne po ecim tutje, pa u dorëzuar.

Ti ma ke dhënë krahun —

dhe pa e përmendur nuk mundem.

Na mbetën shumë projekte,

disa po na i vjedhin,

e s’po mundem t’i mbroj siç duhet,

sepse ti ishe oqean veprimtarie:

forcë, vizion dhe mburojë.

Por ti e di —

një forcë tënden e kam brenda.

Po bëhem uragan,

po demonstroj përmes shkronjave.

Është koha e pakurrizorëve,

koha e zhurmës,

ku nuk vlerësohen meritokratët e punës,

por lëpirësit e heshtur.

E kujtoj fjalën tënde: “kiki rikat”.

Edhe nëse më çarmatosin intelektualisht,

unë qëndroj drejt,

sepse jam krua që shpejt mbushem —

dhe ajo buron nga sinqeriteti

dhe nga zemra e bardhë.

Ti pusho,

dhe bëhu dritë në përjetësi.

Kjo jetë nuk është e përjetshme,

por veprat po jetojnë

dhe do të jetojnë.

Dhjetor, 2025

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme