
Nga Dashnim HEBIBI
Një ditë e përmbushur pranë Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesisë së Tij Rexhep Demiri
St.Gallen, 05 dhjetor 2025 – Një ditë e mbushur me aktivitete, përgjegjësi dhe takime të sinqerta me bashkatdhetarët. Të qëndrosh pranë Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesisë së Tij z. Rexhep Demiri, nuk është aspak e lehtë: ai nuk e njeh konceptin e punës “sa për të thënë”.

Çdo angazhim e kryen me modesti, përpikëri dhe përkushtim të rrallë diplomatik. Këtë e vërtetoi edhe dita e sotme, të cilën pata nderin ta shoqëroj nga afër në cilësinë e gazetarit dhe shoqëruesit.
Takimi me mbi 500 bashkatdhetarë në Xhaminë “El Hidaje”, St. Gallen
Destinacioni i parë ishte St. Gallen, në xhaminë e njohur shqiptare “El Hidaje”, ku sot, jo vetëm për shkak të ditës së premte, por edhe falë Ditës Konsullore dhe të Vullnetarizmit, që do të vije ambasadori u mblodhën mbi 500 bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Ambasadori Demiri, i shoqëruar nga stafi i tij diplomatik, mbërriti për t’iu gjendur afër qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë të Zvicrës, për t’i informuar me detaje të sakta mbi procedurat konsullore, dokumentet, regjistrimet e fëmijëve dhe të gjitha shërbimet që Ambasada ofron. Ai nuk u mjaftua me fjalime zyrtare; ai dëgjoi, pyeti, sqaroi – duke qëndruar pranë njerëzve në çdo hap.

Shumë prej bashkatdhetarëve shprehën habi dhe vlerësim të madh që një ambasador viziton xhaminë për t’u takuar me diasporën, dhe jo vetëm zyrat e tij. Kjo qasje e afërt e bëri takimin të veçantë.
Mirëpritja e ngrohtë
Ambasadori Demiri u mirëprit nga Imami i xhamisë, z. Mehas Alija, njëherësh edhe Kryetar i Komunitetit Mysliman të Zvicrës, nga kryetari i Xhamisë, Sadush Ajruli, nga kryesia, profesorë, veprimtarë dhe bamirës nga të gjitha trevat shqiptare. Ishte e dukshme se komuniteti e kishte përgatitur me kujdes vizitën.

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe:
- Prof. Nasir Rustemi,
- veprimtari i njohur Fazli Musliu, kryetar nderi i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”,
- si dhe shumë personalitete të tjera nga të gjitha trojet shqiptare.
Xhamia, e cila përbëhet nga tre kate, ishte mbushur përplot. Sipas asaj që pamë, mbi 500 bashkëkombas ishin aty, duke i dhënë peshë të veçantë këtij takimi.

Fjalimi i ambasadorit – “Xhamitë janë institucione të nderuara”
Në fjalën e tij, Ambasadori Demiri theksoi se bashkëpunimi me Zvicrën është i shkëlqyer dhe se ky shtet ka ndihmuar shumë komunitetin shqiptar dhe shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe u jemi falënderues për jetë.
Ai nënvizoi gjatë një bisede me imamin para të pranishmëve se xhamitë nuk janë vetëm vende faljeje, por institucione të rëndësishme komunitare: “As kombi as feja nuk shkojnë pa njëra-tjetrën. Xhamitë kanë luajtur rol themelor, sidomos në periudha të vështira. Ne u jemi mirënjohës institucioneve zvicerane që na e mundësojnë këtë jetë dhe organizim.”

Ambasadori kërkoi që xhamia e re — një projekt që Imami Alija e prezantoi si një kryevepër të vërtetë — të ketë hapësira të posaçme për të rinjtë, në mënyrë që ata të lidhen më shumë me komunitetin dhe identitetin e tyre.
Bashkatdhetarët flasin
Disa prej të pranishmëve ndanë mendimet e tyre:
- Ibish Elmazi, nga Vaksinca, 56 vjet jetë mërgimi, tha: “ Sa ditë e madhe. Na ka ardhur ambasadori. Kush e ka menduar para 56 vjetëve se do të kemi xhami shqiptare, biznesmenë dhe ambasador shqiptarë? Kjo është e papërshkrueshme.”

- Xhezmi Ajdari nga Çajla e Gostivarit, i emocionuar nga atmosfera vëllazërore tha ndë të tjera: „Nuk mundem ta përshkruaj këtë ditë me fjalë. Ju lumtë, z. ambasador. Lumët ne që të kemi“.
- Rasim Abazi nga Gostivari, e ngriti çështjen e asimilimit, duke kërkuar më shumë punë në këtë drejtim.
- Ambasadori i dëgjoi me kujdes, duke u përgjigjur me qetësi e kompetencë për të gjitha pyetjet.
Shërbime konsullore në vend – një shembull për t’u ndjekur
Një nga momentet më të rëndësishme ishte njoftimi se stafi i ambasadës kishte ardhur në xhami për t’u ndihmuar qytetarëve në vend, pa pasur nevojë të udhëtojnë në Bernë për tema të ndryshme.

Ambasadori tregoi një rast konkret: një familje që, për shkak të një rasti vdekjeje në St. Gallen, duhej të merrte dokumente urgjente nga ambasada; por ai u ofroi zgjidhjen aty, brenda xhamisë ngase është stafi aty.
Ai e përmendi se ne jemi aty ku është bashkatdhetari pa dallim kombi e feje, me rëndësi të jetë shtetas i Maqedonisë së Veriut“.
Ai shtoi se shpesh në një ditë kanë punuar me 200–300 persona edhe ate pa u lodhur dhe duke i bërë apel të gjithë bashkatdhetarëve:
“Mos i lini dokumentet pa i marrë. Është detyrim. Regjistroni fëmijët. Rezervoni me telefon ose email dhe çdo dokument e merrni pa asnjë pengesë. Ne jemi për ju. Erdhëm edhe këtu që të jemi edhe më afër jush.”
Ky veprim u vlerësua maksimalisht nga të pranishmit.
Ligjërata e xhumasë – 3 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara
Imami Alija mbajti një ligjëratë të përgatitur me kujdes, duke e lidhur temën me vlerat e fesë islame që nxisin solidaritet, ndihmë dhe kontribut të pandalur për njerëzit me aftësi të kufizuara.
Pjesë nga ligjërata u lexuan edhe në gjuhën gjermane.
Xhamia kishte edhe një kënd të pasur me libra, si një shtesë e bukur kulturore për vizitorët dhe flamuri kombëtar kuq e zi në kokën e sofrës.
Nderime dhe dhurata
Veprimtari z. Qemal Rushiti, ish-kryetar i xhamisë dhe aktivist që jeton në Zvicër, e nderoi ambasadorin me një libër të çmuar. Nderimi u prit mirë nga të pranishmit, ndërsa ambasadori falenderoi çdo bashkatdhetar, sidomos ata me moshë të thyer, për kontributin e tyre të vazhdueshëm për të mirën e atdheut, paqes dhe bëmirësisë në përgjithësi.
Pas takimit – flisnin zemrat e të gjithëve
Një moment i veçantë ishte vendimi i ambasadorit për të mos marrë pjesë në drekën që i ishte përgatitur, por ishte e pamundur të largohet, se nuk lëshohet miku pa bukë, krip e zemër. Ai zgjodhi pastaj të qëndronte edhe më gjatë me bashkatdhetarët. Edhe kur ora shënoi 18:00, ai kishte ende një detyrim moral: të vizitonte një personalitet të njohur të komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës, i cili po trajtohej në spital. Puna me ekipin e ambasadës kishte shkuar sipas agjendës dhe ekipi i ambasadës u drejtuan nga Berni e ambasadori vazhdon si zakonisht në veprim pa u ndalur, pa shikuar orën.
Me disa nga miqtë e tij, ambasadori shkoi për ta vizituar në spital në St. Gallen një personalitet të njohur që kishte kaluar një situatë të vështirë shëndetësore – një gjest që flet më shumë se shumë fjalë për karakterin e tij.

Diplomacia e vërtetë matet edhe me këto detaje.
Një diplomat i popullit
Si shoqërues dhe gazetar, nuk mund të mos e theksoj: diplomatë si Rexhep Demiri janë të rrallë. Ai konsiderohet si ambasador i popullit, jo vetëm i zyrës edhe ate nga veprimtarë por edhe nga shkenctarë të mhohur që jetojnë në Zvicër. Modest, i përkushtuar, i kujdesshëm dhe gjithmonë aty ku njerëzit kanë nevojë për të.

Takimi u mbyll me kënaqësi të përgjithshme. Të gjithë u larguan të nderuar dhe të respektuar.
Ambasadori dhe ekipi i tij i la të kuptohej qartë bashkatdhetarëve:
“Ne jemi pranë jush, dhe do të jemi. Detyra jonë nuk është vetëm brenda zyrave, por në terren, mes njerëzve.”
Për vizitën në spital dhe bisedën e zhvilluar atje, do të shkruajmë më gjerësisht së shpejti në HelveticALforum.ch.




