Më 2 dhjetor 2025, në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Berlin, u zhvillua një panel diskutimi i dedikuar promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe mundësive investuese mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë. Ngjarja, organizuar në bashkëpunim me Klubin e Biznesit Gjermani-Maqedoni e Veriut dhe e mbështetur nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme (MPJTJ) , tërhoqi një numër të madh përfaqësuesish të kompanive gjermane, institucioneve të specializuara dhe odave ekonomike.

Në hapje të aktivitetit, fjalë përshëndetëse mbajtën ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ambasadori prof. dr. Ylber Sela, si dhe kryetari i Klubit të Biznesit Gjermani-Maqedoni e Veriut, Gafar Vejseli.

Ambasadori Prof. Dr. Ylber Sela
Në fjalimet e tyre, u theksua rëndësia e avancimit të bashkëpunimit ekonomik, niveli i lartë i ndërlidhjes mes dy ekonomive, si dhe masat e ndërmarra nga qeveria për të promovuar dhe tërhequr investimet e huaja. Po ashtu, u përmendën përvojat pozitive të kompanive gjermane në Maqedoninë e Veriut, të cilat shërbejnë si një stimuj i fuqishëm për investime të reja.
Paneli “Prezantimi i mundësive investuese të Maqedonisë së Veriut” u moderua nga Vasko Gërkov dhe përfshiu prezantime nga Anita Angellovska-Bezhoska, ish-guvernatore e Bankës Qendrore , Goce Dimovski, drejtor i Drejtorisë për Menaxhimin e Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike, Tane Dimovski nga MPJTJ, si dhe Antje Wandelt, përfaqësuese e ekonomisë gjermane në Maqedoni. Prezantuesit ndanë të dhëna konkrete dhe përvoja praktike mbi potencialin investues në vend, duke theksuar avantazhet strategjike dhe incentivat për investitorët e huaj.
Ngjarja shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim të qëndrueshëm dhe investime të drejtpërdrejta, transmeton ARMV, përgatiti helveticALforum.ch




