Qeveria shqiptare po përgatitet të miratojë dokumentin më të rëndësishëm strategjik të dekadës së ardhshme për mjedisin, një plan ambicioz që synon të mbrojë ekonominë dhe qytetarët nga pasojat e ndryshimeve klimatike.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka propozuar miratimin e Planit Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP) 2026–2036. Dokumenti, i cili pritet të kalojë së shpejti për shqyrtim, zbulon një faturë financiare të madhe. Shqipërisë i nevojiten rreth 9.8 miliardë dollarë investime për të përballuar rreziqet klimatike, shkruan rtsh.al.
Ku do të shkojnë paratë?
Plani identifikon 66 masa prioritare të shpërndara në 5 sektorë kyç: bujqësi, energji, transport, turizëm dhe zhvillim urban. Sipas analizës së kostove, barra më e madhe financiare bie mbi qytetet dhe infrastrukturën:
Zhvillimi Urban kërkon 2.7 miliardë USD (28% e totalit) për gjelbërim, plane emergjence dhe infrastrukturë urbane rezistente; 2.1 miliardë USD për ripyllëzim masiv dhe restaurim ekosistemesh; 2 miliardë USD për rrugë që u rezistojnë përmbytjeve dhe rrëshqitjeve; 1.9 miliardë USD për mbrojtjen e hidrocentraleve dhe rrjetit.
Nga ana tjetër, Turizmi kërkon investimet më të ulëta (rreth 8.5 milionë USD), pasi masat janë kryesisht rregullatore dhe jo infrastrukturore.
Pjesa më e rëndësishme e raportit lidhet me financimin. Nga 9.8 miliardë USD të nevojshme, aktualisht janë të identifikuara apo angazhuara vetëm rreth 700 milionë USD (300 milionë nga buxheti i shtetit dhe 400 milionë nga donatorët/privati).
Kjo lë një boshllëk financiar prej 9.1 miliardë USD. Për të mbushur këtë boshllëk, strategjia propozon një arkitekturë të kombinuar: 20% e fondeve të sigurohen nga buxheti i brendshëm, ndërsa pjesa tjetër përmes fondeve ndërkombëtare të klimës (si Fondi i Gjelbër), partneriteteve Publik-Privat dhe instrumenteve inovative si “obligacionet e gjelbra”.
Ndonëse numri më i madh i masave janë ato “të buta” (studime, ligje, kapacitete), koston kryesore e kanë investimet fizike:
Masat e Gjelbra (45% e kostos) përfshijnë ripyllëzimin dhe zgjidhje të bazuara në natyrë.
Masat Gri (23% e kostos), përfshijnë infrastrukturë të rëndë si diga, mure mbrojtëse dhe sisteme kullimi.
Dokumenti argumenton se, pavarësisht faturës së lartë, mosveprimi do të ishte me pasoja të mëdha për ekonominë. Vlerësimet tregojnë se dëmet nga ndryshimet klimatike mund t’i kushtojnë Shqipërisë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Prandaj, thekson raporti, investimi prej 9.8 miliardësh konsiderohet jo vetëm i nevojshëm, por edhe ekonomikisht i justifikueshëm për të shmangur katastrofat fiskale në të ardhmen.
Plani shtrihet zyrtarisht deri në vitin 2036, por për shkak të natyrës së projekteve të mëdha infrastrukturore, disbursimet financiare parashikohet të vijojnë deri në vitin 2042.







