Nga Arjeta Kotrri (Ferlushkaj)
Më 23 nëntor 2025, në orën 14:00, në ambientet e “Tesoro d’Italia” në New York, nën organizimin e shoqatës “Malësia e Madhe”, u bë promovimi i romanit “Kthimi”, i shkrimtarit Fran Camaj. Në këtë përurim ishin të pranishëm, kryesia e shoqatës “Malësia e Madhe” bashkë me kryetarin Senad Ljulanaj, sekretari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, prof.dr. Bexhet Asani, z. Gjeladin Zeneli, studiues, lexues dhe dashamirës të librit si dhe miq e familjarë të autorit Fran Camaj.
Pjesë e panelit të këtij përurimi ishin: z. Mëhill Velaj, Gjeke Gjolekaj, Age Ivezaj, Arjeta Ferlushkaj Kotrri dhe Halit Nikaj. Ky aktivitet u drejtua nga z. Kolë Cacaj, i cili në fjalën e tij të hapjes, përshëndeti të gjithë të pranishmit, organizatorët në veçanti, panelistët dhe z. Pjeter Lucaj për mikpritjen në “Tesoro d’Italia”.
Z. Cacaj ftoi kryetarin e shoqatës “Malësia e Madhe”, z. Senad Ljulanaj për të bërë përshëndetjet e rastit. Z. Ljulanaj, mbasi përshëndeti të pranishmit në sallë dhe mbasi përgëzoi anëtarët e shoqatës për këtë organizim, uroi z. Camaj për librin më të ri. Ai ndër të tjera, kujtoi dhe falendëroi me mirënjohje të gjithë ata malësorë, përfshirë z. Camaj, të cilët, atëherë kur ishte më e vështirë se sot, punuan dhe dhanë kontributin e tyre për komunitetin shqiptar në Mal të Zi.
Z. Cacaj më pas ftoi studiuesen e letërsisë, n/kryetaren e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, znj. Arjeta Ferlushkaj Kotrri që të mbajë fjalën e saj të rastit. Znj. Kotrri, pasi përshëndeti të pranishmit, ndër të tjera shtoi: “Romani “Kthimi” nuk është thjesht një histori e lëvizjes gjeografike. Është një dokument shpirtëror mbi përpjekjen e njeriut për të mbrojtur dinjitetin, identitetin dhe ekzistencën e tij nën trysninë e një pushteti që synon t’i zhdukë. “Kthimi” i Fran Camajt është një roman që zhvendos lexuesin nga atmosfera më lirike dhe poetike e veprave të tij të mëhershme drejt një realiteti më të ashpër, tokësor dhe të trazuar. Në këtë vepër, Camaj eksploron dramën e spastrimit etnik dhe kthimin emocional tek rrënjët, por mbi të gjitha kthimin shpirtëror drejt vetes së vërtetë.”
Shkrimtari Mëhill Velaj, i dalluar për elokuencën e tij, u ndal fillimisht të përmendë emrat e krijuesve shqiptarë të malit të Zi, listë të cilën e hapi me shkrimtarin Fran Camaj, duke vazhduar me Lulash Palushaj, Anton Gojcaj, Anton Gjurashaj, Mark P. Lucgjonaj, Nikollë Berishaj, Age Ivezaj, Pashko R. Camaj dhe Valentina Gorvokaj. Më pas, z. Velaj lexoi një pjesë të kumtesës së tij titulluar “Kthimi i terësisë shpirtërore në hartat e kujtesës dhe tokën se ku rritej e shuhej tradita” dhe me pas ftoi të pranishmit që të plotë, shkrimin e tij, ata mund ta lexojnë tek gazeta “Dielli’. Në trajtë përfundimi, z. Velaj u shpreh se “Ky roman është romani për fjalën e gjallë, lirinë dhe mohimet njerëzore. Reminishenca që dhëmb derinë palcë për një jëtë të kaluar si në endërr të shuar dhe një etni që nuk perqafoi ëndrrën e tij në plotni. Ky roman ta kujton thenien: “Erdha, pashë dhe fitova” të Cezarit, por fitoret nuk na takojnë dhe përqafojnë të gjithë neve. Pengu i kujtesës vret si hije autorin dhe dramën kolektive që e shoqëroi tërë jetën rrëfimtarin e këtij romani. Romani “Kthimi” është kthimi tek drama e kujtesa jonë kolektive por edhe e autorit Camaj, i cili asnjëherë nuk e tradhëtoi misionin i tij letrar”.
Shkrimtarja dhe aktivistja, znj. Age Ivezaj, në kumtesën e saj për romanin “Kthimi”, ndër të tjera përfundon: “Në këtë vepër, autori Fran Camaj, artin e fjales e kthen ne dhimbje kolektive dhe në kujtesë, duke e bërë romanin një vepër me vlera letrare dhe historike. Romani “Kthimi” sikurse edhe veprat e tjera letrare të shkrimtarit Fran Camaj, janë udhëtim i thellë në shpirtin njerëzor dhe në botën shqiptare, të cilat i lexoj me kënaqesi”. Në përfundim të kumtesës së saj, zonja Ivezaj bëri një zbulim të ndjerë dhe emocionues sa i takon personazhit kryesor të romanit, Mark Gjeka: “Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për profesorin tim të nderuar Fran Camaj, i cili në romanin “Kthimi” zgjodhi të ndjerin kushëririn tim, Mark Gjekën, si personazhin kryesor, duke i dhënë figurës së tij një dimension te lartë njerëzor dhe duke e perjetësuar në faqet e letërsisë shqipe”.
Fjalën e radhës e mbajti z. Halit Nikaj, i cili, mbasi kishte bërë një analizë të detajuar të romanit “Kthimi”, ndër të tjera u shpreh: “Romani është shkruar me një gjuhë të thjeshtë, të artikuluar bukur dhe mesazhet që kërkon të përcjellë tek lexuesi, transmetohen në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Romani përfshin periudhën që nga koha e mbretërisë serbo-sllave e Jugosllavisë komuniste e deri tek shkatërrimi përfundimtar i kësaj krijese famëkeqe për ne shqiptarët. Përmes kësaj narrative dhe personazheve në të, autori përshkruan me mjeshtëri vuajtjet, kalvarin dhe tragjedinë që kanë përjetuar gjenerata të tëra të shqiptarëve në këto regjime ç’njerëzore, së pari monarkia e pastaj komunizmi jugosllav. Në këtë roman jepen edhe përplasjet mes traditës dhe modernitetit. Autori përdor me mjeshtëri teknikën e flash-back-ut, rikthimin në kohë, duke përshkruar kohë e gjendje të ndryshme që kanë përshkuar gjenerata të tërë shqiptarësh nën mbretërinë serbo-sllave”.
Ish-gazetari i “Zërit të Amerikës”, z. Gjekë Gjonlekaj, mbasi shprehu konsideratat më të larta për njeriun dhe intelektualin Fran Camaj, tha për romanin se “Ky është një libër shumë serioz dhe duhet bërë një vepër gjithëkombëtare, në kuptimin që duhet lexuar nga të gjithë, edhe lexuesit në Kosovë e sidomos nga të rinjtë. Vepra është shkruar bukur, nuk ka fjalë të huaja në të, është pasurim i gjuhës së vendlindjes, Malësisë së Madhe.” Dhe ndër të tjera, iu drejtua komunitetit shqiptar dhe sidomos shoqatave shqiptare në diasporë që të promovojnë shkrimtarët shqiptarë, në nivel mbarëkombëtar dhe propozon të themelohet një lidhje e shkrimtarëve të Malësisë.
Drejtuesi i këtij aktiviteti, z. Kole Cacaj, ftoi të thonë përshëndetjet e tyre në këtë rast edhe zotërinjtë Nikollë Junçaj dhe Dedë Camaj. Z. Junçaj u ndal më së shumti tek ndikimi që pat figura e Fran Camaj si mësues, duke e falënderuar me mirënjohje të thellë për pasionin për gjuhën dhe letërsinë shqipe që ka ditur të përcjellë tek nxënësit e tij pergjatë karrierës së tij si arsimtar. Ai përmendi se vetëm falë përkushtimit të mësuesit Fran Camaj, ai vetë u frymëzua të vazhdonte studimet për pedagogji.
Ndërsa, z. Dedë Camaj, në cilësinë e familjarit të autorit, e uroi dhe e falënderoi Fran Camaj për gjithçka ka dhënë për komunitetin shqiptar. Ai shprehu krenarinë e tij për figurën e Camaj dhe guximin e tij për t’i qëndruar besnik parimeve të familjes dhe parimeve të tij personale si intelektual.
Në prag të mbylljes, moderatori i aktivitetit, z. Cacaj, ftoi autorin që të mbajë fjalën e rastit. Me modestinë që e karakterizon, z. Fran Camaj falënderoi të pranishmit dhe sidomos kumtuesit për kohën dhe vëmendjen që i kanë kushtuar veprës së tij. Një falenderim të veçantë ai bëri për kryesinë e shoqatës “Malësia e Madhe”, e cila gjithmonë ka udhëhequr në organizimin e përurimeve të të gjithë veprave të tij. Z. Camaj shprehu mirënjohjen edhe për mikpritjen nga ana e z. Pjetër Lucaj.
Në përfundim, Fran Camaj u shpreh: “Më kanë pyetur shumë se nga më erdhi idea për ta shkruar këtë vepër dhe dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.
Në vitet 80’, atëherë punoja në Radio Titograd, siç quhej dikur, dhe një plak rreth 80-vjeçar, ma tregoi këtë ngjarje, se si një malësor me emrin Mark Gjeka, u bë kolonizator në Kosovë, pa e ditur krejt të vërtetën. Kur e ka marrë vesh çfarë fshihej pas kësaj, ka kërkuar vetëm një javë kohë qe të bëhet gati për t’u rikthyer në vendlindje”. Pikërisht, kjo ngjarje e vërtetë, e rrëfyer shumë vitë më parë, u bë lajtmotivi dhe shtysa që “Kthimi” të shohë dritën e botimit.
Mbas përshëndetjeve përmbyllëse nga z. Cacaj, në fund të aktivitetit, u shtrua një drekë për të pranishmit, sponsorizuar nga pronarët e restorantit “Tesoro d’Italia”, vëllezërit Lucaj, transmeton Gdielli.




