-2.4 C
Zurich
Friday, November 28, 2025
spot_img
spot_img

Shkollat Shqipe “Alba Life” valëvitën Flamurin Kombëtar gjer në qiell në Staten Island

Duhet ti lexosh

Nga Keze Kozeta Zylo

Flamur që lint Shën Kostandinin/ Pajton Islamn’ e Krishtërimin/ Çpall midis feve vllazërimin/ Flamur bujar për Njerëzi. Fan Noli

Shkollat Shqipe në Staten Island, Brooklyn dhe Queens dhanë një koncert madhështor në auditoriumin e Shkollës Publike Amerikane Ps:42 në Staten Island, ndërsa shkollat e tjera si Bronx, Online do të performojnë në shkollat e tyre, për shkak të numrit të madh të nxënësve. Edhe në Albany gjëmoi shqip Alba Life në të njejtin orar në shkollën publike amerikane.

Çfarë krenarie!

Nuk ka më shqip dhe më atdhetare se sa të festosh dhe të përkujtosh këtë ditë të shenjtë të Kombit Shqiptar bashkë me nxënësit e Alba Life. Kur i them këto dy fjalë Shqip dhe Atdhetare në ndërgjegjen time si një mësuese me një përvojë të jashtëzakonshme midis dy kontinenteve merr një kuptim shumë special. Duke qenë se mijëra fëmijë po lindin dhe po rriten jashtë trojeve shqiptare ka qene detyre imediate për t’ju mësuar fëmijëve në mërgatë gjuhën e nënës dhe për të hapur shkollat Shqipe “Alba Life” 19 vjet më parë pikërisht në këtë fidanishte në Staten Island siç do ta quajmë dhe pagëzuar përgjithmonë e cila ishte mikpritësja për Flamurin Kombëtar.

Ne vërtetë u larguam nga Atdheu, por Flamurin, Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet i morëm me vehte ndoshta dhe për të filluar bashkimin: Ja këtu në Amerikë, Mërgatë. Flamuri është shtëpia jonë, Atdheu, oxhaku i zjarrit, prushi i pashuar, ballkoni ku ngrejmë Flamurin gjer në kupë të qiellit, ura që bashkon gjithë brigjet ku ka shqiptarë. Flamuri na mbledh të gjithëve duke na ftuar si tek kënga e famshme e Mihal Gramenos: Eja mblidhuni këtu këtu!

Kombi ynë e fitoi Pavarësinë, më 28 Nëntor 1912 duke u shkëputur nga Perandoria Osmane. Plaku i urtë Ismail Qemali bashkë me Is Boletinin dhe gjithë burrat e tjerë të ndritur të Kombit ngritën Flamurin në Vlorë dhe që atëhere Shqipëria është shtet i pavarur.

Familjarisht e kemi filluar që prej gati 30 vjet në Diasporë ku themeluesi i TV dhe shkollave Shqipe “Alba Life” Qemal Zylo e ka organizuar dhe festuar me madhështi me studentët Flamurin Kombëtar filluar me kolegjet ku ka dhënë mësim si në Bramson në Brooklyn, Globe Institute në Manhattan dhe prej 19 vjetësh ne e festojmë këtë ditë bashkë me nxënësit, sepse mbajmë amanetin e të parëve, të Rilindasve tanë, amanetin e Fan Nolit që aq mjeshtërisht i këndoi Flamurit: O Flamur gjak, o flamur shkabë/ O vënd e vatr’ o nën’ e babe/ Lagur me lot, djegur me flagë/ Flamur i kuq, flamur i zi/ Flamur që lint Shën Kostandinin/ Pajton Islamn’ e Krishtërimin/ Çpall midis feve vllazërimin/ Flamur bujar për Njerëzi.

7 Shkollat e Alba Life si në Staten Island, Brooklyn, Manhattan më parë, Queens, Bronx, Albany dhe në Online të ngritura në gjithë Nju Jorkun deri në Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut, peshojnë sa 7 kala. 19 vjet mësim Shqip pa u ndalur qoftë dhe një sekondë nga programi ynë, 19 vjet shqip, mund, djersë, beteja të barabarta dhe të pabarabarta dhe të gjitha këto janë kthyer në qendra të florinjta këtu në Mërgatë si shkronjat e arta të Gjuhës sonë.

Ky program serioz, skrupuloz dhe professional nuk do të kishte sukses pa mësueset e talentuara si Entela, Elona, Fatlinda, Rozeta, Helena, Erinda, Migena, Genta, Nazlie, Kristianthi, Edvina, Gresila e shumë të tjera para tyre, por po përmend vetëm për sivjet, vitin akademik 2025-2026 që ka filluar që në shtator. Nderimet tona shkojnë për z. Amir Suka drejtor i programit të TV Alba Life bashkë me eikpin e tij simpatik dhe djalin e tij të talentuar Aaron, Inxh. Odise Salillarin DJ qysh në fillim ka qenë dhe ka mbështetur Alba Life, Enes Basha me kamerën në krah për Alba Life, nje djalë që premton shumë e të tjerë…

Nderimi për Flamurin Kombëtar filloi me Himnet kombëtare shqiptare dhe amerikanë nga kori i Alba life dhe gjithë publiku të cilët ishin shumë të emocionuar të dëgjonin fëmijët e tyre në skenë duke kënduar dhe vallëzuar shqip. Mësuese Lavdie Misku e cila ka dhënë mësim për disa vite në Brooklyn tha se ndjehej shumë e emocionuar dhe ky koncert artistik më coi në vitet e hershme të punës sonë në klasa. Ndihem shumë krenare vazhdoi mësuese Lavida duke na uruar bashkë me Birin e saj suksese të mëtejshme. Më besoni më tha një gjyshe e cila ka tri vjet që e sjellë nipin e saj, nipi im vetëm I-padin përdorte në shtëpi, tani e harxhon kohën me detyrat, ushtrimin e këngës shqipe dhe vallet nëpër dhomë, pasi i ka hyrë sedra që do të jetë bashkë me shokët dhe do kush e kush të jetë më mire si grup. Një prind tjetër më tha se jo vetëm fëmijët që janë lidhur me njeri tjetrin, por edhe ne prindërit na ka lidhur Alba Life dhe jemi bërë shumë miq.

Programi artistik për koncertin madhështor

Kori i Alba Life e vazhdoi programin me këngën aq të dashur: “Ty Flamur të duam shumë”. Vallja e Flamurit u interpretua nga nxënëset e klasës se më të rriturve në Staten Island të cilat e intepretuan mjeshtërisht. Ato ishin motrat Martini, Qoku dhe Gjonbalaj. Veshur kuq e zi si vetë titulli i valles ato ndriçuan dhe rrëmbyen duartrokitjet nga publiku.

Në skenë hynë shqiponjat e Alba Life të fidanishtes në Staten Island me mësuesen Elona Shkreta e cila mëson grupin e më të vegjëlve. Mësuese Elona e hapi programin me këngën: “Me flamurin në zemër”

Besa dhe Andre Sejdaras: Gjuha Shqipe/ Leandro Agolli: Atdheu yne i shtrenjtë/ Arlind Sadiku/ Kuq e zi/ Fjord Qosja/ Shqip do flas/ Art Qosja: Ngrita Flamurin/ Gabriel Gjoni: Ti Shqipëri më jep nder/ Ryan Leka: Jam Pellazg/ Elisa dhe Detar Kamble: Festa e Flamurit/ Bora Alikaj: Kur Kërcej unë vallen Çame nga shkrimtarja K. Zylo/ Tumankuqe Valle Çame.

Mbas mësuese Elonës në skenë erdhi mësuese Entela Muda e cila ka grupin e më të rriturve.

Sa të Dua o Shqipëri nga Asdreni-Jasmine/ Shqipëri o Jetëgjatë nga Naim Frashëri- Arbi Alikaj/

Flamuri nga Donika, Jonida, Veseli, Brian. Laura Leka: Sa e dua Shkollën Shqipe! Nxënësit e mbyllën programin me: “Vallja e Katjushës”.

Shkolla Shqipe në Brooklyn e filloi me klasën e më të vegjëlve përgatitur nga mësuese Rozeta Daci Hyseni. Kënga: “Nje zogu unë iu luta dhe kërcimi me improvizim: Erdhi mami ne shtëpi u interpretua bukur nga yjet e kësaj klase.

Klasa e më të rriturve përgatitur nga mësuese Fatlinda Bajçinca Gashi dha programin si

Dramatizimi i Shpalljes së Pavarësisë ishte nje sukses I merituar ku në rolin e Plakut Ismail Qemali ishte Kleanth Hyseni, si Isla Boletini ishte Rilind Shehu, si Luigj Gurakuqi ishte Rexhep Sylaj dhe Marigjoja ishte Fiona Vuçetaj.

Betimi i Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Mëmëdheu nga Andon Zako Çajupi – u intepretua nga të gjithë nxënësit. Recituan poezi: Gjuha Shqype- Gjergj Fishta, Aria Merkaj/ Epika- Kosova është gjaku im që nuk falet, Gent Agolli/ Aria Stoja Atdheu/

Vallet: Baresha: instrumental/ Dem Baba Dem: interpretuar nga gjithe klasa.

Nxënësit e Shkollës Shqipe Queens përgatitur nga mësueset Genta Cakaj dhe Nazlie Djaloshi të cilat i janë bashkuar programit prestigjioz me dashuri dhe profesionalizëm sollën në skenë nxënësit si: Herla Rrasa: Sa të dua o Shqipëri/ Amelia Djaloshi: O Flamur i dashur/ Sara Djaloshi: Shqiponja/ Hape krahët fluturove: këngë Ajsel Rrasa

Vallja e Tropojës u realizua bukur nga shumë nxënës. Vlen të përmendet dhe ndihma nga studentja e shkëlqyer e vitit të dytë Blenda Shehu e cila ka qenë nxënëse pranë Alba Life me vite ndërsa tani vjen me dëshirë të jetë pranë mësuese Fatlindës, pranë familjes së madhe “Alba Life”.

Krenari që Vallja e Tropojës intepretohet për 19 vjet në Familjen e Madhe “Alba Life”, nëpër klasa dhe në skenat e Nju Jorkut.

“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

Programi u mbyll me Vallen e pogonishtes dhe Vallen e pipëzave ku mësues, nxënës vallëzuan së bashku nen tingujt e DJ Salillari.

Programi u filmua dhe fotografua nga z. Amir dhe Aaron Suka.

Ishte një mbrëmje e bukur arti, jo me yjet e Hollivudit, por me Yjet e Alba Life Ambasador i Kombit që punojnë me profesionalizëm, përkushtim dhe atdhedashuri që Gjuha Shqipe mos të humbas nëpër udhët e emirgrimit, por të jetë pasuri dhe të ruhet si thesar, sepse Gjuha Shqipe është “Ashti I Kombit!

Gëzuar Shqiptarë Ditën e Shenjtë të Flamurit!

Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”. /GD

22 Nëntor, 2025

Staten Island, New York

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit