4.3 C
Zurich
Friday, November 28, 2025
spot_img
spot_img

Times Square “vishet” kuq e zi për 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit

Duhet ti lexosh

NGA: BEQIR SINA – NEW YORK

Festimi, në të ashtuquajturën zemër e botës “Times Square” në New York City, u mbulua tërësisht nga ngjyra kuq e zi. Mbrëmjen e 22 nëntorit 2025, në kuadër të Muajit Shqiptar dhe 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, organizata Albanian Roots – Rrënjët Shqiptare, me president z. Marko Kepi, Bujar Gjata, Bedrana Duka dhe “Mjeshtren e Madhe” Agjelina Nika, organizuan paradën e makinave shqiptare në zemër të Manhattan-it, duke e shoqëruar me një spektakël kulturor njëorësh pikërisht në Times Square.

Dhjetra makina të stolisura me flamuj shqiptarë dhe amerikanë parakaluan nëpër Broadway dhe Seventh Avenue, ndërsa në mes të sheshit legjendar u shpalos edhe një flamur gjigand kuq e zi.

Valltarë dhe këngëtarë të rinj të grupit “Albanian Roots Dancers”, me veshje tradicionale, kërcenin me pjesëmarrësit vallen e Tropojës, Labërisë dhe Çamërisë nën dritat vezulluese neon. Turistë nga të katër anët e globit, njujorkez dhe vizitorë të tjerë ndalonin të mahnitur, bënin foto dhe video; disa madje pyesnin: “I cilit vend është ky flamur dhe kjo festë që ka kaq shpirt dhe kaq shumë bukuri?”

Për një orë të tërë, Times Square në qendër të saj u mbush me flamujt kuq e zi dhe u bë një “Shqipëri e Vogël” në zemër të Nju Jorkut. Flamujt kuq e zi valëviteshin krah për krah me Stars and Stripes, si simbol i dashurisë së dyfishtë për vendlindjen dhe për Amerikën që na strehoi. Atmosferë festive dhe britmat “Jam krenar që jam Shqiptar!” dhe “Albania! Albania! USA! USA!”, u bashkuan në një kor të vetëm në Times Square.

Rrënjët Shqiptare: nata e flamurit kuq e zi në Times Square (22 nëntor 2025) nuk ishte fundi, ishte vetëm fillimi.

Në kulmin e festës, në një billboard, z. Marko Kepi dhe drejtuesit e Albanian Roots, z. Bujar Gjata dhe znj. Bedrana Duka, shpallën lajmin që do të hyjë në histori: New York Yankees, ekipi më legjendar i bejsbollit amerikan, do t’i kushtojë një ndeshje të tërë komunitetit shqiptaro-amerikan!

Ngjarja, sipas tyre, do të jetë më 19 maj 2026 në Yankee Stadium dhe do të quhet Dita Zyrtare e Trashëgimisë Shqiptare, e cila mbahet për herë të parë në një stadium amerikan, ku një skuadër e Major League Baseball i dedikon edhe një ndeshje të plotë një komuniteti etnik, si komuniteti shqiptar në Nju Jork.

Do të ketë rast, thotë organizata Rrënjët Shqiptare, të zhvillohet edhe një paradë shqiptare brenda fushës legjendare, ku pjesëmarrësit do të mbajnë kapela dhe bulza me dy simbole “Yankees me flamurin kuq e zi” (edicion i kufizuar falas), seksion të madh kuq e zi dhe përvojë VIP për të gjithë ata që blejnë biletat vetëm përmes linkut zyrtar të Albanian Roots.

Rrënjët Shqiptare: “Është momenti të tregojmë botës se sa të mëdhenj jemi kur jemi të bashkuar.”

Nga Times Square te Yankee Stadium, thotë Rrënjët Shqiptare, rruga është e hapur dhe na pret. Tani është radha juaj që të bleni biletat, të vishni fanellat kuq e zi, të merrni fëmijët dhe këdo tjetër, dhe të marshoni krenarë në fushën ku kanë luajtur legjendat amerikane të bejsbollit Babe Ruth dhe Derek Jeter.

Albanian Roots – Rrënjët Shqiptare thotë: Le të mos jetë kjo vetëm një natë kujtimesh, por fillimi i një tradite të re, ku çdo shqiptar në Amerikë ndihet më i fortë, më krenar dhe më i bashkuar se kurrë, edhe Yankee Stadium të bëhet një ditë kuq e zi para dhjetra mijërave tifozëve të skuadrës së tyre të zemrës, Yankees./BS

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit