Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Forumin e Biznesit Shqipëri–Japoni 2025, i mbajtur në Tiranë. Gjatë fjalës së saj, Ministrja vuri në dukje marrëdhëniet historike dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Japonisë, duke pasur parasysh mbështetjen e vazhdueshme përmes projekteve të JICA-s, të cilat kanë pasuruar sektorë të ndryshëm si bujqësia, infrastruktura, mjedisi dhe shëndetësia.
Ministrja Ibrahimaj foli për momentin e rëndësishëm të zhvillimit që po kalon Shqipëria, duke theksuar se reformat strukturore, digjitalizimi i administratës dhe përmirësimi i klimës së biznesit kanë hapur mundësi të reja për investime.
Ibrahimaj e cilësoi këtë periudhë si një mundësi të shkëlqyer për përparimin e sektorëve kyç, veçanërisht në energji dhe infrastrukturë, si dhe për adoptimin e teknologjive inovative që mund të kontribuojnë në transformimin e ekonomisë.
Në vazhdim, Ministrja u shpreh për rëndësinë e forumeve të tilla si mundësi për të ndërtuar lidhje të forta mes bizneseve shqiptare dhe japoneze.
“Qeveria shqiptare mbetet plotësisht e angazhuar të mbështesë çdo iniciativë që sjell investime, teknologji dhe ekspertizë japoneze në vendin tonë. Ne jemi të gatshëm të punojmë krah për krah me kompanitë japoneze për identifikimin e projekteve me interes të përbashkët; lehtësimin e procedurave administrative; ofrimin e mbështetjes institucionale; dhe krijimin e kushteve konkurruese për investime afatgjata”, deklaroi Ibrahimaj.
Përveç kësaj, Ibrahimaj foli për potencialin e sektorit privat shqiptar, i cili është dinamik dhe ka një fuqi punëtore të aftë për të udhëhequr zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovativ.
Në lidhje me investimet, Ministrja Ibrahimaj ndau shifra të rëndësishme, duke përmendur se stoku i investimeve direkte japoneze në Shqipëri gjatë periudhës 2019-2024 ka lëvizur nga 0,11 deri në 0,3 milionë euro. Po ashtu, eksportet shqiptare drejt Japonisë arritën në mbi 8,4 milionë dollarë në vitin 2024, ndërsa importet nga Japonia kapën vlerën e 41,9 milionë dollarëve.
Ministrja shprehu bindjen se ky forum do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe do të hapë mundësi të reja për projekte të suksesshme, transmeton rtsh.




