Nga Dashnim HEBIBI, Zvicër
Në këtë jetë që na është dhënë pa na pyetur,
ku ecim si udhëtarë pa hartë
në një botë që nuk e krijuam vetë,
kaosi nuk është thjesht rëmujë—
ai është pasqyra jonë.
Një pasqyrë që nuk fal,
që na tregon se kush jemi vërtet
kur hiqen petat e moralit
dhe nën lëkurë shfaqet njeriu i zhveshur.
Shoqëria mbulohet me mjegull
jo sepse dikush e solli,
por sepse vetë mendjet tona e prodhuan.
Ne jemi mjegulla.
Ne jemi humbja.
Ne jemi ata që vrapojmë në një terr,
duke kërkuar dritë nga ata
që janë po aq të humbur sa ne.
Njerëzit ndjekin emra të mëdhenj
si fëmijët që ndjekin hijen e tyre
pa kuptuar se ajo zhduket në perëndim.
Lavdia është hija e një hijeje—
pa trup, pa thelb,
thjesht një iluzion që e ushqen mendjen
me shpresë të rreme.
E para?
Ajo nuk është armik.
Është provë.
Një test i vjetër sa vetë njeriu
që shumë e dështojnë
sepse mendojnë se mund ta blejnë
atë që vetëm jeta ta jep:
qetësinë, dinjitetin, vlerën e vërtetë.
Femrat, epshi, bukuria—
edhe ato janë provë,
jo mall.
Epshi nuk është zjarr që digjet jashtë,
por një zjarr që djeg brenda,
që të mëson kufirin
mes dëshirës dhe humbjes së vetes.
Posti, pushteti—
janë karrige bosh
derisa dikush ulet mbi to
dhe harron se edhe ai
është thjesht një kalimtar i përkohshëm
në një botë që s’e zotëron.
Njerëzit ngjiten në majë
duke harruar se çdo majë
është thjesht fillimi i zbritjes.
Dhe marrëzitë?
Ato janë simfoni që njeriu e luan vetë
kur mendja i lodhet nga kërkimi i kuptimit.
Njeriu prodhon marrëzi
sepse është i frikësuar nga zbrazëtia e vet.
Nga pyetja më e vjetër e universit:
Kush jam unë?
E pra, ç’është kjo?
Kjo jetë?
Kjo rremujë?
Ky kaos që duket sikur sundon gjithçka?
Është një teatër i pambaruar
ku loja vazhdon pa skenar,
ku aktorët e harrojnë rolin,
ku maskat bien
dhe ngrihen sërish
derisa njeriu kupton—
ndoshta shumë vonë—
se e vetmja gjë që ka vlerë
është qartësia e brendshme,
ajo dritë e vogël
që nuk shuhet
edhe kur gjithë bota rrëzohet,
Zot na fal!
Sepse në fund të mjegullës,
nën kaos, poshtë rrëmujës,
qëndron një pyetje e qetë, e përjetshme:
A je ti vetja, apo veç pasqyrë e botës?
Nëntor, 2025




