4.1 C
Zurich
Thursday, November 20, 2025
spot_img
spot_img

Luigj Gurakuqi krahu i fuqishëm i plakut diplomat Ismail Qemali

Duhet ti lexosh

Prof. As. Dr. Bernard Zotaj

Ka lindur në Shkodër, më 19 shkurt 1879. Babai i tij Pjetër Gurakuqi ishte bërë i njohur me tregtinë në brigjet e Mesdheut. Luigji ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian. Në edukimin e tij ndikuan intelektualët e njohur të qytetit si Anton Xanoni e Gaspër Jakovi.

Në vitin 1879, vijoi mësimet në liceun e Shën Adrianit të Kalabrisë. Në bankat e kësaj shkolle u njoh me Leonardo De Martinin dhe Jeronim De Radën. Nga takimet e tij me De Radën hartoi artikullin “Jeronim De Rada në Shqipëri”, ku shkruan: “Realiteti i ashpër shumë larg nga idea e lartë e madhështore që kisha krijuar për gjendjen e poetit të pavdekshëm, m’i mpiu për një çast ndjenjat dhe më ëmbëlsoi kujtesën. Nuk arsyetoja më, më dukej sikur isha në ëndërr”. Nga takimet e bisedat me mësuesin e tij De Rada në Maki, mësoi për korespondencën që kishte me Sami Frashërin dhe Naim Frashërin.

Në vitet 1901-1906, kreu stu- dimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Napoli. Pas tre vjetësh i ndërpreu studimet dhe vijoi në degën e Shkencave Fizike e Natyrale.127 Në Napoli krahas vjershërimeve botoi edhe “Vargënimi në gjuhë shqype me një fjalorth shqyp-frengjisht me marim” 1906, “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime në dy dialektet”, si dhe “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja”. Pas Thirrjes së vitit 1904, që hartoi në Napoli dhe e shpërndau ndër shqiptarët e botës “për një abe të unjishme”, bien në sy edhe artikujt e tij në gazetën “Albania” me titull “Gjuha e shkencave” dhe “Për themelimin e të një gjuhe letrare”.

Rreth vitit 1905-1906, u takua me Ismail Qemalin. P. Tako shkruan: “Te Ismail Qemali, Gurakuqi gjeti plakun e mençur, të urtë e diplomat, ashtu si Ismail Qemali gjeti te Gurakuqi një njeri energjik, guximtar dhe plot vrull rinor”. Në vitin 1907, bashkëpunoi me Bajo Topullin dhe Komitetin e Fshehtë të Manastirit për organizimin e kryengritjes antiosmane. Botoi mjaft artikuj në gazetat “Albania”, “Kombi”, “La Nuova Albania”, “Kalendari Kombiar” dhe “Drita”, herë me emër e herë me pseudonimet Jakin Shkodra, dhe Lekë Gruda. Hartoi e botoi edhe librin “Kndime t’para për Msojtore Filltare t’Shqypnisë”. Së bashku me Bajo Topullin shkuan në Paris, ku u takuan me Alardo Kastriotin e që andej u hodhën në Kotorr për organizimin e Kryengritjes antiosmane.

Më 14 nëntor 1908, mori pjesë si përfaqësues i Shkodrës dhe i Arbëreshëve të Italisë, në Kongresin e Manastirit. Në këtë kongres u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Në Kongresin e Elbasanit 1909, Këshilli Administrativ dhe Shoqëria “Përparimi” e ngarkuan me detyrën e drejtorit të Shkollës Normale. Bashkëpunoi me atdhetarët e shquar: Nikolla Kaçorri, Hilë Mosi, Gjergj Qiriazi, Gjergj Fishta, Josif Bageri, Shahin Kolonja, Mihal Grameno, Ndre Mjeda, Simon Shuteriqi, Mati Logoreci etj.

Në vitin 1911 shkoi në Itah, Bukuresht e Stamboll për pro- pogandimin e kryengritjes antiosmane në viset veriore të Shqipërisë. Në gazetën “Dielli” shkruhet: “I shkëlqyeri atdhetar Luigj Gurakuqi u kthye nga Europa në Stamboll”. Ai ishte udhëheqësi shpirtëror i kryengritjes së Malësisë së Mbi-shkodrës. Memorandumi i Gërçes është vepër e Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qemalit. Krerët shqiptarë të mbledhur në Gerçë bashkë me L. Gurakuqin shtruan problemin: “Ne shqiptarët ma të parët nisës e themelonjës të qeverimit konsistucional, u bamë ma e para therori e kësaj politike të niarrë”.

Në fund të qershorit 1911, I. Qemali e L. Gurakuqi u takuan me Mbretin e Malit të Zi. Pas kryengritjes antiosmane të vitit 1911, ata u vendosën në Nisë të Francës, ku krijuan “Komitetin Qendror” të Lëvizjes kombëtare. Sipas Gurakuqit kjo qendër ishte për t’i dhënë “Fytyrë fjesht kombëtare” lëvizjes kundër pushtuesit osman. I shoqëruar nga Sali Nivica, L. Gurakuqi vizitoi disa kryeqytete të Europës si: Vjenën, Sofien dhe Bukureshtin. Në Bukuresht u njoh e u takua edhe me Fan S. Nolin. Pas kthimit të I. Qemalit nga Londra dhe Parisi u bashkuan përsëri në Nisë. Gurakuqi e këshilloi I. Qemalin të shkonte në Stamboll, pas kërkesës së deputetëve shqiptarë, për organizimin më të mirë të Lëvizjes Kombëtare.

Pas takimit të Taksimit (Stamboll) zhvilloi veprimtari të gjerë për organizimin e kryengritjes antiosmane në Kosovë e gjetkë. Në letrën që i shkruan Jani Vruhos nga Franca, Gurakuqi shënon: “Nesër do nisem për Gjenevë ku kemi një mbledhje e pastaj do të vete të zë vendin tim pranë kryengritësve”. Më 22 gusht 1912, me Ismail Qemalin, udhëtuan nga Triesta me anijen “Lloid” për në Shqipëri. Pas takimeve në Vlorë, Fier e gjetkë, I. Qemali e ngarkoi me detyrën të shkonte në Shkup e Gjakovë ku bashkëbisedoi me kryengritësit dhe Bajram Currin.

Në fund të shtatorit 1912, Gurakuqi gjendet në Stamboll ku takohet me I. Qemalin, R. Dinon dhe F. Nogën. Në nëntor të këtij viti shoqëroi I. Qemalin në Bukuresht, ku u takua me koloninë shqiptare dhe u vendos të krijohej “një komision me shqiptarë të ditur e të njohur”, për të mbrojtur të drejtat kombëtare shqiptare. Ishte krahu i fuqishëm i plakut diplomat në udhëtimin historik nga Bukureshti, Trieste, Durrës e Vlorë për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.

Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, në qeverinë e Vlorës u zgjodh ministër i Arsimit. Luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e arsimit kombëtar. Kontributi i tij i shquar u shfaq në tërë veprimtarinë e kësaj qeverie, në organizimin dhe drejtimin e saj. Bashkë me I. Qemalin, I. Boletinin e atdhetarë të tjerë shkuan delegacion në Europë dhe Londër për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare. Me të drejtë gazeta “Liria e Shqipërisë”, shkruante: “Në është për Ismail Qemalin një dorë e djathtë e tij dhe më i favorizuari nga ministrat e tjerë, për Shqipërinë është një xhevahir i paçmuar”. Në takimet që u zhvilluan në Londër, shtypi i kohës shënon se, në intervistat e I. Boletinit me të huajt “ndërmjetësi në përkthim ishte LuigjGurakuqi”. Duke denoncuar Konferencën e Londrës, ai do të shkruante: se populli shqiptar u bë theror i antagonizmës së Fuqive të Mëdha, të cilat “pa marrë në sy principin etnografik, diplomatic europiane u diftua gjithashtu e padrejtë dhe në kufijtë natyral e kufijtë gjeografikë”.

Fuqitë e Mëdha vendosën dërgimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), ku do të përfshihej edhe një delegat shqiptar. I. Qemali propozoi që kjo kandidaturë të ishte Gurakuqi, por nuk u pranua. Krahas përpjekjeve të mëdha për organizimin e arsimit “që ka një rëndësi kryesore në rilindjen e kombit shqiptar”, shkroi mjaft artikuj në gazetën “Përlindja e Shqipnies”. Në këtë gazetë u botua edhe fjala e tij në përvjetorin e parë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, 1913.

Largimin nga qeveria e Vlorës dhe lënien e vendit në dorë të KNK-së ai e quajti detyrë “për shpëtimin e Atdheut”. Në qeverinë e Princ Vidit në Durrës u ngarkua me detyrën e zëvendësministrit të arsimit. Në janar 1915, me Aqif Pashë Elbasanin u vendos në Shkodër, ku vazhduan veprimtarinë kombëtare. Mori pjesë në riorganizimin e klubit “Lidhja Kombëtare”. Me pushtimin e Shkodrës prej Malit të Zi u arrestua me Hilë Mosin e Aqif Pashë Elbasanin dhe u internuan në Mal të Zi. Në vitet e pushtimit austro- hungarez të vendit, kreu detyrën e drejtorit të Arsimit dhe ishte ndër drejtuesit e Komisisë Letrare (1916). Në vitin 1918, në Kongresin e Durrësit u zgjodh Ministër i Arsimit. Si anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris luajti një rol të madh historik.

Në vitet 1921-1924, punoi pa rreshtur për çështjen kombëtare dhe zhvilhmin e jetës politike të vendit, ishte deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar. Si bashkëpunëtor i Fan S. Nolit, Bajram Currit dhe Avni Rustemit, mbështeti Federatën “Atdheu”, shoqërinë “Bashkimi” dhe bënte pjesë në aleancën politike “Bashkimi i Shenjtë”. Në kabinetin e qeverisë së P. Evangjelit u zgjodh përsëri ministër. Si kundërshtar i hapur i A. Zogut kërkonte ndryshime të mëdha në jetën pohtike dhe ekonomike të Shqipërisë.

Në revolucionin demokratik të qershorit 1924, mori pjesë aktive dhe në qeverinë e Nolit u zgjodh ministër i Financave. Në këtë qeveri bëri përpjekje të mëdha për demokratizimin e jetës së vendit. Me dështimin e revolucionit të qershorit, emigroi në Itah, ku u vra pabesisht më 2 mars 1925, në Bari. Mbi varrin e tij, H. Prishtina tha: “Humbja e Gurakuqit asht një humbje shumë e madhe, nji humbje e paharrueshme jo vetëm për Shqipërinë e pavarur, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbesin jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme”. /Gdielli

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit