Nga Çun Lajçi, Prishtinë
Kam me marrë rrugë gegnisht, e rruga ka me kjenë e gjatë – ma e gjatë se dita, por jo ma e shkurtë se shikimi im që ka humbë aq shumë horizonte.
Kam me fluturue përmbi dete, jo pse kam krah, por pse njeriu s’rrin në nji vend kur zemra çohet nga gjumi.
– Jeta ka me mu zgjatë për aq sa e gjatë ka me kjenë kjo rrugë, se rruga ia jep njeriut nji grimë jetë, edhe kur jeta i tretet nga rruga.
Kam me rrugue gegnisht, gjatë e gjatë, por jo ma gjatë se ç’asht jeta e nji plaku, dhe jo ma e shkurtë se ç’asht kujtimi i nji çuni.
Kam me çue djersën e ballit n’dhe të huej, por bima ime e tretun përtej oqeanesh tash e sa mot, ka me u gëzue me zemrën e mallit, me kangën e plisit që zbardhon prej detit n’det.
Kam me përkundë vargun n’djepin e synit si dikur, e gjuhën e nanës kam me e ngjeshë përbrenda si kambanë që s’çahet.
Prej ditës që m’u shue bija ime, unë s’fluturova ma. Edhe rrugët e shkurta m’u banë të gjata.
Mbeta n’rrugicat e lagjës tue shkelë kujtimeve të mia, tue numërue stinët që asnjena s’i përngjau shoqës; që asnjena s’ma ktheu gëzimin që pata dikur.
Trupi u rrudh, por shpirti u ba edhe ma i randë, se shpirti i njeriut nuk lodhet prej viteve, por prej kujtimeve që nuk i len me u ulë askund.
I thashë vetes:
Mblidhi fijet e humbuna, si puplat e zogut të zi që i merr dimni me vete, e mos prit me t’i mbledhë kush tjetër. Fluturo gjatë – por vetëm aq sa t’ka mbetë jetë – e knoje këngën e fundit në fund të Oqeanit, se në nji fund e gjen njeriu edhe fillimin e vet.
Du me shkue gegnisht, në Kaliforni – se nji përmetar ma ka çelë konakun e zemrën. Due me pi nji kafe, e me thanë nji fjalë t’mirë për ditën e gëzimit, për pavarësinë e shtetit që më bani shqiptar. Se Shqipnia, ndonëse e vogël, kujt ia rrit trupin kujt ia rrit shpirtin, por mua asnjiherë mendjen.
– Më prisni, mërgimtarë, se due me ardhë me iu përqafue radhë-mbi-radhë, se njeriu që ka humbë shumë, përqafon ma fort.
Du me knue gegnisht: “Ani moj Shqipni…” jo pse ju s’dini, por pse unë s’di kangë tjetër, e kam me ju dhanë pak libra që t’i keni kur t’fryjnë ernat e Oqeanit, se fjala e shkrueme ban zjarr aty ku s’ka oxhak.
19.11.2025




