Ali Ahmeti, një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke folur në tubimin krah veteranëve të luftës në Tiranë, tha se ajo dëshmoi mbështetjen unanime të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës.
Duke e konsideruar Gjykatën Speciale ku po hetohen disa nga ish-komandantët dhe shtetarët kryesorë të Kosovës, Ahmeti deklaroi se e gjithë akuza ndaj atyre ka trillin në zanafillë.
“T’i themi gjërat troç. Zanafilla e Gjykatës Speciale të Kosovës është me raportime trilluese ruso-serbe për trafikim organesh, që bëri bujë padrejtësisht në botë. Këtë çështje inekzistente, që doli nga kuzhina e shërbimeve serbe me institucione ruse, e hetoi edhe Tribunali i Hagës dhe konstatoi që nuk është e vërtetë, dhe mbylli hetimet.
Kohë më pas Dick Marty e riaktualizoi mediatikisht këtë temë përsëri me porosi ruso-serbe dhe inicioi miratimin e raportit në Këshillin e Europës, që detyroi themelimin e Gjykatës për të hetuar trafikimin e trilluar të organeve. Pra, kjo Gjykatë u themelua që të zbardhë pretendimet për trafikim organesh me mandat nga 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Kjo Gjykatë u themelua nga vetë Kosova me qëllim që t’ia mundësojë Serbisë që nëpërmjet Rusisë ta themelojë atë në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe të rikthejë UNMIK-un, ku Rusia ka të drejtë vetoje.
Kur u hetua që çdo gjë ishte një trillim propagandues për ta nxirë imazhin e ushtrisë tonë çlirimtare, Prokuroria nxitoi dhe përpiloi një aktakuzë tjetër ditën kur në Uashington, në prezencën e presidentit Trump duhej të nënshkruhej marrëveshja për njohje të ndërsjelle midis Kosovës dhe Serbisë, dhe përfundimin e hasmërisë shekullore pa ndarje dhe shkëmbim territoresh.
Sot të gjithë jemi dëshmitarë se akt-akuza s’ka të bëjë më një trafikim organesh, por është një riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Ramushit, Fatmirit e të tjerëve. Sot ata po gjykohen si çlirimtarë, si njerëz që e kanë kapur pushkën për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe popullin e vet nga gjenocidi serb. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftë dhe asnjëherë nuk ka shkelur ligjet e luftës,” tha Ahmeti, transmeton rtsh.