Nga: Prof.dr.Xhavit LIPAJ, Zvicër
Çka delë prej macës, hanë mijë,
një fjalë e vjetër,
një plagë e re.
Se edhe sot,
macet nuk gjuajnë vetëm nëpër stalla,
ato gjuajnë në parlament,
në zyra të mbushura me tym cigareje,
në bankat ku numërohet gjaku i punëtorit,
në oborret ku drejtësia shitet për monedha të fëlliqura.
Çka lind nga një hajni,
trashëgon urinë për pasuri të huaja.
Çka lind nga një pushtet,
trashëgon etjen për gjak të pafajshëm.
Çka lind nga një gënjeshtar,
rritet me gjuhë të mprehtë e me zemër të boshatisur.
Në këtë vend,
maca nuk është më vetëm macë,
ajo ka emër, mbiemër, tituj, diploma,
ajo ka biznese të ndërtuara mbi varre,
ajo ka banka që hanë rroga,
ajo ka televizione që ushqejnë trurin me helme.
Dhe miu?
Miu është populli.
Ai që gjithmonë vrapon i frikësuar,
që gjithmonë e ha grurin e thërrmuar,
që gjithmonë e pëson.
E filozofia bëhet tmerr:
në vend që të mësojmë të thyhet zinxhiri,
ne e kemi shndërruar atë në ligj të heshtur.
“Çka delë prej macës, hanë mijë”,
pra, mos prit ndryshim,
se gjaku trashëgon vetëm etje për pushtet.
Por unë pyes:
a është kjo natyrë, apo është turpi ynë?
A lind njeriu grabitqar, apo e bëjmë ne të tillë, kur ia dorëzojmë karrigen,
kur ia duartrokasim fjalën,
kur e lejojmë të gëlltisë jetën tonë si mi të pafajshëm?
Nëse ky proverb është e vërteta,
atëherë jemi të humbur.
Por nëse është mallkim,
atëherë duhet ta thyejmë.
Se jo çdo bir hajni duhet të bëhet hajn,
jo çdo bijë pushteti duhet të bëhet sunduese, jo çdo trashëgim duhet të pranohet.
Të dalim nga rrethi i maceve,
të mbrojmë minjtë,
të ngrejmë zërin,
të kthejmë proverbin në thirrje,
jo në dënim.
Dhe atë ditë,
kur macja të mos hajë më miun,
por të bëhet njeri,
atëherë do të kuptojmë
se filozofia nuk është fatalitet,
por shpresë.
Vetëm kështu …
X. L. Tetor 2025