Përgaditi: Dashnim HEBIBI, Budapest
Një Shembull i Bashkëpunimit Kulturor dhe Sportiv Shqiptaro-Hungarez
Budapest / Verőce, Hungari – Në një atmosferë të ngrohtë miqësie dhe respekti të ndërsjellë, me ftesë të z. Avni Hafuzi, Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Hungari, u zhvillua me sukses Turneu i Hapur “Skënderbeu” dhe Gara e Mundjes së Krahut, në Parkun e Fitnesit buzë lumit Danub, në Verőce të Hungarisë. Në këtë aktivitet të veçantë sportiv e kulturor, mori pjesë edhe diplomatja e Republikës së Kosovës në Hungari, znj. Afërdita Krasniqi Mustafa, e cila me prezencën dhe mbështetjen e saj, përfaqësoi denjësisht Ambasadën e Republikës së Kosovës në Budapest. Pjesëmarrja e saj u vlerësua lart nga organizatorët, si dëshmi e angazhimit të përbashkët për promovimin e trashëgimisë shqiptare në rajon dhe më gjerë.
Në kuadër të veprimtarisë u inaugurua solemnisht Tavolina e Jashtme e Mundjes së Krahut “Skënderbeu”, një kontribut i çmuar i z. Avni Hafuzi, i cili përmes këtij veprimi simbolik dhe konkret, solli në vëmendje figurën madhështore të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke e lidhur me vlerat sportive dhe garuese që frymëzojnë brezat e rinj.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe z. György Grauszmann, Kryetari i Bashkisë së Verőce-s, i cili përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si një model pozitiv bashkëpunimi ndërkulturor dhe sportiv, mes komuniteteve vendore dhe diasporës shqiptare në Hungari.
Veprimtaria “Skënderbeu” tejkaloi karakterin sportiv, duke u kthyer në një ngjarje me domethënie historike, kulturore dhe identitare, që përçon mesazhin e bashkimit dhe përfaqësimit dinjitoz të trashëgimisë sonë në kontekstin evropian. Gara e mundjes së krahut, si një sport popullor me rrënjë të thella edhe në traditën shqiptare, u bë mjet i fuqishëm i komunikimit dhe ndërveprimit mes popujve.
Mirënjohje e veçantë i shprehet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Budapest, përmes znj. Afërdita Krasniqi Mustafa, për prezencën dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme në veprimtari që afirmojnë kulturën, historinë dhe identitetin shqiptar në skenën ndërkombëtare.
Ky aktivitet shënon një tjetër hap drejt forcimit të lidhjeve ndërshqiptare në diasporë dhe rritjes së prezencës sonë kulturore në arenën ndërkombëtare, me përkushtim, profesionalizëm dhe vlera të qëndrueshme që frymëzojnë të tashmen dhe të ardhmen.