
Nga Prof.dr. Xhavit LIPAJ, Zvicër
Ata nuk ecin, ata zvarriten,
nëpër rrugë të ndritura nga gënjeshtra,
me fytyra të larë në grim të pushtetit,
e me duar që mbajnë erën e kalbur të pasurisë së vjedhur.
Qelbësirat nuk kanë emra,
ata janë fryma që del nga plagët e padrejtësisë, janë hijet që qeshin kur njeriu bie,
janë kafshë të stolisura me kollare.
Nuk njohin turp, se turpi u ka vdekur,
nuk njohin nder, se nderin e shitën,
nuk njohin Zotin, se veten e shpallën perëndi të rreme.
Ata ushqehen me frikën e të dobëtëve,
pinë lotët e grave të mbetura vetëm,
hanë bukën e fëmijëve të uritur.
Qelbësirat nuk janë thjesht njerëz,
ata janë epoka të kalbura,
janë sisteme që vrasin shpresën,
janë kupola të ngritura mbi gjak dhe mbi heshtje.
Por më thoni: a mund të zgjasë pafund kalbja?
A nuk vjen dita kur era e tyre bëhet e padurueshme dhe ajri i botës i hedh jashtë,
si trup i huaj që bota nuk e pranon më?
Qelbësirat janë të përkohshëm,
se gjithçka që lind nga gënjeshtra,
kthehet në hi në duart e së vërtetës.
Ata do të bien pa lavdi, pa emër, pa varr,
si gjethe të thara që askush nuk i kujton.
Ndërsa ata që qëndrojnë, ata që vuajnë, ata që guxojnë, do të mbeten përjetësisht
si gurë të pastër
në themelet e së vërtetës.
Dhe kur historia të shkruajë fjalën e fundit,
ajo do të thotë:
“Qelbësirat ishin të shumtë, por të vërtetët fituan.”
Vetëm kështu…