Në orët e para të 22 qershorit 2025, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën një sulm ajror të paprecedentë ndaj tre objekteve bërthamore të Iranit, duke shënjestruar strukturat në Fordow, Natanz dhe Isfahan. Operacioni u krye nga bombarduesit strategjikë “B-2 Spirit”, ndër më të sofistikuarit në arsenalin amerikan, të cilët lëshuan për herë të parë në një operacion real super-bombën GBU-57 MOP (Massive Ordnance Penetrator), armën më të fuqishme konvencionale antibunker të krijuar ndonjëherë.
Çfarë është GBU-57 MOP?
GBU-57 MOP është një bombë penetruese e projektuar për të goditur objektiva të thellë dhe të fortifikuar nëntokësorë, si bunkere komanduese, depo armatimesh dhe impiante bërthamore. Me një peshë mbresëlënëse prej mbi 13.5 tonësh, ajo është ndërtuar për të depërtuar në disa dhjetëra metra tokë ose beton përpara se të shpërthejë në mënyrë të kontrolluar.
Veçoritë teknologjike
Struktura penetruese: Mbi 80% e peshës së saj përbëhet nga një çelik me dendësi të lartë, i quajtur “Eglin Steel” – një aliazh special hekuri dhe kobalti (Fe-Co) që i reziston deformimeve nën goditje ekstreme dhe nxehtësi të lartë.
Përmasa: Me gjatësi 6.2 metra dhe diametër 80 cm, MOP mund të depërtojë deri në 60 metra në tokë ose mbi 19 metra beton të përforcuar përpara se të aktivizohet.
Ngarkesa shpërthyese: Në brendësi të saj ndodhen 2.4 ton eksploziv, një përzierje e substancave të avancuara AFX-757 dhe PBXN-114, të cilat krijojnë një valë goditëse shkatërrimtare në ambientet e mbyllura të strukturave nën sipërfaqe.
Sistem drejtimi inteligjent: GBU-57 nuk është një bombë me rënie të lirë. Ajo drejtohet me GPS/INS (sistem satelitor dhe inercial), që garanton saktësi të lartë edhe në kushte me kundërmasa elektronike. Gjithashtu, është e pajisur me një fitil të zgjuar elektronik të tipit LPSF (Large Penetrator Smart Fuze), që vonon shpërthimin në bazë të thellësisë së depërtimit ose sipas një timer-i të programuar më parë.
Një sinjal i fortë gjeopolitik
Përdorimi i GBU-57 në një kontekst real operacional përbën një sinjal të fuqishëm nga ana e SHBA-së, jo vetëm për kapacitetet e saj teknologjike, por edhe për gatishmërinë për të ndërhyrë ushtarakisht në frenimin e programit bërthamor iranian. Ky zhvillim ngre në mënyrë të ndjeshme tensionet në Lindjen e Mesme dhe hap një kapitull të ri në mënyrën sesi konfliktet e fshehta mund të materializohen në veprime të drejtpërdrejta ushtarake me fuqi tronditëse. / Përgatiti: Albert Vataj/KJ