/ Nga: Florim USEINI LUZERN /
Kohët e fundit kam vërejtur reagime të ndryshme drejtuar institucioneve për kërkesa të ndryshme në diasporë nga Këshilli Kombëtar Maqedonas i Zvicrës. Megjithatë, ajo që më ka prekur më shumë dhe që dua të theksoj është situata në Zvicër, ku jeton një komunitet i madh i shtetasve të Maqedonisë së Veriut.
Aktualisht, në Zvicër banojnë rreth 130,000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, nga të cilët 100,000 janë shqiptarë dhe 30,000 maqedonas. Në këtë kontekst, kërkesa për të përdorur vetëm gjuhën maqedonase në ambasadat e Maqedonisë së Veriut është absurde dhe fyese për 70% të qytetarëve të këtij komuniteti, të cilët janë gjithashtu qytetarë të Maqedonisë së Veriut me të drejta të barabarta.

Ajo që më habit edhe më shumë është shpifja që është bërë nga Organizata e Grave të Maqedonisë në Zvicër, me kryetare znj. Veronique Vouga dhe anëtaret znj. Stanova Iljana dhe znj. Monika Vallkova. Këto zonja, të cilat morën pjesë në një takim në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Zvicër, u shprehën shumë falënderuese për ftesën dhe theksuan se kishte qenë hera e parë që dikush i kishte ftuar në ambasadë, pasi asnjëherë më parë nuk kishin pasur mundësinë të merrnin pjesë në ndonjë aktivitet atje.

Në këtë takim:
Ambasadori foli në maqedonisht,
Unë fola në maqedonisht,
Një kryetar tjetër i një shoqate shqiptare foli gjithashtu në maqedonisht,
Disa kryetarë të shoqatave shqiptare – kryesisht të rinj – të cilët nuk e njohin gjuhën maqedonase, patën përkthim nga znj. Valmira Sela Sopa. Për më tepër, flamuri shtetëror i Maqedonisë së Veriut ishte i pranishëm në hapësirën e takimit, si brenda ashtu edhe jashtë. Pra, të gjitha pretendimet që janë bërë më pas në opinion janë të pavërteta dhe përmbajnë dezinformata të qëllimshme.

Në takim morën pjesë edhe:
Shoqëria Humanitare Maqedonase "Makedonija Echallens" me kryetar z. Nikola Mircev, Shkolla Maqedonase "Nikola Karev" në Sursse, me sekretar z. Mitko Maldarev,
Si dhe shumë shoqata të tjera, të cilat, për shkak të festave dhe pushimeve, nuk kishin mundësi të ishin të pranishme. Të gjithë të ftuarit u shprehën falënderues për ftesën dhe për mundësinë që për herë të parë të merrnin pjesë në një aktivitet të organizuar nga ambasada. Ne shkëmbyem kontakte dhe diskutuam për të forcuar bashkëpunimin jashtë politikave ditore që ndodhin në Maqedoninë e Veriut. Është e rëndësishme të theksohet se stafi i Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër
është shumë profesional dhe komunikon në disa gjuhë, duke i shërbyer qytetarëve pa dallim. Në çdo kohë, ambasada ka pasur dyer të hapura dhe është treguar e gatshme të ndihmojë qytetarët, madje edhe gjatë orëve të vona për të përmbushur kërkesat e tyre.

Prandaj, lind pyetja: Këshilli Kombëtar Maqedonas i Zvicrës për cilët individë „ekspertë“ e ka fjalën kur akuzon ambasadën?
Njëkohësisht, ky këshill duhet të japë shembuj konkretë nëse pretendon se ndonjë qytetar është trajtuar në mënyrë të padrejtë apo nuk është kuptuar nga stafi i ambasadës për shkak të gjuhës. Në ambasadë fliten rrjedhshëm maqedonishtja, shqipja, gjermanishtja, anglishtja, frëngjishtja, si dhe disa gjuhë të tjera, duke reflektuar realitetin multietnik të Maqedonisë së Veriut.
Nëse diskriminimi vazhdon, diaspora do të reagojë fuqishëm!
Nëse vazhdohet me përpjekjet për të përjashtuar gjuhën shqipe dhe për të mohuar të drejtat e shqiptarëve në diasporë, atëherë ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj komunitetit tonë dhe një fyerje për të gjithë shqiptarët. Nëse ky diskriminim vazhdon, ne do të ndërmarrim hapa konkretë për të mbrojtur të drejtat tona. Një nga hapat e parë do të jetë nisja e një peticioni me 100,000 nënshkrime nga komuniteti jonë dhe me mbi 80 shoqata aktive në Zvicër, i cili do të dërgohet në qeverinë e Maqedonisë së Veriut me disa kërkesa, ndër të cilat:
1. Respektimi i plotë i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet diplomatike të Maqedonisë së Veriut.
2. Një përfaqësim më i drejtë i diasporës shqiptare në institucionet shtetërore.
3. Mbajtja e përgjegjësisë nga deputeti i diasporës, i cili deri më sot nuk e ka vizituar kurrë komunitetin shqiptar në Zvicër dhe nuk ka mbrojtur asnjë interes të diasporës shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Bashkëjetesa dhe respekti janë vlera të patjetërsueshme!
Ne kërkojmë një trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët, pa përjashtim. Shqipëtarët në diasporë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të madh në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror si të Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe të vendeve ku jetojnë.
Prandaj, ne nuk do të pranojmë mohimin e të drejtave tona dhe do të veprojmë me mjete demokratike dhe institucionale për të siguruar një trajtim të drejtë për komunitetin shqiptar kudo që ndodhet. Reagimin e mbështesin të gjithë shoqatat të komuniteti shqiptar që ishin prezent në takimin me shoqatat, njëkohësisht edhe shoqatat që kanë pasur ftesë dhe nuk kanë qenë prezent, gjithashtu përshëndesin reagimin edhe shumë personalitete të rëndomtë nga Biznesi, Mjekësia, Lobe, Rrjete etj.
Me respekt,
Florim Useini
Lobist dhe Kryetar Nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare