Mëngjesin e sotëm, (26 prill), Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan është mbushur nga besimtarë, pelegrinë dhe udhëheqës nga mbarë bota për t’i dhënë lamtumirën e fundit Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare.
Ceremonia mortore do të drejtohet nga Kardinali Giovanni Battista Re dhe nis në orën 10:00. Mbi 200,000 persona do të jenë të pranishëm në shesh, ndërsa rreth 130 delegacione ndërkombëtare, përfshirë 50 kryetarë shtetesh dhe 12 monarkë nderuan jetën dhe veprën e Papës që udhëhoqi Kishën Katolike për më shumë se një dekadë.
Ndër figurat kryesore që do të marrin pjesë janë Presidenti amerikan Donald Trump, Princi William i Mbretërisë së Bashkuar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe përfaqësues të lartë nga Franca, Gjermania, Argjentina dhe Filipinet. I pranishëm është edhe Presidenti Bajram Begaj, dhe po ashtu edhe krerët fetar në Shqipëri.
Në përputhje me thjeshtësinë që e karakterizoi gjatë gjithë jetës së tij, Papa Françesku zgjodhi një arkivol të thjeshtë prej druri të mbushur me zink, duke shmangur traditën e tre arkivoleve që përdoren zakonisht për papët. Ai do të prehet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë, një vend i shenjtë për të, ku është lutur shpesh gjatë papatit. Ky është një vendim historik, pasi është hera e parë që një papë varroset jashtë Vatikanit që nga viti 1903.
Papa Françesku vdiq në moshën 88-vjeçare pasi pësoi një goditje në tru të hënën e Pashkëve, vetëm një ditë pasi u shfaq në të njëjtin shesh për t’u dhënë bekimin e tij besimtarëve. Në ditët që pasuan, rreth 250,000 vajtues u mblodhën në Vatikan për t’i bërë nderimet e tyre të fundit, ndërsa trupi i Atit të Shenjtë shtrihej brenda Bazilikës së Shën Pjetrit. Arkivoli i tij u vulos zyrtarisht të premten në mbrëmje në një rit liturgjik të udhëhequr nga Kardinali Camerlengo Kevin Farrell, kreu në detyrë i kishës.
Papa Françesku do të mbahet mend për përulësinë, dashurinë për të varfërit dhe thirrjet e tij të vazhdueshme për paqe, drejtësi sociale dhe mbrojtjen e mjedisit, njofton rtsh.