/ Intervistoi: Dashnim Hebibi, Zagreb/
Intervistë ekskluzive me Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Kroaci, Shkëlqesinë e Tij, z. Milaim Fetai
Të jesh ambasador është nder, por të jesh ambasador si Prof. Dr. Milaim Fetai është përgjegjësi që e përballojnë vetëm ata që punën e bëjnë me zemër. Janë të rrallë përfaqësuesit diplomatikë që, përveç detyrës zyrtare, janë aq të afërt me qytetarët sa të ndihen si pjesë e familjes së tyre. Ambasador Fetai ka qenë një figurë e dashur, gjithmonë në shërbim të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, pa dallim përkatësie etnike, dhe në veçanti edhe pranë mërgatës shqiptare në Kroaci. Janë të panumërta rastet kur ai ka qenë pranë bashkatdhetarëve – në momente gëzimi e sfida, pa njohur orar e as ditë pushimi. Çdo derë ku ka trokitur ka lënë pas mirënjohje dhe respekt. Dera e tij ka qenë gjithmonë e hapur sepse zemra e tij është e bardhë. Me modesti të thellë, profesionalizëm të lartë dhe dashamirësi të rrallë, ai ka krijuar ura të qëndrueshme mes institucioneve, komuniteteve dhe njerëzve. Në prag të përfundimit të mandatit të tij në Zagreb, realizuam këtë intervistë ekskluzive për të ndarë me lexuesit tanë disa nga përjetimet, kujtimet dhe mesazhet e tij të sinqerta.
I nderuar z. Ambasador, faleminderit që na kushtuat kohë për këtë intervistë. Nga kontakti me mërgimtarët, kuptuam se ata kanë shumë respekt për ju. Si ju ka pritur mërgata e Maqedonisë së Veriut në Kroaci dhe veçanërisht komuniteti shqiptar?
Mërgata e Maqedonisë së Veriut në Kroaci, si ajo shqiptare ashtu edhe maqedonase, ka qenë shumë mikpritëse dhe e përzemërt. Gjatë gjithë mandatit tim, kam ndjerë se si shqiptarët ashtu edhe maqedonasit në Kroaci më kanë pritur si një bashkëvendas të tyre, si një pjesë të pandashme të jetës dhe komunitetit të tyre. Ata kanë treguar një respekt të jashtëzakonshëm, duke bërë të mundur që të krijojmë ura të forta të bashkëpunimit, të solidaritetit dhe të mbështetjes për njëri-tjetrin. Për mua, si ambasador, ka qenë një nder dhe përgjegjësi e madhe që të jem pranë tyre, të mbështes, të inkurajoj dhe të ndihmoj çdo iniciativë që kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Gjatë mandatit tuaj, ju keni qenë gjithmonë afër qytetarëve, pa bujë e pa vetëlavdërim. Tani që po i afroheni përfundimit të këtij mandati, me çfarë përshtypjesh po largoheni nga Kroacia për në vendlindje?
Gjatë katër viteve të mandatit tim si ambasador, kam pasur mundësinë të jem afër qytetarëve, dhe gjithmonë kam kërkuar të mbetem i përzemërt dhe i sinqertë, pa krijuar zhurmë dhe pa kërkuar vëmendje për vetveten. Kjo është mënyra ime e të punuarit, sepse besoj se diplomacia e vërtetë është ajo që nuk kërkon lavdërime, por që i shërben popullit dhe ndihmon në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit. Largimi nga Kroacia është një moment plot emocione. Kur mendoj për këtë periudhë, përjetoj një ndjesi të thellë mirënjohjeje. Po largohem nga një vend që më ka pritur dhe më ka ofruar mundësi të jashtëzakonshme për të kontribuar, dhe njëkohësisht, kam mësuar shumë nga kultura dhe njerëzit e tij. Përshtypjet që mbaj janë të pasura dhe të shumëllojshme. Kam pasur privilegjin të punoj me individë të jashtëzakonshëm, si nga bashkësia shqiptare dhe maqedonase këtu, ashtu edhe nga populli kroat. Kam mësuar se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë vetëm çështje të politikave, por edhe të lidhjeve njerëzore dhe të mbështetjes reciproke. Dhe, për këtë, kam shumë falënderime për çdo bashkëpunim që kemi pasur, si me qytetarët dhe shoqatat, ashtu dhe me autoritetet kroate.
Në fund të mandatit, largimi nuk më duket si një fund i detyrës, por si një hap i ri që më çon përpara në karrierën time profesionale dhe personale. Largimi im është vetëm një fazë e natyrshme, sepse jam i sigurt që marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë do të vazhdojnë të forcohen edhe më shumë në të ardhmen.
Sa qytetarë nga Maqedonia e Veriut jetojnë aktualisht në Kroaci? A keni ndonjë të dhënë për përbërjen e tyre etnike – sa janë shqiptarë, sa maqedonas, etj.?

Në vitin 2021, regjistrimi i popullsisë në Kroaci tregoi se numri i shqiptarëve ishte rreth 15,000, prej të cilëve rreth 8,000 ishin nga Maqedonia e Veriut, ndërsa maqedonasit ishin rreth 4,000. Ky është një rënie krahasuar me vitin 2011, kur numri i shqiptarëve ishte më i lartë. Po ashtu, edhe popullsia totale e Kroacisë ka pësuar rënie, duke kaluar nga 4.5 milionë në vitin 2011 në 3.8 milionë në vitin 2021. Kjo tregon një tendencë të përgjithshme të rënies demografike në vend.
Ju jeni mirëpritur jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga qytetarët maqedonas. A mund të na veçoni ndonjë shoqatë maqedonase që ka dalluar për organizimin dhe bashkëpunimin me ambasadën gjatë mandatit tuaj?
Bashkësia maqedonase në Kroaci është shumë e organizuar dhe ka një prezencë të fuqishme nëpër qytetet kryesore të vendit. Po ashtu, duhet përmendur dhe Kisha Ortodokse Maqedonase: Zlata Meglenska në Zagreb, që u perfundua në vitin 2023 e cila është shumë aktive dhe luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e traditave dhe identitetit maqedonas.
Gjatë mandatit tim, kam pasur nderin të bashkëpunoj me këto shoqata dhe të marr pjesë në aktivitetet e tyre, të cilat kanë kontribuar në forcimin e lidhjeve mes Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. Falënderoj shtetin dhe institucionet kroate, të cilat kanë mbështetur këto shoqata dhe programet e tyre me financime që kanë mundësuar ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës. Kjo mbështetje është thelbësore për integrimin e bashkësive maqedonase dhe shqiptare në shoqërinë kroate, pa rrezikuar asimilimin e tyre.
Si ka qenë bashkëpunimi juaj me ambasadorin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës në Kroaci? A keni zhvilluar projekte të përbashkëta?
Bashkëpunimi me ambasadën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës ka qenë gjithmonë shumë miqësor dhe i ndersjellë. Kemi mbështetur njëri-tjetrin në aktivitete dhe projekte, duke punuar së bashku për të promovuar kulturën dhe interesat e bashkësive tona. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve tona me Kroacinë dhe ka kontribuar në zhvillimin e lidhjeve mes popujve tanë. Bashkërisht, kemi marrë pjesë në shumë aktivitete dhe kemi mbështetur gjithmonë bashkësinë shqiptare në Kroaci duke promovuar kulturën, traditat dhe interest e bashkësisë shqiptare, duke mbështetur integrimin e jo asimilimin e tyre në shoqërinë kroate.

Nga përvoja juaj, çfarë mendoni se i mungon mërgatës shqiptare dhe në përgjithësi qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Kroaci, që shteti duhet t’ua ofrojë sa më parë?
Shteti kroat është dëshmuar si një mik i sinqertë i bashkësisë shqiptare dhe maqedone. Shqiptarët dhe qytetarët nga Maqedonia e Veriut janë pjesë e përbërjes shoqërore të Kroacisë, përmenden në ligjin kushtetues si pakica me të drejta të plota, përkrah edhe 20 të tjerave. Shoqatat e tyre kulturore marrin mbështetje financiare, fëmijët mësojnë në gjuhën amtare, dhe mësuesit i paguan shteti kroat, një model që vlen të vlerësohet dhe të përmendet me mirënjohje. Gjithsesi, ajo që u mungon bashkëatdhetarëve tanë është një lidhje më e fuqishme dhe e qëndrueshme me shtetet amë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën. Të gjithë e kanë në zemër vendlindjen, dhe bëjnë çmos që gjeneratat e reja të mos asimilohen, një rrezik real në çdo mërgatë. Pikërisht për këtë, shpëtimi dhe siguria qëndrojnë te ndërtimi i shteteve tona, forcimi i institucioneve dhe përshpejtimi i proceseve integruese në Bashkimin Evropian. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s dhe kjo është një arritje e madhe, por tani duhet përpjekje edhe më e madhe për zhvillim ekonomik, funksionimi I shtetit të së drejtës dhe ambient me kushte dhe standard te larta për ndaljen e migrimit dhe këthimin e tyre në vendlindje.
Mërgata jonë është e gjallë dhe aktive, e lidhur ngushtë me vendlindjen përmes digjitalizimit, mediave dhe platformave bashkëkohore
Ata janë të suksesshëm në mbarë botën, por vendlindjen e mbajnë si ideal, një vend ku duan të kthehen për të vazhduar jetën, e jo vetëm për t’u kthyer në fund. Dëshirojnë që fëmijët dhe nipërit e tyre të mos jenë vizitorë të rastit, por kontribues të vërtetë në ndërtimin e shtetit. Ata e ndjekin me vëmendje dhe kureshtje gjithçka që ndodh në shtetet tona, gëzohen me çdo sukses dhe brengosen kur gjërat nuk ecin si duhet. Kjo është një energji e madhe që shtetet amë duhet ta kuptojnë dhe ta kanalizojnë me politika të mençura dhe afatgjate që ndihmojnë jo vetëm në ruajtjen e identitetit, por edhe në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.

A do t’ju mungojë jeta në Kroaci, një vend ku edhe keni studiuar më herët?
Nuk mund të them se do të më mungojë Kroacia, sepse unë ndjehem i plotësuar kur jam në vendlindje, pranë familjes sime, pranë motrës, fëmijëve, katër nipave dhe mbesës që janë drita e syve të mi. Do të kthehem në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Juridik, që me studentët të kaloj ditët e fundit të angazhimit tim para pensionimit. I rikthehem realitetit të përditshëm dhe sfidave që kërkojnë përkushtim, vëmendje dhe dashuri, për të ndihmuar që e nesërmja të jetë më e mirë për të gjithë.
Jam i lumtur që pata një përvojë të begatë si ambasador, dhe që munda të jap një kontribut timin modest, por të përkushtuar, në planin zyrtar, njerëzor, profesional e kombëtar. Në universitet kthehem më i pasur me përvojën diplomatike dhe me dëshirën që dijen dhe përvojën ta ndaj me brezat e rinj. Nga Kroacia largohem me dy ndjenja: më vjen keq që ndahem nga shumë miq të mirë që ma kanë pasuruar dhe lehtësuar qëndrimin këtu, por jam i gëzuar që kthehem në vendlindje, pranë njerëzve të mi dhe angazhimeve që i japin kuptim dhe gëzim jetës.
Cila është përshëndetja juaj për gjithë mërgatën e Maqedonisë së Veriut që jeton dhe vepron në Kroaci?
Për të gjithë mërgatën shqiptare dhe maqedonase që jeton dhe vepron në Kroaci, kam vetëm fjalë falënderimi, respekti dhe mirënjohjeje. Me gjithë zemër i falënderoj për çdo përpjekje dhe kontribut që kanë dhënë për forcimin e lidhjeve ndërmjet popujve tanë. Jeta e mërgimtarit është rrugë sfiduese, por ata kanë dëshmuar guxim, përkushtim dhe qëndresë në çdo hap.
Me punën e tyre të ndershme e të palodhshme, kane pasuruar shoqërinë kroate duke ruajtur me krenari identitetin, gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre. Kanë ndërtuar ura mirëkuptimi e bashkëjetese, me dyer të hapura dhe zemër të hapur. Jam krenar që pata nderin t’i përfaqësoj dhe të punoj për forcimin e lidhjeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë. Mërgata jonë do të mbetet gjithmonë një urë e fuqishme lidhëse mes dy vendeve tona, dhe jam i bindur se edhe brezat e rinj do ta trashëgojnë e zhvillojnë këtë lidhje me dinjitet dhe dashuri.

Për çdo shqiptar dhe maqedonas që jeton këtu, uroj një të ardhme të ndritur dhe suksese në çdo fushë të jetës. Ndihem i nderuar që kam qenë pjesë e rrugëtimit të tyre dhe gjithmonë do të jene në mendjen dhe zemrën time. I falënderoj që kane qenë burim i forcës, krenarisë dhe dashurisë për vendlindjen dhe shtetin e origjinës.
Ju keni qenë profesor universitar përpara angazhimit diplomatik. A planifikoni t’i riktheheni auditorëve dhe studentëve pas përfundimit të mandatit?
Po, do të rikthehem aty ku kam kaluar më shumë se 20 vjet, në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Juridik. Aty kam lënë një pjesë të madhe të jetës sime profesionale dhe emocionale, dhe kthimi aty është si kthim në shtëpinë time të dytë. Sipas ligjit, më ka mbetur edhe pak kohë deri në pension, por unë do të vazhdoj të jap kontributin tim shoqëror në aktivitete dhe organizata të ndryshme, kudo ku do të ketë nevojë për përvojën dhe dijen time. Nuk do të kursehem, sepse të jesh profesor apo pedagog është një mision që nuk kufizohet as me ligj, as me moshë. Ky është një rol që e mbart në zemër dhe në ndërgjegje, për sa kohë ke mundësinë dhe vullnetin për të ndihmuar të tjerët.
Për fund, cilat janë disa nga momentet që nuk do t’i harroni kurrë gjatë këtyre katër viteve si ambasador në Kroaci?
Ka shumë momente që i mbaje në zemër dhe që nuk do ti harroj kurrë. Takimet me mërgatën shqiptare dhe maqedonase në Kroaci, bashkëbisedimet e sinqerta me njerëzit tanë, festat dhe aktivitetet kulturore ku shihje përkushtim, krenari dhe mall për vendlindjen janë çaste që të lënë gjurmë. Do të kujtoj gjithmonë mikpritjen dhe respektin që kam marrë nga autoritetet kroate dhe kolegët diplomatë, bashkëpunimi me ta më ka pasuruar si njeri dhe si profesionist. Do të më mbeten në kujtesë gjithashtu momentet kur e përfaqësoja shtetin në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, por edhe ato ditë të zakonshme në ambasadë, kur punoja me përkushtim për të ndihmuar qytetarët tanë në çdo situatë. Një nga kujtimet më të forta lidhet me ndihmën që u kemi dhënë mërgimtarëve tanë gjatë udhëtimeve për festa apo për pushime nga Evropa drejt vendlindjes. Shpesh ndodhte që për shkak të ndonji dokument të skaduar, sidomos për fëmijët, të ktheheshin mbrapsht nga kufiri me Serbinë. Ne e hapnim ambasadën pa orar, edhe në mesnatë, edhe ditë festash, vetëm që ata të mund të vazhdonin rrugën për në shtëpi. I falënderoj me mirënjohje konsullin dhe gjithë stafin që gjithmonë më janë gjendur pranë. Mburrem që gjatë mandatit tim në mes tjerash u arrit edhe marrëveshja mes Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut që studentët tanë të studiojnë në universitetet kroate pa tarifa shtesë, në kushte të barabarta me studentët vendas, një arritje që shkon përtej mandatit dhe u shërben brezave që vijnë. Nuk harrohen as miqtë, njerzit tanë që jetojnë në të gjitha qytetet e Kroacisë, njerëz të zakonshëm me zemër të madhe që më kanë bërë ta ndjej veten si në shtëpi. Kroacia do të mbetet pjesë e jetës sime jo vetëm si vend shërbimi, por si vend kujtimesh, përjetimesh dhe marrëdhëniesh të sinqerta njerëzore.

Me shumë respekt, cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë nga Maqedonia e Veriut, e në veçanti për të rinjtë shqiptarë, çfarë do t’u porositnit bazuar në përvojën tuaj personale dhe profesionale?
Për të rinjtë nga Maqedonia e Veriut, kam një mesazh të thjeshtë, por me peshë: integrimi në shoqërinë ku jetoni është i nevojshëm, por jo në kurriz të identitetit. Ruani gjuhën, kulturën, traditat dhe vlerat, ato janë pasuria juaj më e madhe. Mbajeni vendlindjen gjithmonë në zemër. Shpresa ime është që ju dhe fëmijët tuaj të ktheheni një ditë për të jetuar e kontribuar në vendin tone, në atë vend të bukur ku i kemi varret e të parëve tanë, që meriton dashurinë dhe përkushtimin tuaj. Kjo është një betejë që nuk duhet ta humbasim: të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, më të zhvilluar e më të begatë për të gjithë.
Ju jeni ata që do ta bëni këtë realitet. Ju jeni ata që ndërtoni të ardhmen. Prandaj, jini qytetarë të botës, por kurrë mos i harroni rrënjët tuaja. Nderoni ata që kanë hapur rrugën për ju dhe mbani lidhjen me vendlindjen të gjallë, me zemër, me mendje dhe me vepra.
Në fund, dëshiroj të falënderoj redaksinë tuaj për mundësinë dhe hapësirën që më dha për të ndarë disa mendime dhe përvoja nga mandati im si ambasador në Kroaci. Një falënderim i veçantë shkon për ty miku im PhD. Dashnim Hebibi, i cili është iniciatori dhe autori i kësaj interviste, për profesionalizmin, përkushtimin dhe respektin që tregoi gjatë gjithë këtij procesi. Ishte kënaqësi dhe nder për mua që të ndaj këto momente me lexuesit tuaj.
Si redaksi, ju shprehim mirënjohje të thellë për bashkëpunimin tuaj me qendrën tonë mediale sam24.info dhe ju urojmë shëndet, suksese dhe mbarësi në çdo hap të jetës tuaj.
Ju faleminderit shumë.
Ju lutem. Ishte kënaqësi. Suksese.
SAM24.info