/ Nga: Dashnim HEBIBI, Zürich /
Data 22 prill shënon Ditën Ndërkombëtare të Tokës! Themeluesi i Ditës Ndërkombëtare të Tokës është senatori amerikan Gaylord Nelson, i cili me qëllimin që problemet e kësaj natyre të hynin në vëmendjen e politikanëve , në vitin 1962 propozoi për kremtimin e Ditës së Tokës. Më 22 Prill 1970 në SHBA u mbajt edhe manifestimi i parë më i madh ekologjik i këtij lloji, prej nga edhe doli ideja për shpalljen e kësaj date si Dita e Planetit Tokë.
Nga larg, Kosova na duket e bukur si një kartolinë – fshatrat, malet, fushat e gjelbra. Por kur afrohesh, kupton se ajo që dikur ishte pasuria më e madhe – toka bujqësore – po zhduket dalëngadalë nën ndërtime pa plan dhe pa logjikë.
Zvicra, vendi ku jetojnë shumë nga mërgimtarët tanë, ka ndërtuar një kulturë të tërë përreth bujqësisë. Fermerët janë të respektuar, produktet janë të kontrolluara, dhe në çdo treg gjen ushqim të shëndetshëm, lokal. Atje, toka është jetë. Ndërsa këtu, për shumë njerëz, toka është barrë. “Ma lirë po më del me ble se me mbjell,” është frazë që dëgjohet shpesh nga njerëzit që e kanë tokën por nuk e punojnë.
Arben H., mërgimtar nga Dardana, thotë:
“Kur i tregova dikujt se dua të investoj në bujqësi, më tha: ‘Po bëhesh katundar tash?’ E kjo është tragjike – sepse nuk e kemi kuptuar se bujqësia është dinjitet, jo turp.”

Dhe ka të drejtë. Jemi bërë shoqëri që vlerëson fasadën, jo rrënjën. Sot, Kosova ka 53% të territorit tokë të punueshme dhe 61% të popullsisë në zona rurale, por jemi ende larg sigurimit të ushqimit bazë për vete. Importojmë edhe miellin, edhe perimet, edhe frutat – ndërkohë që toka jonë mbetet me therra.
Një tjetër mërgimtar, Shqipe L., nga Zvicra, shprehet:
“Kur vij në Kosovë, më dhemb zemra kur shoh fshatra të zbrazëta dhe fusha që dikur jepnin bereqet, tani mbuluar me ferra. Dhe pastaj pyes: kush do të na ushqejë nesër?”
Nuk është mungesa e mundësive, por mungesa e strategjisë dhe e vullnetit. Ka fermerë që po prodhojnë, që po luftojnë çdo ditë, por janë të vetëm – pa mbështetje reale, pa treg të garantuar, pa përkrahje profesionale. Dhe mbi të gjitha, pa respektin që meritojnë.
Bujqësia nuk është punë për të “mbijetu”, por mund të jetë bazë për një ekonomi të qëndrueshme dhe të shëndetshme. Ajo kërkon dije, përkushtim, dhe përfshirje të njerëzve me vizion. Siç thotë Ralph Waldo Emerson: “Njeriu i parë ishte bujk, dhe çdo fisnikëri historike mbështetet mbi bujqësinë.”
Është koha të zgjohemi. Është koha të ndalim betonimin e vendit tonë dhe të rikthejmë jetën në tokë. Të rikthejmë dinjitetin e bujkut. Të krijojmë politika që nuk harrojnë fermerin. Të mbështesim arsimimin në fushën e bujqësisë dhe t’u japim të rinjve arsye të besojnë se edhe këtu ka jetë.
Sepse, siç tha një ditë një fshatar plak:
“Kur ta mbjellësh tokën me dorën tande, buka ka tjetër shije.” Dhe kjo është buka që na duhet – e mbjellur me dashuri, jo e sjellë me kontejnerë.
SAM24.info