Nga: Prof. Viola Isufaj
Në një epokë të zhurmshme ku çdo gjë përshpejtohet dhe përshpejton, ku mendimi i papeshë shpesh ngutet dhe zë vendin e reflektimit të thellë, bisedat me njerëz që e jetojnë dijen si mision e si përkushtim janë gjithnjë e më të rralla – dhe më të çmuara.
Profesor Bashkim Kuçuku, një nga studiuesit më të përkushtuar të letërsisë dhe kulturës shqipe, është nga ata zëra që, pa bujë, ka ndërtuar me vite një urë të heshtur por të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe botës, mes të kaluarës dhe të ardhmes letrare të vendit, mes mjediseve të botës shqiptare dhe brendësisë së njeriut e bashkësisë së cilës i përket.
Me një karrierë akademike të shtrirë ndër dekada, me përvojë në universitete, biblioteka dhe mjedise ndërkombëtare ku ka hulumtuar dhe me një vështrim gjithnjë të kthjellët mbi letërsinë shqipe, ai mbetet një udhërrëfyes për studentët e këdo që kërkon të kuptojë më thellë veten dhe kulturën kombëtare përmes gjuhës, fjalës dhe kujtesës.
Mbremjen e së mërkurës pata kënaqësinë dhe nderin e veçantë të promovoj dy kontribute të reja “Shprëhesi e strukturave” dhe “Ali Podrimja” -dy libra të rëndësishëm per historiografinë letrare shqiptare dhe t’i jap fjalën një prej këtyre zërave që, për shumë prej nesh, përfaqëson jo vetëm kompetencën e lartë shkencore, por edhe ndjeshmërinë në një terren jo të lehtë siç është fusha e studimeve bashkëkohore.
Bashkim Kuçuku ka qenë një zë thelbësor në ndërtimin e një vizioni modern për studimet letrare në vendin tonë. Ai është një prej atyre mendjeve që e ka ndjerë gjithmonë nevojën për ta përditësuar qasjen ndaj letërsisë, për ta parë tekstin si një organizëm të gjallë dhe të pashterrshëm. Me përkushtimin e tij shumëvjeçar pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, me rolin e tij në ndërtimin dhe zhvillimin e lëndës “Letërsi shqipe bashkëkohore”, dhe me kontributin e veçantë dhe në institucione të tjera, ka lënë pa dyshim gjurmë të qëndrueshme dhe ka hapur shtigje për kërkimet më tej. Por ajo që e bën më të veçantë këtë moment është fakti se nuk u ndodhëm në këtë mbrëmje thjesht për të folur për një koleg. Ishim aty për të ndarë një përvojë të përbashkët, një histori bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë me profesor Bashkim Kuçukun — një marrëdhënie që mbështetet në dije, në admirimin e ndërsjellë dhe në përkushtimin ndaj një ideje më të madhe se ne: atë të shërbimit ndaj gjuhës, letërsisë dhe dijes shqiptare.
E kam ndjekur udhën e tij gjatë gjithë rrugëtimit tim akademik.
Sot, me shumë kënaqësi dhe ndjenjë të thellë mirënjohjeje, mund të them se ndjekja e atij rrugëtimi, edhe pse me sfida, me intensitet, me kërkesa të larta, ka qenë një ndër zgjedhjet më të vlefshme që kam bërë, dhe përtej të gjithave, ndaj u ndieva thellësisht e nderuar në rolin e drejtueses së kësaj mbrëmjeje, të organizuar me përkushtim dhe dashuri nga Onufri, në nder të tij.
Profesor Bashkim Kuçuku, një zë i spikatur në studimin dhe kritikën letrare, në bisedën tonë u ndal në momentet kyçe të jetës akademike, në autorë që i ka dashur dhe lexuar përtej rreshtave, në botë që kalojnë përmes ndërlikimeve të historisë dhe dhimbjes, si ajo çame, në përvojat jashtë vendit që kanë ndikuar në formimin e tij, por edhe në ato brenda vetes, që e kanë shtyrë ta dojë dijen si një formë përmbushjeje.
Që në krye të herës si në leksionet e Letërsisë Shqipe Bashkëkohore, ashtu dhe në studimet më të hershme ka përcaktuar dhe argumentuar se Letërsia shqipe përfshin krijimtarinë e shkruar në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë dhe në trojet e tjera në ish Jugosllavi, në diasporë dhe në mjedisin e arbëreshëve të Italisë e të Zarës, në Kroaci.
Kjo letërsi është shkruar në mjedise dhe në rrethana të ndryshme, nganjëherë befasuese dhe të pangjashme, të cilat kanë bërë të lindin drejtime dhe kahe të ndryshme, deri edhe të kundërta, por megjithë këtë larmi, Letërsia Shqipe është një dhe e vetme sepse:
-Është e shkruar e gjitha në gjuhën shqipe (edhe në shqipen mesjetare, në arbërisht, por gjithmonë në gjuhën shqipe). Kështu, letërsia shqipe e merr emërtimin prej gjuhës shqipe, në të cilën është shkruar.
-Pas vendosjes së gjuhës standarde (më 1972), është shkruar kryesisht sipas këtij standardi-dhe ky është një argument i vetëdijes njësuese të shkrimtarëve dhe të vetë njësisë.
Është zhvilluar mbi trungun përbashkët të:
autorëve të saj të vjetër: Marlin Barletit, Gjon Buzukut, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit;
rilindësve: Jeronim de Radës, Naim Frashërit,
si edhe: Ndre Mjedës, Faik Konicës, Gjergj Fishtës,
autorëve të asaj që u quajt Letërsia moderne shqipe, e që zë fill në vitet ’30: Lasgush Poradeci, Mistrush Kuteli, Ernest Koliqi, Migjeni etj.
-dhe të tjera.
Ndërsa nga studimi i tij mbi poezinë e Ali Podrimjes po shkëpusim një fragment:
“Poezia e Ali Podrimjes është moderne (e afërt dhe e ngjashme me poezinë evroperëndimore, jo aq në botëvështrimin dhe botëpërjetimin e saj, sesa në konceptet dhe konceptimet poetike, në disa konvencione dhe në funksionet e tyre, në shprehjen poetike).
Poezia e Ali Podromjes është moderne, sepse, është metaforike, simbolike dhe eliptike. Gjuha e saj, sikurse gjuha e poezisë moderne evroperëndomore, ka një funksion paradoksal: ta shprehë mendimin dhe, njëherësh, ta fshehë atë. Në të mbizotëron vargu i lirë, më shpesh pa shenja pikësimi dhe pa shkronja të mëdha për të detyruar një lexim logjik tepër të vëmendshëm, pasi paramendohet që ato t’i vendosë vetë lexuesi.
Vargu i tij ka thyerje të jashtme, (grafike), dhe thyerje të brendshme, (të mendimit). Thyerjet e brendshme e bëjnë atë të ndryshme nga vargu tradicional që ka një sintaksë të rregullt. Ato krijojnë mospërputhje midis mendimit, sintaksës së vargut dhe paraqitjes së tij grafike që përbën edhe sintaksën e çrregulluar të poezisë moderne. Dykuptueshmëria e tyre rrit ndjeshëm dendurinë e mendimit.
Stili është i larmishem. Ai kalon prej stilit nominal në stilin verbal. Më i theksuar është stili verbal në të cilin përdoren shumë folje (shpreh një lëvizje të madhe të mendimit në kohë, duke i dhënë atij shtrirje të gjerë). Por ka dhe poezi me pak folje, madje pa folje të cilat i japin thellësi mendimit.
Në këtë poezi nuk mungojnë dhe një sërë figurash karakteristike të poezisë moderne evroperëndomore siç janë: ëndrra, ylli, fryma, shpirti, dritarja, qielli, pasqyra, errësira, varri, kaltria, humnera, rrënja, etja, uria, e uji, dashuria, shkretëtira, zbrazëtia, por në truallin shqiptar ato kanë marrë përgjithësisht kuptime të tjera.
Vetëm ylli-simbol i idealitetit, dritarja dhe pasqyra simbole të vështrimit dhe disa të tjera ruajnë kuptimin evroperëndomor. Mirëpo, dukuritë, gjendjet dhe rrethanat që në poezinë evroperëndimore karakterizojnë individin, në poezinë e Podrimjes janë shndërruar në gjendje dhe rrethana të bashkësisë së shqiptarëve. Prandaj, ngjashmëria me poezinë moderne është më tepër në figuracion e vjershërim”
Studiuesi Bashkim Kuçuku do të na shtjellojë se se sidomos logjikat sintaksore parasoksale deri në oksimoron përcjellin gjendjen e një bashkësie të veҫantë me fat të veҫantë dhe me mënyrën e tyre të menduarit, mënyrën e të ndjerit dhe frymimin dhe ëndrrën e tyre të tjetërllojtë. Të shfaqura në struktura poetike dytësore, ato bëjnë që edhe për marrësin shqiptar të jenë ndonjëherë jo lehtësisht të kapshme.
Psh që gjymtimi e shëmtimi janë koncepte të njohura filozofike e morale në poezisë perëndimore, ky mund të jetë një faktor lehtësues, kështu aspekti që ka bëjë me gjymtimin e identitetit njerëzor në rrafsh universal është dukshëm më i transmetueshëm në gjuhën frënge, në kontekstin francez, mirëpo ka diҫka tjetër: kjo është e keqja më e madhe që i ka ndodhur bashkësisë së cilës i përket poeti dhe asocacionet që zgjon ky rrafsh kryesor i konceptimit, dhe sidomos thukëtia që i përcjell, mbartin me vete ndërlikimin e komunikimit me lexuesin evropian. Por, megjithkëtë,thyerjet ritmike, sintaksore, grafike e pamore vijnë në mënyrë të përkryer në përkthimin në frëngjishte. Po aq e arrirë është pikëpamja tingëllimore, aq esenciale për poezinë, si dhe mënyra si vjen vegimi.
Gjithashtu, ҫdo referencë dhe veҫanërisht ҫdo aluzion që lidhet me fatin e veҫantë të një kombi, lind ndërlikime për një marrës të huaj aq për shkak të strukturave, natyrës së figurave, ironisë së pikëllimit, sesa nga simbolet zotëruese që vijnë nga një traditë shekullore shqiptare dhe nga ҫdo shenjim tjetër i ambjentit shqiptar.
poezia e Ali Podrimjes është më e përkthyera nga poezia shqipe dhe më e njohura. Ajo është përcjellë më shumë dhe më dukshëm në kulturën evropiane e përtej saj. Është përkthyer në gjuhët gjermane, italiane, polake, rumune, greke, angleze, hungareze, turke, serbokroate, sllovene, maqedonase (teksa në revista dhe antologji edhe në: spanjishte, arabishte, rusishte, suedishte, lituanishte) dhe padyshim në gjuhën frënge, ku njeh botimet më të shumta.
“Dhe dihet -na thotë ai që poetët që krijojnë ose rikrijojnë shëmbëlltyrën e shenjtëruar të kombit, fitojnë meritueshëm dafinën e poetit kombëtar.”
Vijuam më tej me çështje te tjera si studimi i Martin Camajt, strukturat e letërsisë shqipe me një vështrim të thelluar, sistematik dhe krahasues, universitetet shqiptare dhe qenia shqiptare në një botë që ndryshon parreshtur — ajo që jemi dhe si përpiqemi ta kuptojmë veten — dhe tema të tjera.
Në fund të kësaj bisede, ku fjalët vinin jo si përgjigje në një intervistë, por si gurë themeli të një ndërgjegjeje që është ndërtuar gjatë, kuptohet qartë se për profesor Bashkimin, letërsia nuk është vetëm tekst — është mënyra e të qenit në botë. Një akt i vazhdueshëm përkthimi i shpirtit në fjalë, i heshtjes në kuptim, i së shkuarës në trashëgimi.
Në një kohë kur kemi nevojë të rimësojmë dëgjimin, vëmendjen dhe durimin për të kuptuar, zëra si ai i profesor Bashkimi janë më shumë se kurrë të nevojshëm. Jo vetëm për letërsinë, por për jetën.
Në fund të kësaj bisede, mbeten shumë gjëra për t’u thënë, sepse kur flet me një studiues që është zhytur në heshtje, në tekst, në thellësinë e fjalës, çdo përgjigje bëhet një udhëtim më vete. Profesor Bashkimi nuk është vetëm një kritik letrar apo një studiues — është një lexues i ndjeshëm i jetës, i identitetit dhe i atyre hapësirave që shpesh i anashkalojmë, por që na përkufizojnë si njerëz.
Në një kohë kur ka gjithnjë e më shumë nevojë për zëra të kthjellët dhe të përkushtuar, ai mbetet një dëshmi e qetë, por e fortë, se dija e vërtetë është një akt dashurie ndaj vendit, gjuhës dhe njeriut.