/ Dr. Afrim Shabani/
Nëse fjala dikur vlente sa një jetë njeriu, sot shpesh nuk vlen as sa një “like”. Në një botë ku dikur gazetaria ishte zanat i shenjtëruar dhe fjala shkruhej me djersë, sot ajo fluturon nga dora e kujtdo që ka një profil në Facebook. Lajmi nuk prodhohet më nga burimi, por nga rrjeti; e vërteta nuk kontrollohet, por shpërndahet; dhe lexuesi, ky qytetar i pambrojtur, nuk informohet – por helmohet ngadalë nga fjala e paarsyeshme.
Një vëzhgim i ftohtë dhe i sinqertë i realitetit mediatik sjell një pamje të zymtë: reporterët zyrtarë flasin shpesh pa thellësi, pa kërkim, pa përgjegjësi profesionale; ndërsa “gazetarët” e Facebook-ut (portalet) flasin pa asnjë vetëdije se ndonjë fjalë prej tyre mund të merret si e vërtetë nga një mijë vetë.
Dikur, para se një lajm të dilte, ai kalonte nëpërmjet një redaksie, nën peshën e një redaktori, nën hijen e një kodi etik. Sot, mjafton një ndjesi personale, një ngjarje e dëgjuar rastësisht, një interpretim subjektiv – dhe ja ku kemi një “lajm”. Nuk jemi më në epokën e së vërtetës, por në epokën e përshtypjes.
E këtu lind rreziku: jo më nga gënjeshtra e qëllimshme, por nga padija e sigurtë në vetvete. Nga zëri që nuk njeh vetveten. Nga fjala që nuk pyet veten: “A është kjo që po them, e vërtetë? A ndihmon kjo që po publikoj, apo dëmton?”
Në këtë kohë të turbullt, ku të gjithë flasin dhe askush nuk dëgjon, është më e nevojshme se kurrë të kthehemi te disiplina e fjalës. Ta trajtojmë si një akt solemn – jo si një vegël për të plotësuar boshllëqet tona dixhitale.
Sepse kur çdokush bëhet gazetar, e askush nuk është i verifikuar, fjala humb peshën e saj dhe shoqëria fillon të rrëshqasë në një amulli të rrezikshme. E vërteta nuk bërtet – ajo kërkon të dëgjohet. Dhe për këtë, ne kemi nevojë për heshtje të mençur më shumë sesa për zhurmë të padobishme.
Nëse fjala s’na ndërton më, atëherë le të paktën të mos na rrënojë.