Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së ikonës së rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, PhD. Dashnim Hebibi, President i Institutit Helvetik Shkencor të Evropës Juglindore me qendër në Zvicër dhe themelues i platformës HelveticALforum (helveticALforum.ch), ka ndarë disa fjalë përkujtimore në rrjetet sociale.
Sot, Adem Demaçi do ta festonte 90-vjetorin e lindjes, po të ishte fizikisht mes nesh. Edhe pse nuk e kemi pranë, ai mbetet i përjetshëm në zemrat tona dhe në historinë e popullit shqiptar.
Adem Demaçi, i biri i Zeqir dhe Nazife Demaçit, lindi në Prishtinë më 26 shkurt 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës. Jetën e tij ia kushtoi lirisë, dinjitetit dhe të drejtave të popullit të vet, duke u bërë simbol i sakrificës dhe qëndresës kombëtare. Ndërroi jetë më 26 korrik 2018, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme kombëtare dhe njerëzore.
Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, ai drejtoi për një kohë Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Nga viti 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës “Zëri” në Prishtinë. Më pas, për një periudhë, drejtoi Partinë Parlamentare të Kosovës. Gjatë viteve 1998–1999 ishte zëdhënës politik i Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Sakharov” për Lirinë e Mendimit. Në vitin 2010 u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Pas luftës, ai u angazhua fuqishëm për respektimin e të drejtave të pakicave jo-shqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre, duke dëshmuar vizionin e tij human dhe gjithëpërfshirës.
“Ruaj kujtime të pashlyeshme në shpirtin tim nga dita kur, më 6 prill 2011 në Prishtinë, u nderova nga duart e Adem Demaçit me titullin ‘Ambasador i Paqes’, i ndarë nga Federata e Paqes Universale me qendër në SHBA,” – kujton Dr.sci. Dashnim Hebibi.
“Ishte një moment i veçantë dhe një ndër nderet më të mëdha të jetës sime, sepse vinte nga duart e simbolit të sakrificës, guximit dhe atdhedashurisë.”
Në këtë 90-vjetor të lindjes së tij, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje figurën e Adem Demaçit – njeriun që jetoi për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
Lavdi veprës dhe kujtimit të tij!, transmeton helveticALforum.ch




