Kjo e hënë shënon 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë, dhe në kuadër të kësaj dite, në emisionin “Now me Erla Mëhillin” ishte i pranishëm edhe pasardhësi i Azem Hajdarit, djali i tij, Azemi.
Djali i liderit historik të dhjetorit solli një perspektivë personale dhe krahasuese mes brezit të tij dhe brezit që udhëhoqi ndryshimet në vitet ’90.
Ai foli për figurën e të atit, për filozofinë e tij të veprimit dhe për sfidat e rinisë së sotme, duke e lidhur historinë me realitetin aktual politik e shoqëror.
“Azem Hajdari, babai im, ishte një person që në paralelizëm donte ta rrëmbente të ardhmen e tij për mirë, dhe të rinjtë sot, nëse nuk mundohen ta rrëmbejnë të ardhmen e tyre, dikush tjetër do t’ua rrëmbejë. Është kaq e thjeshtë. Babai ishte me parimin ‘t’i bëjmë gjërat të ndodhin dhe më pas t’i rregullojmë rrugës’. Prandaj ai u bë lider edhe më herët në moshë, pavarësisht se kushtet nuk ishin, ai e bëri të ndodhte dhe më pas, me gurët e përgjegjësisë mbi shpinë, e përgatiti veten për t’ia dalë. Edhe unë sugjeroj që çdo person të bëjë diçka të ndodhë, dhe pastaj të përgatitet rrugës. Sepse duke u matur gjithmonë nuk do të ketë kurrë veprim, dhe faktorë të tjerë do t’i rëndojnë”, tha ai.
Ai tha se, nëse rinia e sotme, e ashtuquajtura gjenerata Z, do të kishte qenë në atë periudhë, ndryshimi do të kishte ardhur edhe më shpejt se sa ndodhi.
“Si do të kishte qenë situata nëse në atë kohë do kishim këtë rini të gjeneratës Z që kemi sot? Mendoj se kjo gjeneratë që quhet Z, dhe pjesë e së cilës jam edhe unë, do ta kishte përmbysur atë regjim edhe më shpejt. Sepse gjenerata Z është shumë më e pajisur me faktorë të ndryshëm për t’u bërë ballë këtyre situatave; janë më të informuar dhe më të integruar në shumë aspekte. Mendoj se impulsiviteti i tyre, kur u preken disa interesa të caktuara, është edhe më i madh se te brezi i atëhershëm. Ajo që ndodh aktualisht ka të bëjë me shpërqendrimin, që është një faktor më vete. Ka një prirje të gjeneratës aktuale për të mos u përfshirë në politikë. Unë mendoj se ka nevojë për revolucion dhe për ndryshim, sepse një shtet dhe një popull duhet të jenë në evolucion dhe të mos rrinë në vend”, tha ai.
Ai u shpreh se vendit po i afrohet sërish një situatë e tillë ku sipas tij rinia mund të reagojë.
“Atëherë gjërat ishin më të ngushta dhe, nëse do të vijë prapë aq ngushtë situata, e njëjta gjë mund të përsëritet, madje mund të ndodhë edhe më e madhe dhe më madhështore. Situata po shkon drejt asaj rruge. Nëse rinia, dhe jo vetëm nuk do të ndikojë në politikë sado pak, duke dhënë nga vetja një të mirë për komunitetin, atëherë politika do të ndikojë tek ta. Është e pashmangshme.”, tha ai.
8 Dhjetori është Dita e Rinisë në Shqipëri, ku sot shënohen 35 vjet nga koha kur studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës, banorë të Qytetit Studenti mes tyre dhe Azem Hajdari, u bënë iniciatorë të protestave paqësore që sollën pluralizmin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë, me thirrjen e famshme: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa.”, transmeton euronewsal.




