Sot shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës së gjatë të vetizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur. Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë, një fituese dhe një të humbur.
Kryedemokrati Sali Berisha ka ndarë një mesazh për 8 Dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se “Lëvizja e Dhjetorit”, që përkujtohet sot, është një datë e bekuar kur rinia shqiptare nisi të veprojë duke rrëzuar më pas regjimin komunizmin. “8 Dhjetori-Dita e Rinisë është data e bekuar kur rinia studentore shqiptare nisi atë që u fut në histori si “Lëvizja e Dhjetorit”, që rrëzoi komunizmin dhe solli demokracinë. Nderime përjetë atyre të rinjve guximtarë.
Më 8 dhjetor, ora 11:00 tek Qyteti Studenti kremtojmë liderin e Dhjetorit, Azem Hajdarin, dhe studentët, pedagogët, punëtorët dhe të rinjtë që u vunë në krye të Lëvizjes për Ndryshim, Shpresë dhe Liri”,-shkruan Berisha, transmeton oranews.




