Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë sot pamje nga stërvitja e Regjimentit të Operacioneve Speciale, duke theksuar nivelin e lartë të përgatitjes dhe profesionalizmit të kësaj njësie elitare të Forcave të Armatosura.
Komandanti i regjimentit, kolonel Ajet Jata, ka vënë në pah objektivin kryesor që është ndërtimi i një force elitare, e gatshme për çdo mision dhe skenar operativ, në përputhje të plotë me standardet e NATO-s.
Ai ka theksuar se agjenda e tij si drejtues është e ngjeshur, e fokusuar kryesisht te stërvitja intensive dhe koordinimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
“Një pjesë e veçantë e ditës është koordinimi me forcat speciale të vendeve aleate dhe me Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s. Pjesën më të madhe të kohës ia kushtojmë stërvitjes, pasi ajo është element thelbësor për ruajtjen e nivelit profesional të trupave tona,” u shpreh kolonel Jata.
Duke sjellë në vëmendje përvojën e tij në misionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak, ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët dhe ndërtimit të besimit mbi bazën e respektit reciprok. Jata theksoi se terreni dhe strategjia janë elementë të pandashëm në operacionet ushtarake: terreni teston aftësitë profesionale dhe fizike të operatorëve, ndërsa strategjia vë në provë vendimmarrjen e komandantëve.
Komandanti ka folur edhe për transformimin e ndjeshëm të regjimentit në vitet e fundit, si në rritjen e aftësive operacionale, ashtu edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe trajtimit të personelit me benefite motivuese.
“Një komandant i mirë nuk është vetëm lider apo menaxher i aftë, por duhet të marrë vendime të drejta dhe të mbajë përgjegjësi si për suksesin, ashtu edhe për dështimin,” ka deklaruar Jata, duke nënvizuar rolin e lidershipit në drejtimin e një strukture elitare.
Angazhimi i vazhdueshëm i trupave shqiptare në kuadër të Aleancës, sipas tij, dëshmon se Shqipëria kontribuon jo vetëm për paqen dhe sigurinë në rajon, por edhe më gjerë, duke konfirmuar standardet e NATO-s në përgatitje dhe gatishmëri, transmeton rtsh.




