Nga Dashnim HEBIBI
Edhe pse shumë shqiptarë jetojnë larg fizikisht atdheut, lidhja me vendin dhe historinë mbetet e pathyeshme. Sa herë që kthehen në Kosovë, ndalesa në Prekaz është e pashmangshme. Aty nuk shkohet vetëm për homazh, por për t’u mbushur me energji shpirtërore, për të prekur nga afër vendin ku qëndresa u kthye në simbol kombëtar. Prekazi është kthyer si një vend pelegrinazhi, në një altar kujtese ku çdo shqiptar ndien peshën e sakrificës dhe madhështinë e qëndresës.
5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998 janë tri ditë që mbetën përgjithmonë të gdhendura në historinë e Kosovës. Ato ditë sollën dhimbje të thellë, por edhe krenari të pashuar. Në përballje me forcat serbe, ranë 59 pjesëtarë të familjes së ngushtë të Adem Jashari dhe të familjes së gjerë Jashari nga Prekazi i Ulët i Drenicës, si dhe tre miq e nipa që ndodheshin në atë shtëpi. Ishte një nga ngjarjet më tronditëse dhe njëherazi më përcaktuese për rrjedhën e luftës në Kosovë.
Qëndresa e familjes Jashari nuk ishte thjesht një akt vetëmbrojtjeje; ajo u shndërrua në thirrje për liri. Sakrifica e tyre u bë frymëzim për mijëra djem e vajza që iu bashkuan radhëve të luftës për çlirim. Nga ajo vatër e flijimit lindi një epokë e re për Kosovën.
Vitet kalojnë, por kujtimi për dëshmorët nuk zbehet. Në çdo rrahje zemre, në çdo përvjetor, në çdo flamur që valon, jeton emri i tyre. Ata janë themeli mbi të cilin u ndërtua liria e sotme dhe amaneti që brezat ta ruajnë me nder e përgjegjësi.
Marsi i vitit 1998 na mbolli dhimbjen më të thellë, por njëkohësisht na fali krenarinë më të madhe. Është krenaria me të cilën do të rriten fëmijët shqiptarë brez pas brezi, duke mësuar se liria ka emra, ka histori dhe ka gjak të derdhur për të.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!




