5.3 C
Zurich
Friday, February 20, 2026
spot_img
spot_img

Latest Posts

37 vjet nga greva e minatorëve të Trepçës, Kurti kujton rezistencën

Në 37-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës, Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar këtë akt të rëndësishëm të rezistencës shqiptare në Kosovë. Më 20 shkurt 1989, rreth orës 13:00, minatorët e ndërrimit të katërt në Stantërg refuzuan të dilnin nga miniera dhe hynë në grevë urie. Ata iu bashkuan edhe kolegët e tre ndërrimeve të tjera, duke u bërë rreth 1300 grevistë,” ka shkruar Kurti, duke rikujtuar momentin kur minatorët qëndruan të shqetësuar për fatin politik të shqiptarëve dhe për cënimin e statusit të Kosovës si krahinë autonome.

Minatorët qëndruan në grevë nga 20 deri më 28 shkurt, duke këmbëngulur në 10 kërkesa, përfshirë edhe shqyrtimin e çështjes së shqiptarëve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. “Kjo nuk ishte hera e parë që komuniteti i minatorëve organizohej me kërkesa politike. Më 17 nëntor 1988, minatorët marshuan nga Stantërgu deri në Prishtinë, ndërsa më 28 shtator 1983 shkruan në muret e menzës parullat ‘Kosova Republikë’ dhe ‘Trepça është e jona’,” thekson Kurti.

Ai kujtoi gjithashtu reagimin e autoriteteve të asaj kohe: “Komiteti Krahinor i Kosovës nuk iu përgjigj kërkesave dhe përdori manovrime të ndryshme për t’i dhënë fund grevës. Më 1 mars 1989, minatorët dolën nga miniera, miniera u mbyll dhe 15 minatorë u arrestuan dhe u dënuan me nga 14 muaj burgim.” Tre javë më pas, më 23 mars 1989, Serbia ia suprimoi autonominë Kosovës. “Megjithëse kërkesat nuk u realizuan, greva e minatorëve në Stantërg ishte akti i parë i gjerë rezistues që hapi epokën e shkatërrimit të Jugosllavisë të udhëhequr nga Serbia e Millosheviqit, periudhë që kulmoi me çlirimin e Kosovës në qershor 1999,” tha Kurti.

Kryeministri përfundoi duke nënvizuar rëndësinë historike të grevës: “I kujtojmë çdo ditë, të gjithë brezat, sepse e kaluara dhe historia jonë janë themeli i shtëpisë sonë politike: Republikës së Kosovës.”/BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB