/ Përgaditi: Dashnim HEBIBI, Cyrih
Regensdorf, 28 Mars 2025
Kjo ditë shënon 27 vjetorin e themelimit të Xhamisë së Regensdorfit, një vatër besimi, edukimi dhe bashkimi për mijëra shqiptarë në Zvicër. Ky përvjetor përkoi me teravinë e fundit të muajit të Ramazanit, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një domethënie edhe më të thellë.
Me këtë rast, kryesia e xhamisë organizoi një manifestim solemn, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme, përfshirë:
Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri
Shefi i Misionit Konsullor i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha
Të dy personalitetet mbajtën fjalime përshëndetëse, duke vlerësuar rolin e Xhamisë së Regensdorfit si një qendër e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Zvicër.

Ambasadori Rexhep Demiri theksoi rëndësinë e xhamisë si një institucion që ka ruajtur dhe forcuar identitetin kombëtar e fetar të shqiptarëve në mërgim.

Ai u shpreh:
“Xhamia e Regensdorfit nuk është thjesht një vend faljeje, por një institucion i fortë që ka kontribuar në ruajtjen e vlerave tona kombëtare dhe fetare. Ajo ka qenë gjithmonë një qendër uniteti dhe ndihme për bashkatdhetarët tanë, dhe për këtë i falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite.”
Ndërsa Konsulli i Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, vlerësoi përkushtimin e komunitetit shqiptar ndaj fesë dhe kombit, duke thënë:

“Xhamia e Regensdorfit është një model i shkëlqyer i organizimit të diasporës sonë. Këtu, jo vetëm që ruhet dhe praktikohet feja, por gjithashtu kultivohet solidariteti dhe ndihma për njëri-tjetrin. Kjo xhami ka qenë dhe mbetet një vatër e rëndësishme për shqiptarët e të gjitha trojeve, duke dëshmuar se feja dhe kombi ecin bashkë, me vlera dhe përgjegjësi të lartë.”

Një program i pasur shpirtëror dhe kulturor
Manifestimi u hap me lexim të Kuranit, recituar nga hafizi dhe ilahisti i njohur Musli Musliu, i cili me zërin e tij të bukur solli emocion të veçantë me interpretimin e ilahive.
Nënkryetari i xhamisë, mr. Rrahman Xhambazi, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në këtë event.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe:
Kryetari i xhamisë, z. Naim Krasniqi
Ish-kryetari, z. Mevludin Ashiku
Mr. Xhamir Emini, i cili ndau përshtypjet e tij për xhaminë dhe xhematin
Ndërkohë, imami i nderuar, mr.hfz. Ferit Zeqiri, bëri një përmbledhje të veprimtarisë 27-vjeçare të xhamisë, duke theksuar rëndësinë e saj si qendër fetare dhe kulturore për shqiptarët në Zvicër.
Mirënjohje për kontribuuesit dhe vullnetarët
Në këtë përvjetor, kryesia e xhamisë ndau mirënjohje për ish-kryesinë, duke nderuar individët që kanë dhënë kontribut të madh në zhvillimin e saj:
Mevludin Ashiku
Gëzim Xhaferi
Rami Sula
Një mirënjohje e veçantë u dha nga familja Kadriu (familja e të ndjerës Merva) për hoxhën Ferit Zeqiri, në shenjë falënderimi për përkushtimin e tij.
Një komunitet i fortë dhe i bashkuar
Pas manifestimit, të pranishmit u ftuan në një Apero. Një gjest simbolik ishte shpërndarja e trëndafilave për gratë, organizuar nga firma Jakupi Blumen.
Një falënderim i veçantë shkon për:
Fadil Zumeri dhe Lirim Tairi për dokumentimin e ngjarjes. Të gjithë vëllezërit dhe motrat që kontribuuan në organizimin e manifestimit dhe në mbarëvajtjen e muajit të Ramazanit

Xhamia e Regensdorfit – një vatër e madhe besimi dhe shërbimi
Kjo xhami nuk është vetëm një vend faljeje, por një qendër ku:
Ligjëruan dhjetëra shkencëtarë e teologë
Organizohen kuize, tribuna dhe aktivitete edukative
Mblidhen mbi 1,000 besimtarë çdo të premte për namazin e xhumasë
Përfaqësohen shqiptarë nga të gjitha trevat tona
Janë mbajtur shumë të pame, duke lehtësuar familjet e mërgimtarëve që kanë humbur të afërmit e tyre larg vendlindjes. Imami i kësaj xhamie ka shpirt mjalti, duke u kujdesur për unitetin dhe edukimin e xhematit. Kryesitë e kaluara dhe aktualja kanë bashkëpunuar si vëllezër, duke e ndërtuar këtë institucion me përkushtim dhe dashuri. Stafi i xhamisë urojnë 27-vjetorin e Xhamisë në Regensdorfit! Zoti na e pranoftë agjërimin dhe të gjitha veprat e mira. ( Foto nga Xhamia në Regensdorf)




