
Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ, Andermatt
Më 21 dhjetor, drita doli pa zë.
Jo për të ndriçuar rrugë, por për të treguar
se errësira më e rëndë
lind brenda mureve që i quajtëm ndryshe.
Ora u ndal.
Jo se koha u lodh,
por se e vërteta
nuk kishte më ku të fshihej.
Në një pasdite pa emër,
besimi u këput, jo si zhurmë,
por si fijë e brendshme
që mban trupin drejt.
Gjithçka u humb, për t’u çliruar.
Dhe në atë çlirim, mbeti një boshllëk
që vetëm ata nga brenda, dinë ta hapin
pa e shkatërruar veten.
Një qenie kaloi ferrin, jo në vite,
por në ditë të ngjeshura, me peshën e padrejtësisë, që vjen nga dora
që dikur përkëdhelte.
Gurët filluan të qanin, se ka peshë
që as guri nuk e mban
kur padrejtësia
flet me zë.
Era nuk i mori fjalët. Nuk e mori dhimbjen.
Se ka plagë, që nuk lindin nga armiqtë,
por nga ata, që dinë emrin tënd
dhe e përdorin, si provë kundër teje.
Dikush u bë gjyq.
Zërat që duhej të mbronin
u bënë barrë.
Heshtja u shpall faj.
Luani u lidh.
Jo nga egërsia, por se e vërteta
është e padurueshme
për ata që jetojnë, me fytyra të ndara.
Dhe prapë,
e drejta doli.
Jo si festë, por si turp i heshtur
për ata që e vonuan.
Koha u ndal, vetëm për fjalë.
Jo për vepra.
Dhe aty, pa zhurmë,
lindi falja.
Jo si fjalë.
Si lodhje e thellë
nga mbajtja e gurëve
që nuk ishin të atij.
Nuk ishte harresë.
As pajtim.
Ishte vendim, që plagën, të mos e kthenë,
në strehë zemërimi.
Fjalët i la, aty ku u thanë.
Hapat, aty ku u gabuan.
Se jo çdo gjurmë
duhet ndjekur.
Falja u dha
jo për ata që lënduan,
por për atë pjesë brenda atij,
që meritonte paqe.
Ishte kufi.
Jo ftesë.
Mbyllje dere pa zhurmë,
jo hapje për rikthim.
Ata mbetën
me fjalët e tyre.
Ai iku,
me heshtjen e tijë të qetë.
Se falja e vërtetë
nuk e ndryshon të shkuarën,
por e çliron shpirtin, nga nevoja
për t’u kthyer atje.
Dhe kështu,
pa zhurmë,
pa gjykim,
pa fitore të dukshme,
u bë paqe.
Jo mes atyre.
Por brenda atij.
Ai është këtu.
I lirë.
Jo se fitojë,
por se nuk u bë
si ata që menduan
se dashuria
mund të përdoret
si armë.
Vetëm kështu …
X. L. 21. Dhjetor 2025
Ky shkrim:
nuk akuzon, por zbulon
nuk përmend, por tregon
nuk hakmerret, por qëndron drejt
Ai është këtu.
Pa zhurmë.
Pa gjykim.




