Nga Florim Useini, Luzern
Të dashur bashkatdhetarë, sipërmarrës, drejtues institucionesh, përfaqësues diplomatikë dhe miq të kombit tim,
Po e mbyllim një vit sfidues. Shumë prej nesh kanë luftuar me presion ekonomik, mungesë stabiliteti financiar dhe realitete të vështira biznesi. Por një gjë është fakt: pavarësisht gjithçkaje, ne ende kemi kapacitet, kemi potencial dhe kemi fuqi për të krijuar zhvillim. Thjesht na duhet më shumë bashkim, më shumë organizim dhe më shumë guxim. Shpesh kemi harxhuar shumë energji në debate të pafrytshme dhe qasje të tepërt politike. Viti 2026 duhet të jetë vit i biznesit, zhvillimit ekonomik dhe rezultateve konkrete që i shërbejnë realisht shoqërisë sonë.
Koha e justifikimeve, e pritjes, e fjalëve pa veprime ka mbaruar.
Në vitin 2026 dua të flas qartë dhe drejt: le ta shpallim vitin e biznesit, vitin e bashkëpunimit ekonomik, vitin e investimit dhe rritjes reale! Edhe pse gjatë gjithë kohës jam munduar të jem aktiv, i përkushtuar dhe i palodhur në çdo proces, në vitin 2026 unë hyj me edhe më shumë energji, me më shumë vendosmëri dhe me gatishmëri totale për bashkëpunim. Jam i hapur për çdo ide, çdo platformë, çdo iniciativë dhe çdo projekt që na çon drejt zhvillimit. Të gjithën këtë vetëm për një qëllim: që këtë vit ta shpallim realisht vit të biznesit, të unifikimit, transparencës dhe koncepteve të reja zhvillimi.
Unifikimi nuk është slogan – është domosdoshmëri kombëtare dhe ekonomike.
• Ftoj shoqatat shqiptare kudo që janë – të dalin nga formalitetet dhe ta kthejmë ekzistencën tonë në vlerë reale për komunitetin.
• Ftoj diplomatët tanë – të jenë ura, jo dekor protokollar. Të bëhen partnerë të zhvillimit, jo vetëm pranues ftesash.
• Ftoj strukturat shtetërore dhe zyrtarët përgjegjës – të jenë pranë biznesit, pranë diasporës dhe pranë iniciativës shqiptare.
• Ftoj investitorët vendor dhe ndërkombëtar – të hyjnë me besim, sepse kemi njerëz të zotë, kemi ide, kemi projekte dhe kemi vullnet.
• Ftoj profesionistët dhe ekspertët – të mos qëndrojnë spektatorë, por të marrin rol aktiv.
• Ftoj biznesmenët – të mos e shohin njëri-tjetrin si kundërshtar, por si partnerë në një mision shumë më të madh.
Dhe veçanërisht, ftoj të gjithë miqtë e mi në Diasporë dhe në trojet tona: Ata që kanë ide, vizion, dije, kapital dhe vullnet – të bashkohemi, të punojmë bashkë, të krijojmë platforma, projekte, partneritete, kompani të reja, investime konkrete dhe mundësi reale për njerëzit tanë. Le të kalojmë nga fjalët në veprime. Nga dëshirat në rezultate.#
Na duhet bashkim ekonomik.
Na duhet rrjet funksional bashkëpunimi.
Na duhet prodhim, investim, zhvillim dhe fuqi reale ekonomike shqiptare.
Dua një 2026 Biznesi – me më shumë industri, më shumë projekte konkrete, më shumë punësim, më shumë prodhim, më shumë investime dhe më shumë forcë ekonomike shqiptare. Më pak ego, më pak frikë, më pak bllokim. Ne nuk ndërtojmë të ardhme vetëm me emocione. Të ardhmen e ndërton ekonomia e fortë, biznesi funksional dhe struktura e shëndoshë bashkëpunimi.
Zoti na dhëntë shëndet, urtësi, guxim dhe bekim.
Bekoftë familjet tona, punën tonë, iniciativat tona dhe kombin tonë.
Le të hyjmë në vitin 2026 me vendosmëri dhe të bëjmë atë që duhet bërë.
Gëzuar, me respekt, transmeton helveticALforum.ch




